Nëse demokracia do të thotë “Fjala e Popullit” apo “Pushtetit i Popullit”, të gjithë jemi të vetëdijshëm që në shumicën e demokracive kjo fjalë është shndërruar në “grep” sa për të peshkuar pushtetin, dhe më pas pushteti shndërrohet për pushtetarin në një lloj llambe magjike ku vetëm shprehen dëshirat dhe ato realizohen me magji, ndërkohë që populli duke parë këtë film – varfërohet çdo ditë… Zhelenski është një sensacion në shpresën tek Pushteti!
Nga Dr.Arben TARAVARI
Një nga fitoret më interesante politike ka qenë ajo e zgjedhjeve presidenciale të ukrainasit Vladimir Zhelenskit. Ky zotëri i cili para se t’i futej politikës ishte i njohur si një nga komedianët më të famshëm jo vetëm të Ukrainës por të gjithë ish-Bashkimit Sovjetik.
41 vjeçari Zhelenski u shpall President i Ukrainës me 73.22% të votave duke marrë kështu miratimin e bindshëm të popullit që ky është njeriu i duhur për të drejtuar Zyrën Presidenciale të tyre. Ajo që më bën përshtypje është jo vetëm fakti që ky njeri vjen nga një karrierë artistike të profilizuar në komedi, ne nuk jemi mësuar të shohim shumë komedianë të aderojnë në politikë, por ajo që më befason edhe më shumë është mënyra se si ai po vazhdon politikën e tij.
Jemi të gjithë dëshmitarë se shumica e politikanëve tjetërsohen sapo marrin pushtetin. Nëse në kohë fushatash ata prezantohen më afër popullit, premtojnë me menu, nuk lënë plak e fëmijë pa mos bërë foto, por sa marrin pushtetin, papritur zhduken, nisin dhe nuk kuptojnë gjuhën e popullit dhe madje ndjehen edhe pronar të tij! Mirëpo Zhelenski duket se e ka seriozisht. Ky njeri edhe pse President i Ukrainës tashmë vazhdon të flasë me të njëjtën mënyrë dhe të sillet po njësoj me popullin!
Ai vërtet është ulur në karrigen e Presidentit për të mirën e Ukrainës dhe madje e ka marrë popullin me vete në zyrë! Ai i ka shpallur ukrainasit President! Lexoni një pjesë të fjalimit të tij dhe kuptoni çfarë revolucioni politik po bën Zelenski në konceptin e deritanishëm mbi raportin Pushtetarë-Popull: “Të dashur ukrainas! Pas fitores sime në zgjedhje, djali im gjashtëvjeçar tha: “Babi, ata thonë në TV se Zelenski është Presidenti… Pra, kjo do të thotë se… Unë jam… Presidenti gjithashtu?!”. Në atë kohë, kjo tingëlloi qesharake, por më vonë kuptova se ishte e vërtetë. Sepse secili prej nesh është Presidenti. Jo vetëm 73% që votuan për mua, por të gjithë 100% e ukrainasve. Kjo nuk është vetëm imja, kjo është fitorja jonë e përbashkët. Dhe ky është shansi ynë i përbashkët që ne jemi së bashku përgjegjës.
Nuk jam vetëm unë që sapo kam bërë betimin. Secili prej nesh sapo ka vënë dorën e tij mbi Kushtetutën dhe është betuar për të qenë besnik ndaj Ukrainës. Tani, imagjinoni titujt: “Presidenti nuk paguan taksat”, “Presidenti i dehur kaloi me dritë të kuqe” ose “Presidenti po vjedh në heshtje, sepse gjithkush kështu vepron.” A do të pohonit se është e turpshme? Kjo është çfarë mendoj kur them që secili prej nesh është President. Që tani e tutje, secili prej nesh është përgjegjës për vendin që ua lejmë fëmijëve tanë. Secili prej nesh, në vend të tij, mund të bëjë gjithçka për mirëqenien e Ukrainës. Vendi ynë evropian fillon me secilin prej nesh. Ne kemi zgjedhur një rrugë për në Evropë, por Evropa nuk është diku atje larg. Europa është këtu, në kokën tonë!”
Vëreni se çfarë ndershmërie, humanizmi, dedikimi, dashurie, panpatriotizmi fle në fjalimin e Zhelenskit! Ai është një rast unik që po kemi fatin ta përjetojmë të gjithë ne që rrojmë në kohën e tij! Nëse demokracia do të thotë “Fjala e Popullit” apo “Pushtetit i Popullit”, të gjithë jemi të vetëdijshëm që në shumicën e demokracive kjo fjalë është shndërruar në “grep” sa për të peshkuar pushtetin, dhe më pas pushteti shndërrohet për pushtetarin në një lloj llambe magjike ku vetëm shprehen dëshirat dhe ato realizohen me magji, ndërkohë që populli duke parë këtë film – varfërohet çdo ditë… Zhelenski është një sensacion në shpresën tek Pushteti! Uroj që ky burrë shteti të vazhdojë të mbetet i tillë sepse do të jetë burim frymëzimi i një politike ku populli me të vërtet merr pushtet!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)