Presidenti rus, Vlladimir Putin deklaroi se Moska do të kërkojë garanca perëndimore të cilat do të parandalojnë çfarëdo lloj zgjerimi të NATO-s dhe sistemim të armatimit në afërsi të kufijve të vendit të tij, kërkesë që vjen për shkak të druajtjeve nga invazioni rus në Ukrainë.
Autoritetet ukrainase dhe perëndimore janë të shqetësuara për shkak të sistemimit të ushtarëve rusë në afërsi të Ukrainës, duke cekur se kjo mund të sinjalizojë qëllim të Moskës për sulm, transmetojnë mediumet amerikane.
Diplomatët rusë i kundërshtuan thëniet, duke shprehur shqetësim për shkak të përforcimit ushtarak të Ukrainës në afërsi të zonës së konfliktit separatist në pjesën lindore të vendit.
Duke folur sot në ceremoninë në Kremlin gjatë pranimit të letrave kredenciale nga ambasadorë të huaj, Putin theksoi se Rusia do të kërkojë “garanca të sigurta dhe afatgjate të sigurisë”, transmetojnë mediumet amerikane.
Presidenti rus akuzoi se “kërcënimet po rriten në kufirin tonë perëndimor”, me atë që NATO-ja po e afron infrastrukturën e vet ushtarake afër Rusisë dhe i ofron Perëndimit të përfshihet në biseda thelbësore për këtë çështje, duke shtuar se Moskës do t’i duhet jo vetëm bindje verbale, por edhe garanca juridike”.