Shkup, 20 korrik – Tekst të ri të ligjit për Prokurorinë Publike, me të cilin propozohet Prokuroria Speciale Publike të integrohet në Prokurorinë Publike ekzistuese për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ishte prezantuar dje nga ana e kryeministrit Zoran Zaev në konferencë për shtyp në Qeveri.
Kryeministri Zaev paralajmëroi se javën e ardhshme në Kuvend do të propozohet teksti i ri i ligjit për Prokurori Publike, me të cilin janë ndërtuar ato pika me të cilat është biseduar me opozitën dhe të gjitha grupet e deputetëve të cilat janë të pranueshme për të gjithë, nëse jo për numrin më të madh të deputetëve.
Me zgjidhjen ligjore parashikohet PSP-ja e re të shndërrohet në PP për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë me kompetencë në tërë territorin e vendit dhe garancione për veprim të pavarur, e cila përshtatet me pozitën e tanishme, ndërsa megjithatë në hierarkinë dhe vartësinë e Prokurorisë Publike të Republikës të Maqedonisë së Veriut. Në ballë të PSP-së është propozuar Villma Ruskoska, e cila për momentin e udhëheq Prokurorinë Publike për krim të organizuar dhe korrupsion.
Të gjithë prokurorët e PSP-së do të vazhdojnë të punojnë në këtë prokurori të re. Mandati i tyre skadon më 15 shtator, ndërsa ata kanë të drejtë të rizgjedhjes, nëse duan të kandidohen.
“Në shtëpinë ligjdhënëse, në shtëpinë e demokracisë do të hapim dialog me të gjitha partitë politike dhe grupet e deputetëve në Kuvend, ku është vendi. Teksti që do të propozohet i ndërton ato pika për të cilat deri tani kemi biseduar me opozitën dhe me të gjitha grupet tjera të deputetëve dhe me të vërtetë ishin kërkesa të opozitës”, tha Zaev.
Në këtë mënyrë, thotë kryeministri, do të sigurohet struktura e deritanishme dhe resurset e PSP-së në formë të re dhe pa çfarëdo lloj mundësie që politikanët të vendosin për përbërjen dhe udhëheqësinë. Ato vendime do t’i sjellë Këshilli për prokurorë publik.
Të gjitha rastet të cilat janë para gjykatave, ndërsa janë në kompetencë të PSP-së do t’i përfaqësojë prokuroria e re në fazën në të cilën janë ndërprerë. Të punësuarit tjerë në PSP, arkiva, hetuesit, materialet, mjetet, pajisja kalojnë në prokurorinë e re.
Vlera e mjeteve për punë në PP për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë do të rregullohet në propozim-buxhetin dhe planin financiar të shefit të këtij institucioni, i cili pastaj dorëzohet në Ministrinë e Financave, ndërsa Qeveria dhe Kuvendi nuk do të mund ta ndërrojnë planin financiar të propozuar dhe detyrohen të sigurojnë mjete financiare për punë të pandërprerë.
“Prejse Katica Janeva e ka deponuar dorëheqjen e saj dhe sot e propozojmë këtë tekst. Nuk shohim zgjedhje nga opozita të shmangë biseda dhe marrëveshje për këtë çështje, përveç nëse nuk ka për qëllim edhe më tutje t’i shkaktojë dëm shtetit dhe të mbrojë ndonjë krim”, tha Zaev.
Konferenca për shtyp u mbajt pas anulimit të takimit të liderëve ku duhej të të bisedohet pikërisht për ligjin për Prokurorinë Publike, regjistrimin dhe ndryshimet në Kodon Zgjedhor, me mundësi të diskutohet edhe për çështje të tjera.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski refuzoi të vijë në takimin e liderëve me arsyetim se do të merrte pjesë vetëm nëse bisedohet për zgjedhjet të parakohshme parlamentare.
Zaevi theksoi se takimi i liderëve është anuluar, sepse nuk janë krijuar kushtet për takimin.
Ndërkohë, paralelisht me konferencë për shtyp të kryeministrit Zaev është mbajtur takim i njerëzve të parë të VMRO-DPMNE-së dhe Besës Hristijan Mockovski dhe Biall Kasami. Pas takimit të dyja partitë kanë dalë me kumtesë me qëndrim të harmonizuar se Qeveria aktuale nuk ka kapacitet t’i zbatojë reformat për proceset eurointegruese dhe se për këtë nevojitet organizim i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. (koha.mk)