Pavarësia e Kosovës ishte një humbje e madhe shpirtërore si për Serbinë, ashtu edhe për Rusinë, e cila u detyrua të pranonte një rezolutë paqeruajtëse, pas sulmeve ajrore amerikane kundër Serbisë, pavarësisht lidhjeve të Moskës me Beogradin dhe interesave ruse në Ballkan. Ky hap pasqyroi dobësinë ushtarake, ekonomike dhe diplomatike të Rusisë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik
“Vladimir Putin planifikonte ta ndante Kosovën në dy pjesë, Veriun e kontrolluar nga Rusia dhe Lindjen e kontrolluar nga Perëndimi”. Jamie Shea, ish-zyrtarit të lartë të NATO-s, i cili rrëfen për herë të parë se Moska kishte bërë gati ushtrinë 2 dekada më parë, por u ndalua të hynte falë aleatëve europianë të shqiptarëve. Shea ishte fytyra e vetme e NATO-s gjatë misionit të aleancës për të detyruar forcat serbe të largoheshin nga Kosova në vitin 1999. Sa i admiruar në Kosovë, aq edhe i urryer në Serbi, ai ishte fytyra e vetme që shqiptarët dhe serbët panë në televizor për muaj të tërë. Sot, veterani i NATO-s mban një profil më të ulët publik si profesor në Anglinë jugperëndimore, por thotë se ndalimi i gjenocidit ndaj shqiptarëve është krenaria e tij më e madhe.
Në një intervistë me BIRN mbi fushatën e NATO-s, që i dha fund sundimit serb në Kosovë, ai kujtoi momentin tronditës në qershor të vitit 1999, kur trupat ruse hynë në Kosovë nga Bosnja dhe “pushtuan” aeroportin e Prishtinës përpara syve të trupave të NATO-s. Për disa ditë, flitej për një përballje, madje edhe për luftë, midis NATO-s dhe Rusisë, mes frikës se presidenti rus Vladimir Putin mund të vendoste të pushtonte Veriun e Kosovën.
KOSOVA U “SHPËTUA” FALË REPUBLIKËS ÇEKE, HUNGARISË DHE POLONISË
“Rreziku më i madh që kemi pasur atë ditë ishte shqetësimi që rusët do të dërgonin forca të specializuara drejtpërdrejt nga Rusia në Kosovë për të përforcuar trupat e tyre që kishin marrë aeroportin, duke formuar kështu një kontingjent të madh ushtarak, i cili planifikohej të aneksonte Veriun e Kosovës”, thotë ish-zyrtari. “Kjo perspektivë bëri që komandantët e NATO-s të përhapnin alarmin se Kosova do të ndahej si Gjermania, midis zonave ruse dhe perëndimore”, thekson ai.
“Mendoni për Berlinin pas Luftës së Dytë Botërore”, shpjegoi Shea, duke kujtuar ndarjen Lindje-Perëndim të kryeqytetit gjerman, i cili vazhdoi të qëndronte i tillë për pothuajse gjysmë shekulli. Për Shean, Kosova u “shpëtua” falë Republikës Çeke, Hungarisë dhe Polonisë, të cilat sapo kishin hyrë në aleancën e Atlantikut të Veriut, por bllokuan hapësirën e tyre ajrore, duke ndaluar Rusinë që të dërgonte trupa shtesë nga toka ose ajri.
“Më pas, kontingjenti i trupave ruse u tërhoq brenda disa muajsh- kujton Shea- duke e bërë NATO-n fuqinë e vetme që do të monitoronte territorin e Kosovës”. Ushtria serbe u larguan nga Kosova, por Shea thotë se falë ndërhyrjes së Hungarisë, Çekisë dhe Polonisë, NATO-ja pengoi gjenocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës. “Unë jam i lumtur që NATO ishte në gjendje të ndalonte spastrimin etnik në Kosovë dhe të mësonte nga gabimet më Bosnjë” tha Shea.
