Meqë protesta është thelb i demokracisë, kjo e drejtë e dallon demokracinë nga sistemet politike autoritare dhe regjimet. Protesta thjesht është një përpjekje dëshpëruese për t’ia tërhequr vëmendjen e pushtetit me qëllim që të dëgjohet zëri i qytetarëve. Prijësi i protestës ap-ja Bedri Ajdari, me naivitet e shprehu zhgënjimin e thellë të tij dhe të protestuesve – ndaj premierit Zaev: “Nuk pritej që qeveria Zaev të shuaj gjithë atë shpresë për drejtësi”
Nga Shaqir ISLAMI
Ap-ja Bedri – në rajonin e Sharrit fjala Apo e ka domethënien e Bacit, lalit – është shndërruar në një yll të vërtetë të demokracisë në vendin tonë. Ka disa vite që përpiqet ta ndriçojë një padrejtësi të krijuar me rastin “Monstra”. Sipas fjalimeve të ngarkuara plot me emocione merret vesh se familjarë të tij janë viktima të këtij ‘operacioni psikologjik’ të vet shtetit. ‘Bombat’ e dikurshme dhanë dëshmi të qartë.
Vet fakti se me një ngjarje të kësi soji merren vetëm familjarë, farefisni dhe pjesëtarë të mëhallës,flet qartë se në çfarë derexhe funksionon klasa politike e shqiptarëve. Në shoqëritë e qytetëruara këto nuk janë vetëm çështje familjare dhe farefisnore; për kësi ndodhish duhet të shqetësohet dhe të shfaq interes mbarë shoqëria. Sot ju ka ndodh atyre, nesër mund t’i ndodh secilit nga ju.
Ap-ja e akuzon me këmbëngulje shtetin për diskriminimin ashiqare dhe të vazhdueshme të qytetarëve të vet shqiptarë. Disa vite me radhë – ky person dergjet shesheve të kryeqendrës, herë para Kuvendit, herë para qeverisë – e ushtron të drejtën e garantuar me kushtetutë dhe ligj, pra të drejtën për të protestuar së bashku me familjarët, farefisninë dhe qytetarë tjerë kundër shkeljes së të drejtave legjitime të qytetarëve të këtij shteti. Për këtë shkak, duhet përkrahur apën Bedri, dhe jo shpërfillur. Të drejtat qytetare u përkasin të gjithëve së bashku, pavarësisht etnisë dhe fesë. Bashkërisht duhet të ndërtohet demokracia me aksion social.
Me sa shoh, gjithmonë ap-ja Bedri mbetet me një pakicë farefisnie në protestat për drejtësinë, qytetarët në mbarë vendin nuk shfaqin interes për të protestuar, ndonëse kjo e fundit nuk është një kulturë demokratike edhe gjithë aq e kultivuar tek shqiptarët. Droja patologjike nga shteti, interesat personale, sundimi i vrazhdë i partikracive e ka paralizuar aktivizmin qytetarë dhe e ngathtëson pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në proceset demokratike.
Kjo e ka shndërruar shqiptarin në një qenie politike dembele,të plogësht që ngurron të ngrit zërin kundër institucioneve të shtetit dhe t’i realizojë të drejtat e veta përmes protestës paqësore.
Protesta është një lloj komunikimi i qytetarëve me pushtetin dhe vjen si pasojë e mosdëgjimit të pushtetit. Vet protesta e qytetarëve, do të thotë se ekziston një e metë apo thjesht është një shenjë krize në procesin e komunikimit të vendimmarrësve politikë me qytetarët. Protesta shpreh një lloj veprimtarie shoqërore (aksion social) pasi që pushteti i shpërfillë ose i anashkalon kërkesat reale të qytetarëve të vet për t’i realizuar të drejtat e garantuara me kushtetutë.
Kjo është një lloj sinjali për politikën që t’i shqyrtojë vendimmarrjet dhe të tregojë përgjegjësi ndaj nevojave të qytetarëve. Por, suksesi i protestës varet shumë nga numri i madh ose i vogël i pjesëmarrësve. Sa më e madhe është masa që proteston aq më e fuqishme është kumtesa që i dërgohet shtetit. Protesta duhet të jetë paqësore që të vlerësohet nga publikë të ndryshëm të brendshëm dhe ndërkombëtarë. Protesta në masë të vogël nuk e shqetëson politikën.
Protesta si mjet politik është i rëndësishëm, ngaqë drejtësia në vendin tonë i ka dy faqe. Mbase ka dhe dy klasa: dominuesit dhe të dominuarit ose të nënshtruarit. Kjo situatë vazhdon qysh prej 1912-ës e në ditë të sodit. Ligji nuk lexohet njëjtë si për dominuesit, ashtu dhe për të nënshtruarit. Ky fakt e shashtrisi juristin-ekspert allamanin Herr Meinhard Priebe. Kur u ndesh me situatën reale në sistemin e drejtësisë, pa se në çfarë derexhe është dhe si funksionon sistemi i drejtësisë… ma merr mendja se ka mbetur pa fjalë! Raporti i Herr Priebe është udhërrëfyesi i vetëm për zbatimin e ligjit në vendin tonë. Ende mungon guximi dhe vullneti i çeliktë që të ballafaqohen seriozisht dy pushtetet, ajo politike dhe e drejtësisë që t’i japin fund marrëdhënies së tyre të dashurisë së flaktë.
Ap-ja Bedri proteston sepse drejtësia në vend funksionon me dy kute – për shqiptarët vepron ligji i Drakos; ndërsa kur bëhet fjalë për maqedonas, ligji manipulohet siç ndodh rasti me vrasësin eAlmirit të vogël dhe mos-dënimin për një vrasje nga një urrejtje patologjike ndaj shqiptarëve.
Në protestën e fundit të apës Bedri, u pa se dhe e drejta qytetare për të protestuar – kur bëhet fjalë për shqiptarë -shkelet dhe ndalohet me policinë speciale të armatosur deri në fyt, të financuar me paratë tona, me mundin tonë… me djersën tonë. Çdo protestë paqësore ka shumë gjasa që me veprimet e shtetit të shtrembërohet dhe të shndërrohet në protestë të dhunshme. Siç ndodhi në protestën e fundit për rastin “Monstra”.
Meqë protesta është thelb i demokracisë, kjo e drejtë e dallon demokracinë nga sistemet politike autoritare dhe regjimet. Protesta thjesht është një përpjekje dëshpëruese për t’ia tërhequr vëmendjen e pushtetit me qëllim që të dëgjohet zëri i qytetarëve. Prijësi i protestës ap-ja Bedri Ajdari, me naivitet e shprehu zhgënjimin e thellë të tij dhe të protestuesve – ndaj premierit Zaev: “Nuk pritej që qeveria Zaev të shuaj gjithë atë shpresë për drejtësi”.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)