Tërheqja, përkatësisht, bashkangjitja e një pjese të njësive nacionaliste shqiptare me njësitë e LNÇ-së, si dhe tërheqja e gjermanëve (1 shtator 1944), mundësoi që në Dibër të Madhe me 2 shtator të futen njësitë partizane jugosllavo-shqiptare pa asnjë rezistencë. Menjëherë pas kësaj u vendos pushteti ushtarak jugosllav, i cili në emër të “grumbullimit të armëve”, si dhe në emër të “zbulimit të ballistëve”, arrestoi me dhjetëra veprimtarë të shquar shqiptar nga ky qytet me rrethinë, një pjesë e të cilëve u pushkatuan pa asnjë proces gjyqësor
Nga Qerim LITA
Kërkesave të komunistëve jugosllav iu përgjigj personalisht Enver Hoxha, i cili në qershor të vitit 1944 u shkruante se udhëheqja e FNÇSh-së dhe personalisht ai, në tërësi pajtoheshin që zhvillimet ushtarake kundër forcave nacionaliste shqiptare: “në sektorët e Dibrës, Peshkopisë, Librazhdit, Strugës, Kiçevës (Kërçovës – Q. L.), Gostivarit dhe Tetovës” të ishin të kombinuara. “Kemi bindjen – shkruante Hoxha – se ndërmarrjet e përbashkëta do të japin rezultate të mira, do t’i japin nji hov të ri luftës në atë sektor, do të mobilizojnë popullin e atyre krahinave rreth frontit nacional çlirimtar të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë dhe këto veprime të përbashkëta do të kenë reperkusione të thella në Kosovë, ku do të hapen perspektiva lufte të gjëra dhe pjesëmarrje më aktive në luftë të popujve të Kosovës në frontin nacional çlirimtar tuajin dhe në ushtrinë Glorioze të popujve të Jugosllavisë e udhëhequr me aq brio prej komandantit t’uaj të madh Mareshalit Tito”.
Menjëherë pas kësaj letre, pasojnë urimet e përzemërta si nga ShP i LNÇM-së, po ashtu edhe nga vetë Tito, drejtuar Enver Hoxhës. Në letrën përshëndetëse, që ShP i LNÇM-së ia dërgoi Hoxhës, veç tjerash thuhej: “Ne krenohemi dhe ia urojmë emrimin Komandantë Supremë, dhe gradën Gjeneral -kolonelë shokut Enver Hoxha, dhe i dëshirojmë sukses në luftën heroike që po e zhvillon populli shqiptarë dhe ushtria e saj heroike LNÇ nën udhëheqjen e djemve më të mirë të popullit Shqiptarë…”. Ndërsa, Tito, në letër, fillimisht shprehte “krenarinë e admirimin për luftën këmbëngulëse dhe të pakursyer të patriotëve shqiptarë për lirinë kombëtare kundër okupatorëve fashistë dhe veglave të tyre..”, për të vazhduar: “Ndërmjet vllazërimit me armë lindi dashurija e madhe midis popujve të Jugosllavisë dhe forcave çlirimtare të Shqipërisë…”.
Duhet theksuar se operacionet e përbashkëta të njësive komuniste jugosllav-shqiptare, në krahinën e Dibrës, nuk kishin për synim luftën kundër gjermanëve, por asgjësimin e njësive kreshnike, përkatësisht vullnetare shqiptare, që etiketoheshin si “forca reaksionare”. Këtë e shohim në urdhër-veprimin e lëshuar më 3 korrik 1943 nga komandanti i Divizionit të I, Dali Ndreu, i cili parashihte: sulmin dhe asgjësimin e forcave zogiste, përkatësisht, nacionaliste nën udhëheqjen e Hysni Demës, Ismail Demës, Uke Camit etj, duke i goditur të njëjtat nga të tri anët nëpërmjet njësive të Divizionit I Sulmuese të FNÇSh-së. E. Hoxha në cilësinë e komandantit të përgjithshëm të UNÇ-së, më 6 korrik urdhëroi Divizionin I: “….Krerët e Dibrës të goditen me ashpërsi sikur Bazi” (Abaz Kupi -Q.L.). Menjëherë batalioni partizan i Dibrës nën komandën e Esat Ndreut me mbështetje edhe të Faik Shehut, po atë ditë sulmoi forcat nacionaliste e ato të gjandarmërisë shqiptare të Homeshit e të Peshkopisë dhe i morën këto qendra, ndërsa forcat e gjandarmërisë, mbas një qëndrese të vogël u larguan duke lënë mjaft të vrarë e të plagosur. Ndërmjet të vrarëve e të plagosurve ishte edhe komandanti i xhandarmërisë së Dibrës së Madhe, Myftar Kaloshi.
