Qerim LITA
Në mbarim të vitit 1915 dhe fillimin e vitit 1916, ushtria serbe e cila qëndronte në tokat shqiptare, pasi u thye keqas nga ushtritë austro-hungareze e bullgare, u detyrua që me ndihmën e ushtrisë italiane të tërhiqet nga Shqipëria për t’u vendosur në Korfuz, e prej andej në Frontin e Selanikut. E gjithë kjo erdhi pas kërkesave të vazhdueshme të Qeverisë serbe, drejtuar shteteve të Antantës, ku merrte pjesë edhe Italia. Më 4 dhjetor 1915, Nikolla Pashiq, përmes një telegrami urdhëronte përfaqësuesin e Legatës serbe në Romë, që edhe një herë t’i drejtohej Qeverisë italiane për ndihmë urgjente. Në të shprehimisht thuhej: “Tash më disa herë i kemi njoftuar aleatët tanë se ushtria jonë është e lodhur, e dobët e tash edhe i mungon municioni. Ajo nuk mund të qëndroj për gjatë kohë. Prandaj, italianët i kemi lutur për ndihmë dhe nëse ajo nuk vjen me kohë, bullgarët do të zbresin në Durrës. Njoftoni Qeverinë italiane për gjendjen tonë. Kur mungon buka e municioni asnjë ushtri nuk mundet, sado që të jetë e guximshme, t’i përballojë sulmet, kur asaj i mungon ushqimi e municioni…”.
Esat Toptani
Me tërheqjen e ushtrisë serbe nga Durrësi, u tërhoq edhe Esat Toptani, i cili fillimisht shkoi në Itali, por pasi nuk hasi në përkrahjen e Qeverisë italiane, kaloi në Francë ku u mirëprit nga qeveria e saj, e cila në gusht të vitit 1916 e dërgoi në Selanik. Burimet diplomatike serbe nga Roma njoftonin se Esat Pasha ishte detyruar të largohet nga Italia, për shkak se këta të fundit nuk e pranonin qeverinë e tij, prandaj ata nuk “kishin përfaqësuesin e tyre tek ai”. Për rrjedhojë, pjesa më e madhe e Shqipërisë, u pushtua nga ushtria austro-gjermane dhe ajo bullgare, ndërsa ushtria italiane u vendos në Vlorë, Tepelenë, Përmet e Gjirokastër, me pretendim që të futet edhe në Korçë, e cila asaj kohe ishte e pushtuar nga grekët. Vendosja e ushtrisë italiane në pjesën më të madhe të Shqipërisë Jugore, qarqet diplomatike serbe e konsideronin si një hap “kundër interesave strategjike” të tyre dhe atyre greke, të parapara sipas Traktatit të fshehtë të Londrës të vitit 1915. Më 16 tetor 1916, Nikolla Pashiqi, përmes një qarkore njoftonte përfaqësuesit diplomatik serb, për një fushatë të madhe nga ana e italianëve në Jug të Shqipërisë. Në të, veç tjerash, thuhej: “Në kohë të fundit italianët kanë zhvilluar një agjitacion të madh në Shqipëri. Ata i grumbullojnë fëmijët nga Epiri ( Qeveria e atëhershme serbe, ngjashëm si ajo greke, pjesën jugore të Shqipërisë e njihte si “Epir” – Q.L.), dhe i dërgojnë për në Itali për shkollim pa pagesë; përgatiten të krijojnë në Epir ushtri nga shqiptarët; dërgojnë agjentë në mbarë Epirin për të krijuar çrregullime dhe të përgatisin kryengritje. Në agjitacionin e tyre, ata njëkohësisht veprojnë edhe kundër Esad Pashës dhe kundër nesh. Për ne flasin hapur si armikun më të madh. Përmes Myfit Beun, ish i deleguari i princit shqiptar, Vid në Romë, i cili tash qëndron në Gjirokastër, i cili punon së bashku me italianët, kanë arritur marrëveshje me përkrahësit e princ Vidit”. Duke e përshkruar disponimin e krerëve nacionalist shqiptarë nga Jugu i Shqipërisë, në qarkore thuhej: “Nacionalistët e Epirit, përkrahësit e princ Vidit, të cilët mbajnë lidhje me ata të Shqipërisë së Veriut, e shohin rrezikun italian, vetëm se e konsiderojnë si më pak të rrezikshëm se ai grek…Tashti italianët u flasin shqiptarëve të Epirit se punojnë në bashkimin e mbarë Shqipërisë, ndërsa e sulmojnë Esatin, si njeri i shitur i Serbisë dhe njeri, i cili Shqipërinë do ta ndaj në dy pjesë…Në këtë plan ata veprojnë edhe në përfitimin e aleatëve tanë sidomos tek francezët…”.
