Reforma institucionale siç është forcimi i shtetit të së drejtës dhe kontrolli i korrupsionit janë thelbësore për të forcuar perspektivat e rritjes ekonomike dhe rritjen e të ardhurave. Përpjekje të tilla janë gjithashtu të rëndësishme për të zvogëluar informalitetin
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 1 shkurt – Pushteti të mos i harrojë reformat, të shtrëngohen financat publike , kontroll më i madh ndaj korrupsionit si dhe përmirësim i punës së administratës. Këtë e thekson ndër të tjerash Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e tij të fundit kushtuar ekonomisë së Maqedonisë së Veriut dhe sfidave dhe problemeve të saja.
Krahas rritjes së pagave dhe pensioneve, dhe ngrirjes së tatimit progresiv prej 18 në 10 për qind, nga FMN theksojnë se nevojitet të përmirësohet pagesa e tatimeve sidomos lidhur me TVSH-në si dhe të ulen subvencionet bujqësore. “Reforma institucionale siç është forcimi i shtetit të së drejtës dhe kontrolli i korrupsionit janë thelbësore për të forcuar perspektivat e rritjes ekonomike dhe rritjen e të ardhurave. Përpjekje të tilla janë gjithashtu të rëndësishme për të zvogëluar informalitetin, së bashku me masat për të forcuar mbledhjen e të ardhurave dhe luftimin e shmangies së tatimeve “, theksojnë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, shkruan gazeta KOHA.
Rritja e pagës minimale nuk do të ulë varfërinë dhe nuk është në pajtueshmëri me produktivitetin e ulët. Nga FMN theksojnë se paga neto minimale është rritur për 44 për qind nga viti 2017, ndërsa rritja e produktivitetit është e ulët. “Vlerësohet se paga minimale arrin 53 për qind të pagës mesatare në vitin 2020, dhe është e lartë sipas standardeve rajonale. Kjo rritje ndoshta nuk është efektive në uljen e varfërisë së përgjithshme dhe mund të ketë efekte negative në punësimin formal dhe konkurrencën e ekonomisë”, shtojnë nga FMN.
Rekomandohet që pushteti të mbetet në rrugën e reformave, ndërsa kjo periudhë e rritjes solide duhet të shfrytëzohet për konsolidimin fiskal apo shtrëngimin e harxhimit të parave të buxhetit dhe rinovimin e hapësirës fiskale apo lënies vend për hyrje të reja në borxh në rast të krizave eventuale në nivel evropian apo botëror. “Konsolidimi do të kërkojë realizimin stabil të reformave të miratuara të pensioneve dhe tatimit personal në të ardhura, përforcimin e administrimit të të ardhurave dhe racionalizimin e subvencioneve bujqësore. Këto masa do të ofrojnë hapësirë në buxhet për rritjen e harxhimeve kapitale dhe uljen e hendekut në investime. Kjo duhet të mbështetet edhe me menaxhimin e përforcuar me investimet publike”, rekomandon FMN.
Lidhur me racionalizimin e subvencioneve bujqësore theksohet se analizat kanë konstatuar se subvencionet bujqësore nuk kanë përmirësuar ndjeshëm efikasitetin ose kanë ulur varfërinë .Vlerësohet se ulja e subvencioneve bujqësore drejt mesatares së BE-së mund të sigurojë kursime fiskale prej rreth 0.4 për qind të PBB-së, apo afër 40 milion euro. Sugjerohet edhe ndërtimi i bazës më të gjerë të të ardhurave në arkën e shtetit. Në këtë drejtim nevojitet përmirësim i administratës tatimore, zvogëlimi i ekonomisë informale si dhe rritja e bazës së të ardhurave. Kjo duhet të kombinohet me masat për të adresuar boshllëqet e politikave, veçanërisht duke zvogëluar trajtimet preferenciale në TVSH dhe vendosjen e një tatimi mbi pasurinë me bazë më të gjerë. Sugjerohet edhe rritja e shpenzimeve kapitale dhe përmirësimi i cilësisë së tyre. Duke marrë parasysh se Maqedonisë së Veriut ka nevojë të madhe për investime, qeveria duhet të ri-orientojë shpenzimet publike drejt investimeve. Kjo duhet të mbështetet nga masat për të forcuar kornizën e menaxhimit të investimeve publike, duke përfshirë edhe dhënien përparësi të projekteve të ndryshme si dhe tejkalimin e hendeqeve që pengojnë realizimin e projekteve të planifikuara. Përpjekjet e reformave mund të ndihmojnë gjithashtu në tërheqjen e investimeve të huaja në sektorë me vlerë të lartë shtuar. Përvoja e shteteve të reja anëtare të BE-së tregon se hyrjet e Investimeve të huaja , të mbështetura nga stimujt financiar,fuqisë së aftë punëtore me kosto të ulët dhe një mjedis të parashikueshëm biznesi, mund të veprojnë si një spirancë e fortë për rritjen e eksporteve dhe ndaj të ardhurave më të larta.
Aktualisht duke marrë parasysh se disa ndërmarrje në Zonat Teknologjike Industriale janë afër kapaciteteve dhe kanë problem me fuqinë punëtore , mbetet sfidë kryesore tërheqja e investimeve të huaja me vlerë më të lartë. Kjo kërkon zgjidhje më me vendosmëri edhe të dobësive në tregun e punës. (koha.mk)