Nuk ka qenë e lehtë që Florentino Perez ta bindte Zinedin Zidanin që të merrte sërish drejtimin e Realit të Madridit. Mediat spanjolle bëjnë me dije se trajneri francez ka kërkuar garanci të mëdha dhe i ka vënë kushte presidentit në mënyrë që të nisë një projekt fitues dhe të vazhdojë historinë e suksesshme që la në mes verën e kaluar.
Nga merkato e çmendur te pushteti i plotë për të bërë menaxhimin e ekipit deri te dora e hekurt për vendimet e forta. Zizu do të jetë fuqiplotë në Madrid dhe presidenti Perez nuk mund të ndërhyjë më në të ardhmen. Isko e Marselo do të qëndrojnë, Hames nuk kthehet dhe Bejl është drejt largimit.
KONTROLL TOTAL- Zinedin Zidan ka kërkuar që të jetë menaxher i Realit të Madridit dhe jo thjesht trajner i skuadrës. Ai do të jetë i plotfuqishmi në ekipin “galaktik” dhe i pavarur për të administruar skuadrën dhe për të bërë merkaton, pa pasur ndërhyrje.
KUSH LARGOHET- Garet Bejl duket se është jashtë planeve të Zinedin Zidanit dhe në merkaton e verës me shumë mundësi do të jetë një nga emrat në operacionin “fshesa”. Nuk është çudi që edhe Karim Benzema të largohet, pavarësisht raportit të mirë që ka me Zizunë. Dilemat e mëdha do të jenë edhe në portë. Trajneri kërkon vetëm një portier titullar dhe do të thotë se do të zgjedhë mes Kurtuasë dhe Kejlor Navasit.
MARSELO E ISKO- Ishin të përjashtuar nga Santiago Solari dhe luanin shumë pak. Mund të largoheshin në verë, por duket se mbrojtësi Marselo dhe mesfushori Isko do të jenë në qendër të projektit.
NEJMAR? JO- Prej muajsh qarkullojnë zërat për një ofertë të majme nga ana e Realit për të rikthyer në Spanjë Nejmarin, por për momentin duket se braziliani nuk është në planin e trajnerit të ri të Realit.
HAMES S’KTHEHET- Është duke ardhur fundi i huazimit dy-vjeçar i Hamesit te Bajerni i Mynihut dhe kolumbiani mund të rikthehet në bazë. Por, ishte pikërisht Zizu që i tregoi stolin dhe e detyroi të largohej. Kjo do të thotë se shanset për rikthimin te Reali janë zero.
MERKATO ËNDRRASH – Sigurisht që Florentino Perez i ka premtuar dhe i ka garantuar merkato madhështore Zidanit me emra kampionësh. Në të kundërt francezi mund të largohet sërish. Emri që kryeson këtë listë është ai i Kilië Mbapesë, i cili do të jetë objektivi kryesor në merkaton e verës për Realin.