Tre ditë më vonë, përkatësisht më 19 tetor, Pashiqi me depeshe njoftonte diplomatin serb në Londër, Jovan Jovanoviq – Pizhon, për një informatë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë Serbe, sipas së cilës, “Mehmet Konica nga komanda gjermane në Athinë ka pranuar 40.000 frang”, për, siç thuhej, “organizimin e Komitetit shqiptar në Angli – Amerikë, kundër misionit të Esat Pashës”. Qeveria serbe në mënyrë kategorike kundërshtonte futjen e ushtrisë italiane në Korçë, si pikë e vetme ku “për momentin mund të vepronte Esat Pasha”, dhe nëse, siç thuhej në një dokument, “italianëve do t’u mundësohej hyrja në Korçë”, atëherë do të kërcënohej rreziku që ata një ditë, përderisa “tanët (serbët –Q.L.) luftojnë në Frontin e Manastirit, përmes Pogradecit ta pushtojnë hapësirën tonë (serbe – Q. L.) të vetme për në Shqipëri – Ohrin e Dibrën”, dhe në këtë mënyrë “ta pengojnë futjen e Esad Pashës dhe ushtrisë së tij në Shqipëri”. Në vazhdim të dokumentit thuhej: “me insistimin e Esad Pashës janë ndërmarrë masa që italianët të mos futen në Korçë dhe tash kemi marrë lajmin se Korçën e ka marrë ushtria franceze…”.
Orvatjet për aneksim të Shqipërisë së Jugut
Është me interes të vihet në dukje fakti se me pushtimin e Shqipërisë nga ushtritë e bllokut qendror, atdhetari i shquar shqiptar, Themistokli Gërmenji, së bashku me disa shokë, nga Sofja erdhi në Shqipëri dhe u vendos në afërsi të Korçës, fillimisht në Pogradec, që ndodhej në zonën e ushtrisë bullgare. Këtu ai krijoi çeta të armatosura, të cilat bashkëpunuan me çetat e formuara nga Sali Butka dhe që u përkrahën nga austro-hungarezët. Qëllimi i tyre i përbashkët ishte, të largonin pushtuesin grekë nga Shqipëria e Jugut dhe, duke shfrytëzuar kontradiktat e fuqive, të pengonin kështu orvatjet aneksuese të Qeverisë së Athinës. Me marrjen e Korçës nga ushtria franceze, rrethanat fillimisht nuk ndryshuan në të mirë të shqiptarëve, sepse francezët nuk e pranuan kërkesën e shqiptarëve që të largohen grekët dhe ngritjen e një administrate shqiptare. Ngjarjet e më vonshme luftarake, i bindën pushtuesit francez, se forcat shqiptare ishin të rëndësishme dhe se grekët, si të huaj në atë vend, nuk mund t’u hynin në punë. Kështu, më 10 dhjetor, 1916, koloneli Dekuan nënshkroi me përfaqësuesit e Korçës një protokoll, sipas të cilit, qyteti i Korçës me rrethet Bilisht, Kolonjë, Gorë dhe Opar, formon një krahinë “autonome”, e cila do të administrohej nga shqiptarët, nën mbrojtjen e autoriteteve ushtarake franceze. Shpallja e autonomisë me emrin “Republikë” u bë në një mbledhje solemne ku mbajtën fjalime nga Themistokli Gërmenji dhe koloneli Dekuan.