Por edhe pse kanë kaluar njëzet vjet, Shea nuk e nënvlerëson rrezikun që Rusia të zgjerojë ndikimin e saj në rajon, duke thënë se Ballkani vazhdon të konsiderohet nga Moska si “dera” e saj për në Europë. Por ai gjithashtu këmbëngul se tanimë Ballkani është i orientuar drejt integrimit euro-atlantik dhe Rusia ka fituar pak terren. “Nëse ju ktheni kokën prapa 20 vite më parë dhe shikoni gjendjen kaotike të rajonit në atë kohë, do të kuptoni se shumica e vendeve të Ballkanit po afrohet gjithnjë e më pranë strukturave të NATO-s, BE-së dhe integrimit euro-atlantik”, tha ai . “Nëse do të isha Presidenti Vladimir Putin, sigurisht nuk do të isha i lumtur për këtë proces”, deklaroi Shea, i cili shpreh krenarinë që kontribuoi në lirinë e shqiptarëve të Kosovës.
Ish-zyrtari i njohur nuk i mbështet të gjitha zhvillimet e fundit në vend, veçanërisht formimin e ushtrisë së Kosovës, një vendim që NATO e ka konsideruar si të papërshtatshëm”. Megjithatë, Shea këmbënguli se Kosova është e sigurt me mbështetjen ndërkombëtare dhe shpreson që qeveria e Prishtinës të përqendrohet më shumë në çështje si arsimi dhe jo siguria. “Ka disa anëtarë të NATO-s të cilët do të ishin të lumtur që do të kishin 5000 trupa të NATO-s në territorin e tyre, kështu që Kosova nuk duhet të harrojë se është një vend i mbrojtur ndërkombëtarisht”, përfundoi ai.
VIZITA E PARË DHE E FUNDIT E PUTINIT NË KOSOVË
Ishte vera e vitit 2001 kur Presidenti rus Vladimir Putin shkeli për të parën herë në tokën shqiptare. Duke vizituat trupat ruse që kishin uzurpuar Aeroportin e Prishtinës, kreu i Kremlinit bëri thirrje edhe njëherë për mbrojtjen e sovranitetit të Serbisë, duke deklaruar se “terroristët shqiptarë ishin fajtorë për shumicën e paqëndrueshmërisë së rajonit”. Atë të diel presidenti Putin pati një ndalesë të paplanifikuar në Kosovë. Fluturimi i tij nga Beogradi u njoftua në minutën e fundit për shkak të shqetësimeve të sigurisë, edhe pse Moska kishte vendosur në atë kohë në Kosovë 3.000 trupa ruse. “Ne duhet të bëjmë gjithçka për të çarmatosur terroristët shqiptarë”, tha Putin pak para se të arrinte në Aeroportin e Prishtinës. Kjo ishte hera e parë që ai vizitoi Kosovën, por jo hera e fundit që do të fliste për të.
Më 17 shkurt të 2008-ës, pjesa më e madhe e botës (109 shtete) vendosën se Kosova duhet të shpallej zyrtarsisht një shtet i pavarur, pavarësisht notave të ashpra të protestës nga Serbia dhe Rusia. Që nga ajo ditë e në vazhdim, Presidenti Vladimir Putin ka akuzuar vazhdimisht Europën dhe Shtetet e Bashkuara për standarde të dyfishta, duke përmenduar të gjitha rajonet separatiste që kërkojnë pavarësinë dhe duke e konsideruar pavarësinë e Kosovës si “të paligjshme”. Ndryshe nga Perëndimi, Rusia ka mbështetur për vite të tëra Serbinë, duke e cilësuar ndërhyrjen në Kosovë si shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Madje Rusia ka përdorur vazhdimisht Kosovën si një mundësi strategjike për të rivendosur rolin e saj në sistemin ndërkombëtar.
Në fakt, pavarësia e Kosovës ishte një humbje e madhe shpirtërore si për Serbinë, ashtu edhe për Rusinë, e cila u detyrua të pranonte një rezolutë paqeruajtëse, pas sulmeve ajrore amerikane kundër Serbisë, pavarësisht lidhjeve të Moskës me Beogradin dhe interesave ruse në Ballkan. Ky hap pasqyroi dobësinë ushtarake, ekonomike dhe diplomatike të Rusisë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. (BIRN)