Moskë, 26 shkurt – Presidenti rus, Vlladimir Putin u dakordua me propozimin që më 22 prill të mbahet votim nacional për ndryshimet kushtetuese. Këtë sot ua kumtoi gazetarëve bashkëkryetari i grupit të punës për përgatitje të ndryshimeve në Kushtetutën ruse, Pavel Krasheninikov, lajmëroi TASS.
Referendumi për ndryshime kushtetuese me të cilat fuqia e vërtetë në shtet do të bartej nga presidenti tek kryeministri apo parlamenti, që, sipas kritikëve, do t’i mundësonte ta vazhdojë sundimin e tij edhe pasi ta braktisë Kremlinin.
Sipas Krasheninikov, dita e votimit do të jetë ditë jopune për qytetarët.
Në takimin e sotëm me anëtarët e grupit të punës, Putin tha se “tërësisht dakordohet” me propozimin që të vendoset ndalesë kushtetuese për funksionarët e rangut të lartë shtetëror në Rusi të posedojnë mjete materiale dhe financiare jashtë vendit. Ai propozoi zgjerim të listës së pozitave të larta, me qëllim që mes tyre të bëjë pjesë edhe presidenti i vendit.
Putin tha se në Kushtetutë mund të vihet edhe që rusishtja është gjuhë e “popullit shtetformues”. Sipas tij, ai tekst është në pajtim me propozimin e grupit të punës se në territorin e Rusisë “garantohet etnokultura dhe llojllojshmëria gjuhësore”.
Me ndryshimet kushtetuese, mes tjerash, parashihet përforcimi i rolit të Parlamentit në nominimin e kryeministrit, kufizimin e mandatit presidencial në gjithsej dy, në vend të dy të njëpasnjëshme, kandidatët për president të Rusisë do të duhet të kenë qëndruar 25 në vend të tanishmëve 10 vite në vend, formimin e këshillit presidencial, i cili do t’i konstatojë udhëzimet kryesore të politikës së brendshme dhe të jashtme të Federatës ruse. (koha.mk)