Po në atë kohë, autoritet serbe, në bashkëpunim të ngushtë me Esat Toptanin, zhvilluan një fushatë të gjerë në krahinat shqiptare që ishin nën pushtimin austro-hungarez e italian. Më 19 tetor 1916, Nikolla Pashiq, nga Korfuzi, u dërgoi të gjitha përfaqësive diplomatike serbe një pasqyrë të gjerë rreth siç do të shprehet “çështjes shqiptare”. Pashiqi, pasi e përshkruante situatën e përgjithshme politike e ushtarake në Shqipëri, ndalet në disponimin e nacionalistëve shqiptarë të jugut, të cilët, sipas tij, edhe pse ndaj tyre “ishin indiferent”, disa nga ata, më me zë, konsideroinin se Shqipëria nuk mund të ekzistoj si shtet i pavarur, dhe “pasi u mashtruan” nga austro-hungarezët e bullgarët, ata vlerësojnë se tash më së mirë është të “bashkëpunojnë me Serbinë”, përkatësisht të “pranojnë që Shqipëria të bëhet provincë autonome e Serbisë, me kusht që mos t’u vendosen kufijtë midis shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës e të Dibrës…”. Në vazhdim, ai ndalet në aktivitetin e nacionalistëve shqiptar të veriut, në krye me Aqif Pashë Elbasanin, Hasan Prishtinën, Ahmet Zogollin nga Mati dhe Bajram Currin, të cilët, siç pohon, kohë më parë kishin dërguar një përfaqësues të tyre deri te autoritetet qeveritare serbe në Korfuz, me kërkesa konkrete për bashkëpunim, të cilat gjithnjë sipas Pashiqit përfshinin tre pika:
“ – duke e konsideruar se Serbia, shteti i vetëm në Ballkan, e cila dëshiron Shqipërinë e pavarur, dhe duke e parë se janë të mashtruar nga austriakët, ata lusin Qeverinë Mbretërore të Serbisë që t’u ndihmoj për t’i tërhequr dhjetëra mira njerëz të tyre nga pjesa e pa pushtuar e Epirit, Çamëria, dhe t’i dërgojnë në Gjirokastër, nga ku në mënyrë të pavarur do të vepronin kundër Austro-Hungarisë, në kooperim me ushtrinë tonë (serbe-Q. L.) në Manastir, dhe me kryengritjen që ata do ta përgatisnin në Berat, Fier e deri në Shkumbin;
– të bashkëveprojmë për lejimin e shkuarjes së një njeriu të tyre në Zvicër, ku do të takohej me Bajram Currin dhe me komitetin e tyre kryesor, dhe ta rregullonte çështjen e kryengritjes në brendi të Shqipërisë dhe të vendoste lidhje me shqiptarët e Amerikës, tek të cilët më së shumti shpresojnë;
– deklarojnë se tash për tash nuk dëshirojnë ta ngrenë çështjen shqiptare, porse pasi të mundet armiku i përgjithshëm, Austro-Hungaria, dhe se për momentin dëshirojnë vetëm të ofrojnë Marrëveshje.
Sa i përket Esatit, të cilin e urrejnë tejmase për shkak se e ka shkatërruar Shqipërinë me vetë faktin se ka organizuar kryengritje kundër Vidit, dëshirojnë, më vonë, vetë ata të ballafaqohen”.
Lidhur me këtë, Pashiqi i njoftonte përfaqësitë diplomatike të qeverisë së tij, se Ministria e Punëve të Jashtme e Qeverisë Mbretërore të Serbisë, nuk pati mundësi t’i pranojë kërkesat e tyre për arsyet si më poshtë:
1. Për shkak se sulmi nga Gjirokastra, të cilën tash e mbajnë italianët, do të ishte në dobi vetëm për italianët të cilët do ta shfrytëzonin ta pushtojnë tërë Shqipërinë e Mesme, përderisa ushtria jonë lufton me armikun kryesor në Frontin e Selanikut;
2. Për shkak se këta njerëz, duke u futur në disponimin tonë, dëshirojnë që me ndihmën tonë të bëhen faktor të rëndësishëm politik, të cilët më vonë mund të zinin vend në trajtimin e çështjes shqiptare, ose këtë çështje ta tërheqin nga duart tona dhe t’ua besonin gjermanëve, sepse nuk ka asnjë dyshim se këtë çështje e kanë rregulluar me gjermanët.
3. Ministria nuk e lejoi përfaqësuesin e tyre të udhëtojë për Zvicër, pasi pati informata se me kë do të takohet. Nga ai kërkoi të vij njeriu i tyre në Korfuz nëse dëshirojnë të negociojnë, ose njeriu ynë të shkoj në Zvicër për të biseduar me ta.
