Beograd, 16 janar – Politika e SHBA-së seriozisht e destabilizon Ballkanin, ndërsa Rusia do ta vazhdojë bashkëpunimin ushtarako-teknik me Serbinë, tha presidenti rus Vlladimir Putin në prag të vizitës së nesërme në Beograd, në intervistë për gazetat “Politika” dhe “Veçernje Novosti”, transmeton Koha.
Presidenti rus, në pyetjen për rolin destabilizues të Rusisë në Ballkan, dha vlerësim edhe për Maqedoninë, “se ekziston presion i jashtëm për anëtarësimin Maqedonisë në NATO”.
“Kur flasim për situatën në Ballkan, faktor destabilizues këtu paraqet politika e SHBA-së dhe të disa vendeve perëndimore, qëllimi i të cilave është përforcimi i dominimit të tyre në rajon. Që në vitin 1999, forcat e NATO-s pa sanksion të KB-së dy muaj e gjysëm e kanë bombarduar Jugosllavinë, e pastaj me dhunë e kanë ndarë krahinën autonome të Kosovës. Në vitin 2008, Uashingtoni dhe aleatët e tij e kanë përkrahur shpalljen jolegjitime të pavarësisë së Kosovës. Në vitin 2017, edhe krahas qëndrimit të gjysmës së popullatës, Mali i Zi është tërhequr në NATO. Ishin të frikësuar nga referendumi për këtë çështje dhe si rezultat të kësaj, vendi kalon në periudhë të destabilitetit politik”, thotë Putini.
Vitin e kaluar, thotë presidneti rus, “për shkak të anëtarësimit të sforcuar në NATO të Republikës së Maqedonisë, madje është ngritur edhe procesi i miratimit të amandamenteve kushtetuese, ndryshimi i emrit të shtetit dhe revizion të bazës së identitetit kombëtar maqedonas”.
“Me këtë rast, ishte injoruar vullneti i votuesve maqedonas – referendumi për ndryshim të emrit shtetëror nuk pati sukses, por presioni i jashtëm vazhdoi. Federata ruse, duke ditur dhe kuptuar ndërlikueshmërinë e Ballkanit dhe historinë e atij rajoni, çdoherë e kanë llogaritur këët rajon hapësirë për bashkëpunim konstruktiv. Sot Rusia në Ballkan ka shumë miqë, mes të cilëve vend të posaçëm ka partneri strategjik – Serbia. Për këtë shkak, ndihma dhe përforcimi i sigurisë rajonale dhe stabiliteti është prioritet i ynë”, tha Putin.
Presidenti rus i vlerësoi si të mira marrëdhëniet me BeH-në, posaçërisht me Republikën Sërpska, ndërsa për marrëdhëniet me Kroacinë dhe Slloveninë vlerësoi “se po zhvillohen në mënyrë progresive”.
Putin transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në ushtri i vlerësoi si hap “i cili krijon rrezik serioz për ashpërsimin e situatës në rajon, me të cilin shkelet e drejta ndërkombëtare”.
Në këtë kontekst, presidenti rus tha se vlerëson se “kursi për zgjerimin e NATO-s është trashëgimi e Luftës së Ftohtë dhe se kjo është strategji e gabuar dhe destruktive ushtarako-politike”.