1 milion shishe plastike blihen në të gjithë botën, çdo minutë dhe kjo shifër do të rritet me 20% deri në vitin 2021, duke krijuar një krizë ambientale që mbase do të jetë më serioze se ndryshimet klimaterike. Shifrat publikohen nga gazeta britanike The Guardian, e cila shkruan se më shumë se gjysmë trilioni shishe plastike, do të shiten çdo vit deri në fund të dekadës. Kjo kërkesë, e barazvlefshme me 20.000 shishe të shitura në sekondë, duket se shtyhet nga dëshira për ujë në shishe dhe sidomos nga kultura perëndimore e konsumimit të tij në lëvizje, diçka që po kopjohet kudo. Në vitin 2016 u shitën 480 miliardë shishe plastike në botë, shifër që në 2021-in parashikohet të rritet në 583 miliardë. Shumica e shisheve plastike janë të riciklueshme, por ndërsa përdorimi i tyre rritet ndjeshëm, përpjekjet për t’i grumbulluar dhe ricikluar që të mos ndotin tokën dhe oqeanet, po dështojnë bindshëm. Më pak se gjysma e shisheve plastike të blera në vitin 2016, u mblodhën për riciklim dhe vetëm 7% e atyre të mbledhura, u shndërruan në shishe të reja. Fatkeqësisht, shumica e shisheve plastike përfundojnë në vendgrumbullime dhe oqeane. Nga 5 deri në 13 milionë tonë plastikë përfundojnë në oqeane çdo vit dhe këto mbeturina gëlltiten nga zogjtë, peshqit dhe organizma të tjerë. Sipas një studimi nga fondacioni “Ellen McArthur”, në vitin 2050, pesha e plastikës në oqeane do të jetë më e madhe se ajo e peshqve.