4. Ministria do të pranonte të negociojë me nacionalistët shqiptarë për kalimin e njerëzve të tyre, me kusht që ata më parë t’i nënshtrohen Esad Pashës dhe ta njohin qeverinë e tij, i cili në tërësi e ka pranuar Marrëveshjen, dhe e cila tash më ka një politikë të caktuar për Serbinë, dhe se kjo fuqi e tyre të mos shkoj në Gjirokastër, por t’i bashkohet ushtrisë së Esad Pashës në Frontin e Selanikut nën komandën e tij. Në të kundërtën, kjo fuqi e tyre në Gjirokastër, së bashku me atë që e presin nga Amerika si dhe me ata që do t’iu bashkëngjiten nga Shqipëria, më vonë do të ishte shumë e rrezikshme për ne. Sepse, dyshimi ynë është se ata do të jenë më të fuqishëm se Esati, nëse u mundësohet t’i bashkojnë forcat”.
Gjithnjë në mbështetje të burimeve diplomatike serbe, kuptojmë se kah mesi i tetorit të vitit 1916, Mehmet bej Konica, së bashku me pesë shokë të tij udhëtoi për Zvicër, me qëllim të bëj organizimin e komitetit të atjeshëm shqiptar, për ta demaskuar politikën antishqiptare serbe të Esat Toptanit, si dhe në “Kongresin e Paqes të mbrojë interesat e shqiptarëve të Amerikës…”, numri i të cilëve shkonte deri në 60 mijë.
Marrëdhëniet italiano-serbe
Në anën tjetër, autoritetet ushtarake italiane, me qëllim të përfitimit të popullsisë shqiptare në njërën anë, si dhe për ta demaskuar politikën serbe e të Esat Toptanit, në pranverën e vitit 1917 zhvilluan një fshatë të gjerë në zonat shqiptare që kontrolloheshin nga ata. Lidhur me këtë, më 8 mars të vitit 1917, Nikolla Pashiqi, përmes një qarkore, njoftonte përfaqësitë diplomatike serbe se: “Italianët në mbarë hapësirën e Shqipërisë së pushtuar si dhe në Epir ,e kanë ngritur flamurin e Vidit”. Ngritja e flamurit në mënyrë solemne ishte bërë sidomos në Gjirokastër, në prezencë të qytetarëve shqiptarë, personaliteteve të shquara, ushtrisë, një gjenerali italian dhe drejtuesit të policisë, Myfit Beut. Fjalë rasti, siç thuhet në vazhdim të qarkores, “mbajti gjenerali” i cili ishte shprehur se Italia do ta “mbrojë parimin kombëtar dhe do të ndihmojë në bashkimin dhe pavarësimin e Shqipërisë” si dhe “do t’i dënojë ata shqiptarë të cilët në marrëveshje me disa vende të huaja punojnë për interesat e tyre personale…”.
