Në një situatë ku pjesa më e madhe e Ballkanit ia ka kthyer shpinën, Rusia do të shfrytëzojë të gjitha mënyrat që e njëjta gjë të mos i ndodh edhe në Serbi. Gazeta serbe Alo shkruan se kjo është arsyeja pse Presidenti rus Vladimir Putin është i gatshëm që përmes manjatëve të tij të ndikojë në zgjedhjen e presidentit të ri serb më 9 prill, që ai të mos jetë dikush që do të vazhdojë rrugën e Serbisë drejt Perëndimit, transmeton gazetametro.net. Njerëzit e Putinit, sipas Alo, janë të gatshëm t’i japin Vuk Jeremiçit tre milionë euro për fushatë parazgjedhore, dhe pesë milionë të tjetër nëse ai e fiton këtë garë. Deri më tani, kandidatët e përmendur për këtë garë janë presidenti i tanishëm i Serbisë Tomislav Nikoliç, ministri aktual Ivica Daçiç dhe udhëheqësi i Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshelj. Kandidat për president, edhe pse ende nuk e kanë thënë zyrtarisht, pritet të jenë edhe kryeministri aktual serb Aleksandar Vuçiç, e gjithashtu edhe Vuk Jeremiç.