Duhet theksuar, se Peshkopia herë merrej nga njëra palë e herë nga pala tjetër. Kështu më 13 korriok ajo u morr nga njësitë partizane, ndërsa 2 ditë më vonë, përkatësisht më 13 korrik njësitë partizane pas një kundërsulmi të shpejtë nga njësitë e Halil Alisë, Hysni Demës etj, u detyruan të tërhiqen nga qyteti, për t’u vendos në Fushë Alie. Lidhur me zhvillimet luftarake në krahinën e Dibrës, Dali Ndreu, në letrën drejtuar Milladin Popoviqit dhe Enver Hoxhës, vinte në pah rezistencën e madhe që hasën nga njësitë nacionaliste shqiptare: “Vetëm kalimi i ynë në Veri të Shkumbinit, – shkruante D. Ndreu – ka qenë një sukses, çdo qendresë e reaksionit asht shpartallue. Por nuk kemi mundun që ta detyrojmë në një luftim me stil të gjanë që të mundshim të kishim nji sukses me të vërtetë ushtarak. Reaksionarët janë tërhekë dhe largue mbas nji përpjekje të vogël. Asnji nga shtabet e këtyne nuk kemi mundun t’i zhdukim, t’i zajmë ose t’i vrasim (vetëm Miftar Kaloshin). Reaksioni ndër këto vende mbetet akoma dhe me largimin tonë, ngjallet dhe riorganizohet prap. Në Dibër po gjejmë qëndresë dhe nga populli, i cili në shumë vende ka qenë besëlidhun për mos me lanë me kalue forcat tona…”.
Përderisa në Dibër të Poshtme, zhvilloheshin luftime të ashpra midis njësive nacionaliste shqiptare dhe të FNÇSh-së, në anën tjetër, ShK i LNÇJ-së për Maqedoni, urdhëroi njësitë e Brigadës I maqedonase dhe Brigadës I kosovare, që më datë 19 korrik 1944 të sulmojnë qytetin e Dibrës. Mirëpo, pas luftimeve të përgjakshme, të cilat zgjatën plot katër orë, njësitë vullnetare shqiptare të ndihmuar edhe nga xhandarmëria arritën ta përballojnë sulmin, dhe pas një kundërsulmi të shpejtë e detyruan armikun të tërhiqet në drejtim të Karaormanit. Sulmi i njësive pushtuese jugosllave ndaj Dibrës së Madhe, siç pohon C. Uzunovski, erdhi në momentin kur në Peshkopi zhvilloheshin luftime të ashpra midis njësive kreshnike shqiptare dhe njësive të Divizionit të I të LNÇM-së:
“…Akoma deri sa nuk ishin vendosur lidhjet me Divizionin e I, – shkruante Uzunovski – kemi dëgjuar se….ballistët sulmuan Peshkopinë, ku ishte Divizioni. Për t’i dhënë nji ndihmë vëllezërore, neve u dhamë urdhër njësive tona që të sulmonin Dibrën…”. Marrja e Dibrës për udhëheqjen komuniste jugosllave ishte me interes të veçantë, për arsye se ata planifikonin që me pushtimin e kësaj krahine e më pas edhe të krahinës së Lumës, do të hapej korridori për depërtimin e njësive të tyre në Kosovë. Prefekti i Kukësit, Rrok Perrolli, më 29 korrik 1944, i raportonte MPB-së për disa përpjekje të çetave komuniste për t’u futur në territorin e atij qarku:
“Mbas shpartallimit të çetave komuniste në Peshkopi e rrethe – thuhej në raport – ato kanë bërë përpjekje të futen në Qarkun e kësaj prefekture, nga ana e Kalasë së Dodës, me masat e marruna me Kompaninë Shëtitëse, të cilën e kemi pasë dërgue për çdo eventualitet në kufirin Lumë-Peshkopi dhe me nji shumicë vullnetarësh deri më 500 vetë të mbledhun nga ana e Osman Litës, mbasi ka hye në bjeshkë te stanet e Osman Litës, të cilat kanë dashtë t’i djegin, por mbasi kanë pa fuqi aty…., çeta komuniste që ishte e kryesueme prej Haxhi Lleshit dhe Abedin Shehit, kanë këthye prap në rajonin e Peshkopisë, në Bjeshkën Gram dhe nga këndej kanë marrë drejtim për në kufirin Bullgar…”.