Marrëdhëniet diplomatike midis qeverisë serbe e asaj italiane u përkeqësuan skajshmërisht, sidomos pas 21 majit të vitit 1917, kur gjenerali italian Mario, i cili komandonte me njësitë ushtarake në Korfuz, ftoi autoritet shqiptare dhe ua lexoi proklamatën e botuar në gazetën zyrtare, me të cilën “Gjirokastra shpallet e lirë”, mirëpo njëkohësisht “futet nën protektoratin e mbretit italian…”. Ngashëm sikurse kolegu i tij në Gjirokastër, edhe Mario të pranishmëve u kishte deklaruar se: “Italia së bashku me aleatët lufton për parimin e kombësive dhe se ajo do ta çliroj edhe kombin shqiptarë”. Për rrjedhojë, Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë, më 6 qershor të atij viti, përmes një Note, u drejtohet shteteve të Antantës si dhe SHBA-ve, përmbajtja e së cilës ishte si më poshtë:
“Një kohë të gjatë deri te ne arrijnë zëra se pushtetarët italian në Shqipëri po përgatisin diçka që nuk kemi dashur t’u besojmë. Mirëpo, me Proklamatën e 21 majit, nga ana e gjeneralit Ferera, me të cilën, me urdhër të Qeverisë italiane, shpalli protektoratin ndaj Shqipërisë, u dëshmuan si të sakta. Qeveria e Serbisë përkundër dëshirës më të mirë për t’iu shmangur çdo akti i cili do ta fuste nën hije pajtueshmërinë e aleatëve, edhe përkundër dëshirës së madhe për të pasur marrëdhënie sa më të mira me Italinë, është e detyruar të deklarojë se do ta ruajë të drejtën e Serbisë në kërkesat që asaj ia sigurojnë interesat jetike, të cilat do të ishin në harmoni me konkluzionet e Konferencës Ndërkombëtare në Londër, e cila Shqipërisë ia garanton autonominë dhe përjashton çdo lloj protektorati nga cili do shtet evropian.”.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme në Korfuz, njoftonte legatën e saj në Londër për një Promemorie që një delegacion i shqiptarëve të Çamërisë, ia kishin dorëzuar shefit të misionit ushtarak italian në Korfuz, Mario, në të cilën “shprehej vullneti i popullsisë çame, që Çamëria t’i bashkohet Shqipërisë autonome nën mbrojtjen e italianëve”. Kopje të kësaj Promemorie, i ishte dorëzuar edhe përfaqësuesit diplomatik italian të atjeshëm, z. Sfrorc. Më tej, në njoftim vihej në dukje se italianët kanë formuar një delegacion nga shqiptarët më me zë nga “Epiri Verior e Jugor”, me detyrë “të udhëtoj në Romë dhe Qeverisë italiane drejtpërsëdrejti t’ia paraqes situatën në Epir” si dhe “në emër të popullsisë së atjeshme” të shprehë falënderimet dhe dëshirën “që pjesa e tyre t’i bashkëngjitet Shtetit Shqiptar nën mbrojtjen e Italisë…”. Delegacionit do t’i prinin Myfit bej Libohova dhe Xhemal bej Vlora.
Në fund të qershorit, kryeministri grek, Venizellos, i kërkoi Parisit ndryshimin e situatës në Korçë, suprimimin e administratës shqiptare dhe kalimin përfundimtar të krahinës së Korçës në duart e autoriteteve greke. Menjëherë pas kësaj, autoritetet franceze ndërmorën masa ndëshkuese ndaj krerëve shqiptar të Korçës, duke e burgosur udhëheqësin e tyre, Themistokli Gërmenjin, i cili më vonë edhe u pushkatua. Rrethanat e krijuara në krahinën e Korçës, ishin shkas që Italia të kërkojë nga Franca si dhe nga shtetet aleate, që në atë krahinë të futet ushtria e saj. Një informatë e tillë, autoriteteve qeveritare serbe, u erdhi përmes gjeneralit francez, Serai, i cili në pjesën e parë të tetorit i njoftoi se “Qeveria e Francës kishte pranuar kërkesën e Qeverisë italiane, që ushtria e saj të futet në Korçë e Pogradec”. Serai, megjithatë konsideronte se Qeveria serbe e ajo greke, duhet ta kundërshtonin “në mënyrë më energjike dhe se me këtë ndoshta mund të ndryshohet ky vendim”. Menjëherë pas kësaj informate, Nikolla Pashiq, përmes një shkrese urdhëronte përfaqësuesin diplomatik të qeverisë së tij në Paris, Vasiq, që t’i ndërmerr të gjitha masat e duhura, të cilat do ta pengonin futjen e ushtrisë italiane në zonën e Korçës. Më tej, Pashiq shkruante: “Konsideroj se me lejimin që Italia ta pushtojë Korçën e Pogradecin, janë shkelur interesat tona jetike dhe mund të ketë pasoja të paparashikuara. Nuk është pritur që aleatët tanë t’ia mundësojnë Italisë për ta pushtuar Shqipërinë e të nxisë rezistencë në mbrojtjen e kombeve ballkanike jo vetëm nga armiku, por edhe nga ato plane të Italisë, e cila dëshiron ta shfrytëzoj këtë gjendje të rëndë dhe Shqipërinë vërtetë ta fus nën protektoratin e saj. Nëse ushtria jonë lufton nuk jemi fajtor, sepse i kemi thënë asaj se serbët e grekët mendojnë se duhet të rikthehen ndjenjat dhe interesat e tyre jetësore. Futja e Italisë humbë solidaritetin e aleancës edhe atë jo për shkaqe reale, por vetëm për aspirata imperialiste të Italisë ta pushtoj Shqipërinë dhe me këmbë të fortë të qëndroj në Ballkan”.
