Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë në raportin për nivelin e lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve në vitin 2016, që u publikua të enjten, konstaton se gjendja e lirisë së mediave gjatë vitit të kaluar është përkeqësuar në të gjithë indikatorët e hulumtimit, siç është legjislativa mediatike dhe zbatimi i saj, gjendja e përgjithshme profesionale, ekonomike dhe sociale e gazetarëve si dhe siguria e tyre. “Nga të dhënat e marra mund të konstatohet lehtë se Qeveria i përdorë të gjitha instrumentet e pushtetit të kufizojë lirinë e shprehjes dhe të kontrollojë mediat. Ajo përdor politikën e ‘shkopit dhe karotës’ ndaj mediave. Mediat e dëgjueshme i shpërblen me para publike, ndërsa gazetarët që e kritikojnë vazhdimisht i sulmon dhe janë të ekspozuar presioneve të ndryshme. Përkundër moratoriumit formal për reklama qeveritare nga maji i vitit 2015, institucionet publike me arsyetime të ndryshme vazhdojnë të shpenzojnë shuma serioze parash në media”, thonë nga SHGM. Sipas SHGM-së, aty ku nuk funksionojnë paratë për të kontrolluar median, pushteti shfrytëzon forcë për të heshtur gazetarët. “Sipas të dhënave tona në katër vitet e fundit, janë sulmuar mbi 40 gazetarë, nga të cilët rreth gjysma e sulmeve kanë ndodhur në vitin 2016. Kishim gazetarë të përndjekur, një të dënuar me burg, ndërsa një tjetër më shumë se një vit është në paraburgim si i dyshuar për akuza të pabaza. Ky fakt dëshmon qartë për eskalimin dramatik të dhunës ndaj gazetarëve. Në Maqedoni ekziston politikë e qartë e mosndëshkimit të dhunës ndaj gazetarëve. Bindshëm numri më i madh i incidenteve nuk janë zbardhur, ndërsa asnjë dhunues nuk është dënuar”, thotë kryetari I SHGM-së Naser Selmani. Pushteti në vitin 2016 lëshoi shansin të bëjë reforma serioze në legjislacionin mediatik dhe kështu të eliminojë vërejtjet kryesore të SHGM-së dhe faktorit ndërkombëtar për të siguruar autonominë institucionale të Radio televizionit të Maqedonisë dhe pavarësinë e rregullatorit mediatik. “Në vend të reformave të vërteta, partitë bënë ndryshime kozmetike të ligjeve, të cilat nuk përmirësuan ndjeshëm gjendjen e mediave. Asnjë procedurë nga Komisioni Ad Hoc ndaj mediave për raportim jo të balancuar gjatë kohës së fushatës zgjedhore, nuk është proceduar nga organet gjyqësore. Prokuroria dhe gjykatat nuk kanë arritur të ndërtojn sistem efikas për sanksionimin e gjuhës së urrejtjes në media. Të dhënat nga raporti dëshmojnë edhe për përkeqësimin e pozicionit profesional, ekonomik dhe social të gazetarëve. Pagat e tyre po zvogëlohen, vendet e punës janë të pasigurta, ndërsa presionet nga redaktorët, menaxherët dhe pronarët e mediave po shtohen. Aspekti i vetëm pozitiv në këtë raport është përmirësimi i praktikës gjyqësore për paditë për shpifje dhe ofendim kundër gazetarëve. Pozitiv është fakti që numri i padive po ulet, ndërsa gjykatësit, me përjashtime të vogla, kanë filluar të zbatojnë seriozisht praktikën e Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut nga Strasburgu. Për dallim nga viti 2012, kur kishte mbi 320 padi për shpifje ndaj gazetarëve, vitin e kaluar ky numër ka rënë nën 50. Shpresojmë se Qeveria e re do të tregojë vullnet të mirëfillte politik për zbatimin e reformave serioze në media, në pajtueshmëri me kërkesat e Bashkimit Evropian dhe bashkësisë së gazetarëve. Sfida e parë e këtij pushteti do të jetë ndalimi i sulmeve ndaj gazetarëve duke vendosur një sistem efikas të zbulimit dhe ndëshkimit të dhunuesve. Përveç asaj, Qeveria duhet patjetër të ndalojë të ndërhyjë në tregun mediatik me para publike, me qëllim të korruptojë dhe kontrollojë median. Autonomia institucionale e Radio televizionit të Maqedonisë dhe pavarësia e rregullatorit mediatik duhet patjetër të sigurohen”, thuhet në raportin e SHGM-së për lirinë e mediave në vitin 2016.