Shkup, 24 janar – Në akuza mes pushtetit dhe opozitës se kush sa ka bërë në pjesën e infrastrukturës së transportit kaloi mbledhja e sotme e Kuvendit në të cilën u diskutua për Propozim-ndryshimet e Ligjit për realizim të projekteve infrastrukturore për ndërtimin e aksit rrugor Milladinovci – Shtip dhe aksit rrugor Kërçovë – Ohër dhe për Propozim-ndryshimet e Ligjit për siguri në sistemin hekurudhor.
Deputetët nga opozita akuzuan se në autostradën Kërçovë – Ohër nuk është bërë asgjë për dy vite e gjysmë dhe se dëmet e bëra nga jo puna vlerësohen në mbi 30 milionë euro. Theksuan se Qeveria e LSDM-së nuk ka bërë as edhe një urë, ndërsa në pjesën e hekurudhës se nuk është bërë asgjë nga ajo që e premtuan në programin zgjedhor.
“Autostrada Kërçovë – Ohër tani është në gjendje shumë më t keqe, dëmet që janë bërë nga jo puna vlerësohen në mbi 30 milionë euro. Ka rrëshqitje dheu, armatura e dedikuar për urat është ndryshkur, ndërsa statika është prishur. Duhej të ndërmerrnit masa për mbrojtjen e ndërtimit”, tha Bllagoja Despotovski nga VMRO-DPMNE.
Në replikat ndaj deputetëve të opozitës, ministri Goran Sugareski theksoi se gjatë dy viteve e gjysmë është bërë shumë më tepër nga ajo që VMRO-DPMNE ka bërë gjatë 11 viteve të shkuara. Akuzat i hodhi poshtë si gënjeshtra dhe u bëri thirrje deputetëve nga opozita të flasin me fakte, e jo të paraqesin konkludime paushalle.
“Po tentoni tërësisht të amnistoheni. Është dashur t’i thoni Gruevskit të mos e fillojë këtë projekt, të tillë siç ishte”, tha Sugareski, duke shtuar se në pjesën e hekurudhës janë furnizuar trena pa ulëse dhe se për 11 vite nuk është bërë asgjë rreth hekurudhës drejt Bullgarisë.