Ndërkohë, burimet diplomatike serbe njoftonin edhe për një fushatë të gjerë të Qeverisë austro-hungareze si brenda hapësirës shqiptare, po ashtu edhe jashtë saj, me qëllim, siç thuhej, “përfitimit te krerët shqiptarë për qëllimet e veta strategjike…”. Gjithnjë sipas burimeve të njëjta, me nismën e gjeneral Kovesit, guvernatorit ushtarak austriak në Shqipëri, shqiptarët kishin formuar një delegacion nga paria shqiptare, në përbërje: Aziz Pashë Vrioni nga Berati, Fejzi Alizoti nga Gjirokastra, Dervish Hima nga Elbasani, dy katolikë nga Shkodra, Riza bej Shkodra, Sali bej Vrioni nga Berati dhe dy shqiptarë ortodoks nga qarku i Korçës, të cilët “kishin udhëtuar në Vjenë”, me detyrë, siç vihet në pah, “në emër të kombit shqiptar Qeverisë austro-hungareze t’i shprehin “falënderimet dhe lojalitetin”, si dhe “të shprehin dëshirën e fuqishme të kombit shqiptar që edhe pas luftës të ngelet shtet autonom nën mbrojtjen e Austro-Hungarisë…” Delegacionin e kishte pranuar “përfaqësuesi i oborrit austro-hungarez” Sureja bej Vlora”, i cili më pas “e prezanton para qeverisë dhe mbretit…”.
Fushata austro-hungareze, sipas Qeverisë serbe, më së shumti ishte përqendruar në Zvicër, ku shqiptarët kishin themeluar dy komitetet e tyre: “Komiteti Nacionalist Shqiptar”, me qendër në Llozanë dhe “Komiteti Konservator Shqiptar”, me qendër në Gjenevë. Komiteti Nacionalist Shqiptarë pati organin e vet, “Liria”, që botohej në gjuhën shqipe e frënge, ndërsa ndër personalitet e tij drejtuese shquheshin: Neshat Pashë Vlora, Doktor Tortuli, Omer Pasha Vrioni, Turhan Pasha e të tjerë. Komiteti i dytë përbëhej nga shqiptarët e Veriut, i cili gjithashtu kishte organin e vet informativ. Dy komitetet në fjalë kishin dërguar një “Manifest të fshehtë”, përmes së cilit ftonin të gjithë shqiptarët jashtë atdheut, që t’i bashkojnë forcat, për ta ndihmuar Lëvizjen Kombëtare, për “krijimin e Shqipërisë autonome” nën protektoratin austro-hungarez, si kusht i vetëm “për shpëtimin tonë”. Më tej, në Manifest thuhej se Serbia e Greqia vetëm deklarativisht “shprehen për Shqipëri të pavarur”, e në realitet “kanë aspirata në Shqipërinë Veriore me Durrësin njëra, ndërsa tjetra tërë Shqipërinë e Jugut”. Në fund të Manifestit thuhej: “Komitetet gjithnjë do të ofrojnë instruksionet e duhura për mënyrën e punës dhe qëndrimin e shqiptarëv”.
