Lideri i Zimbabve Robert Mugabe, ka premtuar se do të vazhdojë të qëndrojë në pushtet, pavarësisht presionit në rritje për tërheqjen e tij. Në një fjalim në televizion, Mugabe tha se ai do të vazhdonte të drejtonte vendin deri në kongresin e partisë në dhjetor. “Kongresi i partisë do të mbahet pas disa javësh dhe unë do të vazhdoj të qëndroj në detyrë deri atëherë”, tha Mugabe para kombit të dielën.
“Shoku Bob”, ende në pushtet në moshën 93 vjeç. Ish sekretarja dhe e dashura, që u bë gruaja e tij, dëshiron të bëhet presidente. Gjenerali mik i kinezëve aleatë të “krokodilit”, pseudonim i zëvendëspresidentit, i cili u shkarkua për “pabesi”. Grushti i shtetit që po ndodh në Harare është një sagë afrikane me personazhe, që duket se janë marrë nga romanet e Uilbur Smithit. Robert Mugabe, presidenti i rrëzuar Zimbabvesë, ishte babai-zot i vendit të tij, që nga marrja e pavarësisë në vitin 1980. Me pseudonimin e luftës “Shoku Bob”, ai ishte i ngarkuar në atë kohë me luftën guerilase marksiste në ish-Rodezi. Nga ëndrra socialiste e pavarësisë Mugabe e ka çuar vendin në makthin e kolapsit ekonomik, korrupsionit dhe të pushtetit absolut, të mbajtur me shtypje dhe torturë. “Shoku Bob” u transformua në një tiran të bindur se “vetëm Zoti” mund ta hiqte. Për të mbajtur pushtetin me zgjedhje farsë, nuk ka hezituar të vrasë kundërshtarët. Për të mos përmendur fushatën e shpronësimit të tokave të “kolonizatorëve” të bardhë. Mugabe gjithashtu ka fobi të tjera, si lufta kundër homoseksualëve, që i quan “më keq se derrat”. Sanksionet e imponuara nga perëndimorët bazohen në “gënjeshtrat djallëzore”, për ish-studentin jezuit. Në moshën 93-vjeçare ndihej gjithnjë e më i lodhur dhe i sëmurë, por nuk tërhiqej. Pranë tij është edhe presidentja “në pritje” Grace, 40 vjeç më e re, ish sekretare dhe dashnore e tij, e cila u bë gruaja e dytë. Njerëzit gjithmonë e kanë urryer dhe e kanë quajtur “Dis-hiri” (turp) ose Gucci Grace, për luksin dhe shijet e kushtueshme. Që nga viti 2014, pasi u emërua si udhëheqëse e Lidhjes së Gruas e partisë në pushtet, Grace nuk është fshehur më pas suksesit të bashkëshortit të saj. Një lloj “kardinali Richelieu” me fustan, e cila ia lehtësoi plakut Mugabe heqjen qafe të kundërshtarëve të tij.
Të hënën ai u shkarkua si zëvendëspresident Emmerson Mnangagva për “besnikëri dhe ndershmëri të ulët”. Rivali e akuzoi Grace se kish dashur ta vriste në gusht me një akullore të helmuar. I mbiquajtur “krokodil” për metodat e tij nënshtruese është një tjetër personazh romanësh, në stilin afrikan. Lindur në 1942, Mnangagva luftoi fort me guerilasit ashtu si Mugabe. Sapo britanikët u dëbuan, “krokodili” mori kontrollin e përgjakshëm të sigurisë dhe të shërbimeve të fshehta. Së bashku me familjen është arratisur në Afrikën e Jugut. Pikërisht spastrimet e nisura ndaj njerëzve të ish zëvendëspresidentit kanë shkaktuar grushtin e shtetit të gjeneralit Constantine Guyeva Chivenga, kreu i forcave të armatosura. Edhe ai ka luftuar kundër rodezianëve, pasi ishte stërvitur prej sovjetikëve në Mozambik. Mbështetës i fortë i rrëmbimit të tokave nga të bardhët, miku i kinezëve, që nga viti 2004 ka përfunduar në listën e zezë të qytetarëve të Zimbabvesë që nuk mund të hyjnë në BE apo SHBA. Nuk është rastësi që javën e kaluar ai ndodhej për vizitë zyrtare në Kinë. Grushti i shtetit nuk mund të ketë sukses pa ndihmën e personazhit të fundit, si në romane: Victor Matemadanda. Sekretar i Organizatës së fuqishme të Veteranëve të Luftës, një lloj milicie që kish mbështetur gjithmonë Mugaben. Në gusht, ish luftëtari qe arrestuar se kish kritikuar zonjën e parë Grace, dhe tani është hakmarrë duke u rreshtuar me ushtarakët. (Il Giornale)