Shkup, 30 korrik – Pushteti paralajmëron se nuk do të ketë prolongim të regjistrimit të popullsisë në vend që duhet të mbahet vitin e ardhshëm, për të cilin zgjidhja ligjore tashmë është në procedurë parlamentare. Regjistrimi, siç tha kryeministri Zoran Zaev, duhet doemos të mbahet vitin e ardhshëm, ndërsa do të realizohet sipas standardeve të Eurostat-it. Nga ana tjetër, opozita nuk e pranoi zgjidhjen e propozuar për regjistrimin, duke vlerësuar se është e dëmshme dhe joevropiane, si dhe nuk i plotëson kriteret e KB-ve për realizimin e regjistrimit të popullsisë. Pas qëndrimeve të këtilla kundërshtuese, edhe seanca e komisionit parlamentar në të cilin duhej të diskutohet për projektligjin, u ndërpre për konsultime shtesë, ndërsa u paralajmëruan bisedime për harmonizimin e qëndrimeve të pushtetit dhe opozitës, transmeton Koha.mk
“Përfundimisht nuk pranoj prolongimin e regjistrimit për vitin 2021”, tha kryeministri Zoran Zaev lidhur me takimet e paralajmëruara me opozitën gjatë kësaj jave në të cilat do të bisedohet për Ligjin për regjistrimin.
Ai theksoi se standardet e EUROSTAT-it do të zbatohen edhe te ne, ashtu si edhe në gjithë botën.
“Një amvisëri që hyn në regjistrim është secila që jeton këtu ose është shpërngulur jashtë shtetit jo më gjatë se një vit. Për secilin që është jashtë shtetit më shumë se një vit, regjistrohet por nuk hyn në amvisëritë, ndërsa do të regjistrohet si diasporë, si familje apo qytetar që jeton jashtë shtetit”, sqaroi Zaevi.
Ai shtoi se në dy vitet e fundit i marrinë të dhënat nga MPB-ja dhe dihet në çdo moment se cili qytetar është më shumë se dy vjet jashtë shtetit.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Vllatko Gjorçev në seancën e komisionit kërkoi tërheqjen e propozim-ligjit për regjistrim. Propozimin e vlerësoi të dëmshëm dhe jo-evropian, që nuk i plotëson kriteret e KB-ve për zbatimin e regjistrimit të popullsisë.
“Absolutisht është prioritet të kemi regjistrim në Republikën e Maqedonisë sipas kritereve të Eurostat-it, BE-së dhe KB-ve. Ky ligj i propozuar kështu nga pushteti i Zoran Zaevit dhe Entit të tij për Statistikë, në të cilin nuk kemi fare besim, nuk është absolutisht në këtë linjë. Ligji duhet të tërhiqet për të parë se çfarë dhe si të veprohet më tutje sepse qytetarët janë të pakënaqur masivisht nga propozim-ligji për regjistrimin e popullsisë”, tha Gjorçevi.
Ndonëse propozimi nuk u tërhoq nga rendi i ditës i Komisionit parlamentar për çështje evropiane, kryetari i tij Artan Grubi ndërpreu punën për këtë pikë për shkak të nevojës për harmonizime shtesë mes partive politike në lidhje me këtë propozim-ligj.
“Ky është tentimi i dytë se si jam duke tentuar që Ligjin për regjistrimin e popullsisë në vitin 2020 ta vendosi në seancë të Komisionit për çështje evropiane, por që të dyja tentime me kërkesë të dy partive më të mëdha parlamentare, LSDM dhe VMRO-DPMNE, prolongohet debati për këtë ligj për shkak të nevojës për konsultime shtesë dhe afrimit të qëndrimeve lidhur me propozim-tekstin e ligjit. Prandaj sot e hapën seancën, përcaktuam rendin e ditës me atë pikë dhe e ndërpreva seancën për të krijuar hapësirë për harmonizim mes partive politike në bazë të propozim-tekstit”, tha Grubi.
Ai thotë se BDI-ja nuk ka asnjë problem lidhur me këtë tekst, madje as ai si kryetar i Komisionit për çështje evropiane.
“Konsiderojmë se ky propozim-ligj është i pranueshëm dhe për këtë arsye i dhamë mbështetje në Qeveri dhe do ta mbështesim në Kuvend. Do të shohim se për cilat qëndrime do të harmonizohen LSDM-jadhe VMRO-DPMNE-ja, e më pas do t’i japim qëndrimet tona në bazë të vërejtjeve të tyre. Unë nuk kam parë kurrfarë vërejtjesh nga VMRO-DPMNE-ja, as nga LSDM-ja dhe konsideroj se në aspektin e koalicionit mbetet në këtë propozim-tekst, i cili gjithashtu është i pranueshëm edhe për BE-në”, tha Grubi.
Ai theksoi se BDI-ja është e hapur për debat dhe shpreson që ligji të miratohet me kohë që regjistrimi të realizohet në prill të vitit 2020. (koha.mk)