Komitetet
Po i njëjti burim vinte në dukje se komitetet shqiptare përmes letrave mbanin lidhje edhe me shqiptarët e zonave që kontrolloheshin nga forcat e Antantës, duke shtuar se “para pak kohësh ata kanë dërguar për Greqi dy vetë, ku njëri prej tyre përmes Korfuzit ka shkuar në Korçë”. Përveç këtyre dy komiteteve, thuhej më tej në njoftim, shqiptarët kishin edhe një komitet të tretë me qendër në Gjenevë. Në fakt, i njëjti, siç vihet në pah, ishte “Nënkomiteti i Komitetit Amerikano-Shqiptar – Vatra”, me qendër në Boston. Përfaqësues i këtij komiteti në Angli e Zvicër ishte Mehmet bej Konica, i cili deri para pak kohësh nga Anglia ishte vendosur në Gjenevë. Komiteti në fjalë mbante lidhje me Komitetin Ballkanik në Londër, prandaj qarqet diplomatike serbe ishin të bindur, se “ndikimi i tij deri te qeveria angleze” ishte i padiskutueshëm. Madje, ata konsideronin se ka mundësi, që krahas fakteve tjera politike, që e kishin përcaktuar Anglinë të mos e njoh Esad Pashën për udhëheqës të Qeverisë shqiptare, “deri diku ka ndikuar edhe Komiteti Amerikano-Shqiptar”. Qëllimi i tre komiteteve, sipas dokumentit në fjalë, ishte që ata “të kenë përfaqësuesin e tyre në Konferencën e Paqes, të cilët do ta përfaqësonin Shqipërinë. Dy të parët mbronin parimin e Shqipërisë Autonome nën protektoratin e Austro-Hungarisë, ndërsa i treti, ai amerikan, në bazë të parimit të së drejtës së vetëvendosjes të kombeve do të kërkojë Shqipëri plotësisht të pavarur…”. Në fund dokumenti vinte në dukje se në linjë të njëjtë sikurse austriakët, veprojnë edhe italianët, të cilët kohë më parë në Gjenevë kishin formuar një komitet shqiptar, i cili përbëhej nga shqiptarët e Jugut dhe i cili udhëhiqet nga Xhevat beu, ish konsullit turk në Vrajë. Në prill të vitit 1918, sektori shqiptar pranë Ministrisë për Punë të Jashtme të Serbisë, njoftonte Legatën Serbe në Londër, për, siç thuhej, “rolin e Dr. Turtulit”, i cili nga Komiteti shqiptar “Vatra” në Boston, kishte marrë 40.000 dollarë për mirëmbajtjen e Komitetit shqiptar në Llozanë, si dhe për zgjedhjen e Ismail Qemel beut, ish kryeministrin shqiptar, për kryetar të komitetit. Më tej vihej në pah se:” dy vëllezërit Konica, Mehmet beu dhe Faik Beu, janë të besuarit austriak. Dr. Tortuli është korçar, tërësisht i dhënë pas Vidit. Sa i përket Ismail Qemalit, për ministrinë është mjaft i njohur nga raportet e mëhershme. Ismail Qemali gjithmonë ka qenë në krizë ekonomike..”.
Në prag të mbarimit të Luftës Botërore, Qeveria italiane urdhëroi komandën ushtarake në Shqipëri që njësitë ushtarake të vendosen në Vlorë. Një urdhëresë e tillë, Beogradi zyrtar e konsideroi si një hap kundër interesave strategjike serbe. Diplomati serb në Paris, Vesniq, më 20 shtator i telegrafonte Pashiqit se një hap të tillë italianët e kishin ndërmarrë, me qëllim që të “përfshihet në Shqipëri kur austriakët të tërhiqen” nga njëra anë, si dhe “për shkak të frikës që ushtria serbe të mos futet në Durrës”. Në vazhdim Vesniq shton: “Qeveria ka vendosur që në Gjirokastër të formoj një Qeveri Shqiptare, kryetar i së cilës do të ishte Dr. Turtuli, kryetar i Komitetit shqiptar të Epirit në Llozanë”. Një ditë më vonë, Nikolla Pashiq, urdhëronte Vesniqin, që Esat Pasha, i cili asaj kohe si duket qëndronte në Paris, urgjentisht të kthehet prapa, për shkak, siç pohonte, “orientimit tonë për çështjen shqiptare”, si dhe në rast se Italia nuk ishte tërhequr nga qëllimet e mëhershme, atëherë do të duhej “sa më parë të ndërmerren masa që Shqipërinë ta pushtojnë trupat e përziera aleate…”.
Si rrjedhojë e kundërthënieve që asaj kohe u krijuan midis interesave italiane në njërën anë, si dhe atyre greke e serbe në anën tjetër, krahina e Korçës ngeli deri në fund të luftës nën administrimin e trupave franceze, Italia pushtoi tërë Shqipërinë e Mesme dhe një pjesë të madhe të saj në veri, ndërsa me iniciativën e francezëve, trupave serbe iu dha mundësia të shtinin në dorë një pjesë shtesë në verilindje të Shqipërisë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.