Votuesit e Pustecit erdhën në vëmendje të opinionit të vitin 2015, disa muaj para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2016. Bëhet fjalë për një numër të konsiderueshëm të personave nga Liqenasi i Shqipërisë, të cilët në vitin 2013 para zgjedhjeve lokale, ishin pajisur me karta identiteti dhe me këtë, ata fituan të drejtën për të votuar
Destan JONUZI
Shkup, 11 dhjetor – Përderisa vazhdon debati politik për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të planifikuara për 12 prill dhe mundësinë për shtirjen e të njëjtave për terminin e rregullt në tetor të vitit 2020, Lista zgjedhore ende mbetet e pa pastruar. Votuesit e Pustecit ende mund të figurojnë në Listën Zgjedhore, thonë nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ).
“Është e mundur të jenë ende, përkatësisht mbase janë ende – gjithnjë derisa kanë letërnjoftim dhe pasaportë. Për KSHZ-në, lista është e pastër në përqindje aq sa këtë e lejon situata. Në Listën Zgjedhore mund të gjeni edhe qytetarë të cilët kanë ndërruar jetë kohë më parë. Kjo ndodh sepse persona të tillë mund të fshihen nga lista vetëm me vërtetim mjekësore, i cili duhet të sillet nga të afërmit e tyre”, theksojnë nga KSHZ-ja.
VOTUESIT DUHET TË RIKTHEHEN NË LISTAT ZGJEDHORE
Votuesit e Pustecit erdhën në vëmendje të opinionit të vitin 2015, disa muaj para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2016. Bëhet fjalë për një numër të konsiderueshëm të personave nga Liqenasi i Shqipërisë, të cilët në vitin 2013 para zgjedhjeve lokale, ishin pajisur me karta identiteti dhe me këtë, ata fituan të drejtën për të votuar. “Problemi me votuesit e Pustecit gjithsesi të zgjidhet. Votuesit nga Pusteci duhet tërësisht të hiqen nga lista”, deklaroi për KOHA, Artan Grubi, deputet i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).
Nënkryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Remzi Mehmedi thotë se këtë problem partia e tij e ka ngritur si problem jo vetëm në opinion por edhe në takimet e liderëve partiak. “Jo vetëm ky problem por janë një mori shqetësimesh që ne si ASH i kemi ngritur edhe në opinion por edhe në takimet e përbashkëta që kemi pasur edhe me përfaqësues të subjekteve politike, KSHZ-në si dhe përfaqësues të organeve tjera. Në parim kemi rënë dakord që duhet rregulluar shumë nga defektet e verifikuara tash më por ende nuk ka diçka konkrete në këtë drejtim. Për pos kësaj kategorie kemi ngritur shqetësimin edhe të pastrimit të listës zgjedhore nga votuesit tjerë fiktiv, çështjen e nënshtetësisë së dhjetëra mijëra shqiptarëve që jetojnë me vite në Maqedoni dhe padrejtësisht nuk kanë nënshtetësi, ekuilibrimin e zonave zgjedhore ekzistuese në aspekt numerik nëse nuk do të ketë vullnet të mjaftueshëm për t’u pranuar propozimi i ASH me 8 njësi zgjedhore, çështja e votës së diasporës dhe të tjera”, deklaroi për KOHA, Remzi Mehmeti, nënkryetar i ASH-së. Ai thekson se të gjitha këto çështje që kemi ngritur e për të cilat diskutohet, ne si subjekt opozitar do të bëjmë përpjekje maksimale për të alarmuar që të kemi një proces zgjedhor sa më të drejtë dhe demokratik për qytetarët në përgjithësi dhe votuesit shqiptarë në veçanti.
Nga Lëvizja BESA e Bilall Kasamit thonë se pasi të publikohet lista zgjedhore nga KSHZ-ja për zgjedhjet e 12 prillit, në raste se do të evidentohet se ka votues fiktiv do të reagohet dhe rastet do të paraqiten në KSHZ. “Jemi ne pritje te publikimit të listës finale te votuesve dhe normalisht aty ku do evidentohen raste për votues fiktiv do i paraqesim në KSHZ. Normalisht gjithë ata shtetas që nuk posedojnë prona në Maqedoninë e Veriut ndërsa evidentohen në adresa fiktive do duhet që të pamundësohen që votimin ta kryejnë në Maqedoninë e Veriut por duhet të regjistrohen në listën votuese të diasporës dhe të shfrytëzojnë të drejtën e votës në njësinë e 7 zgjedhore”, deklaroi për KOHA, Arjanit Hoxha, sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes BESA.
MBI 8 MILIONË EURO KUSHTOJNË ZGJEDHJET
Nga ana tjetër, zgjedhjet e parakohshme parlamentare sipas përllogaritjeve të para do ti kushtojnë shtetit mbi 8 milionë euro.
“Në pajtim me atë që e pamë në propozim buxhetin i cili është në procedurë parlamentare, përllogaritjet janë se janë parashikuar diku mbi 6.7 milionë euro për zgjedhjet e ardhshme. Kam informacion se këtu do të ketë intervenim me amendamente për diku edhe një milionë e gjysmë shtesë, që do të thotë diku mbi 8 milionë euro do të kushtojnë këto zgjedhje. Këtu duhet të shtoj se llogariten edhe mjetet që do të harxhohen nëpër medie. Sepse tani në pajtim me ndryshimet e fundit ligjore nga viti i kaluar fushata mediale e cila do të realizohet gjatë fushatës do të paguhet nga shteti, dhe mendohet se pjesa më e madhe e atyre mjeteve do të shkojnë tek mediat. Derisa pjesa organizative për realizimin e zgjedhjeve e kështu me radhë, ajo që është bazë e kompetencave të KSHZ-së do të kushtojë diku më pak se 3 milionë euro”, thonë nga KSHZ. Ndryshe, zgjedhjet e parakohshme parlamentare liderët e partive parlamentare i kanë dakorduar për më 12 prill të vitit 2020. (koha.mk)