Dështimet e njëpasnjëshëm të forcave të koalicionit komunist për marrjen e krahinës së Dibrës e të Lumës, i shtynë udhëheqjet aleate jugosllavo-shqiptare për hartimin e një strategjie të re. Për këtë qëllim, ata krijuan shtabin e përbashkët operativ në përbërje: Video Smilevski – Bato (një shqiptar ortodoks i maqedonizuar nga Reka e Epërme), Petar Brajoviq të cilët përfaqësonin ShK të LNÇJ-së për Maqedoni, ndërsa ShK të UNÇ-së e përfaqësonin Dali Ndreu dhe Mehmet Shehu. Pasi u bënë të gjitha parapërgatitjen e nevojshme, më 1 gusht 1944, njësitë e koalicionit në kuadër të së cilës u përfshinë: Brigada e I, IV dhe V shqiptare, Brigada I maqedonase dhe Brigada I kosovare, sulmuan sërish Dibrën e Madhe, mirëpo pa ndonjë sukses, për arsye se ata hasën në një rezistencë të fuqishme nga njësitë nacionaliste e të xhandarmërisë shqiptare. Menjëherë pas këtij dështimi, reagoi pala jugosllave, e cila më 15 gusht përmes një letre të nënshkruar nga Petar Brajoviq dhe Mito Milkoviq, shprehte pakënaqësinë e sjelljes së njësive shqiptare pas dështimit për marrjen e qytetit të Dibrës:
“Bashkëpunimi që duhej të krijohej ndërmjet forcave tona dhe njësive të brigadave tuaja – thuhej në letër – në sektorin e Dibrës, nuk ka qenë ashtu siç u parashikua dhe e propozuar nga ana e shokut Komandant Enver Hoxhës. Pas sulmit pa sukses në qytetin e Dibrës, megjithëse ishte e parashikuar nga shtabi operativ i përbashkët, tërheqja e të gjitha forcave në drejtim të Karaormanit – kjo gja nuk u bë, me qenë se forcat tona mbeten të veçuara, duke përballuar ofensivën e madhe të armikut dhe duke patur bashkërisht 70 të plagosur. E shofim të arsyeshme që të vazhdojmë punën e përbashkët për t’u arrijtur ajo që është parashikuar edhe nga ana e juaj…”.
Për rrjedhojë, komandanti i Divizionit I, Dali Ndreu, më 17 gusht lëshoi një Urdhëresë deri te Shtabi i Brigadës V Sulmuese shqiptare, me këtë përmbajtje:
“Në lidhje me informatat na jepni për mbi vendosjen e armikut në qytetin e Dibrës, mbasi kemi ndërmend që të bëhen një veprim i kombinuem i forcave t’ona dhe të atyre Maqedhonase si dhe në bashkëpunim edhe me aviacionin aleat kundra qytetit të Dibrës duhet: Të merrni informata të sigurta mbi vendosjen ekzakte të forcave gjermane….Sa forca xhandarësh dhe mercenarësh ndodhen në qytetin e Dibrës. Të studiohen cilat janë pozitat më të përshtatshme të cilat mund të lejojnë ma me lehtësi sulmin dhe mbritjen e pozitave t’armikut. Në këtë studim duhet me mbajt parasysh se në dy sulmet e para qi janë ba qytetit armiku asht thye nga pozitat që ka pasë zënë jashta qytetit në mal dhe qe ska qenë i mundur likuidimi i tyre pse atje kanë pasë mjaft municion dhe studime. Prandaj duhet të studiohet që të mos lajm që forcat armike të thyera nga mali të tërhiqen për t’u bashku me forcat e tjera në kazerma por të ndahen pse mandej mund të likuidohen ma me lehtësi veç eveç. Për këtë qëllim kemi urdhnue dhe artilerinë e Brigadës së I që të vihet në dizpozionin t’uej…”.
Ndërkohë, luftime të ashpra midis njësive partizane dhe atyre nacionaliste shqiptare u zhvilluan në Fushë Alie dhe fshatrave përreth. Beteja më e përgjakshme u zhvillua në fshatin Sinë, e cila zgjati plot dy ditë e dy net, ku pati shumë të vrarë e të plagosur nga ana e të dy palëve. Pas tërheqjes së forcave nacionaliste të cilave u prinin Halil Alia dhe Selim Kaloshi, njësitë e Brigadës së IV e të V partizane shqiptare dogjën thuajse të gjitha shtëpitë e fshatrave Sinë dhe Fushë Alie. “Në katundin Sinë – njoftonte zv. komisari i Brigadës V, Manush Myftiu – u dogjën pa asnjë arsye shtëpitë e katundit, vetëm për hakmarrje të shokëve të vrarë…Qëndrimi i përgjegjasve ushtarakë ka qenë shumë i keq, gjë që ka inkurajuar partizanët për të shkatërruar akoma ma keq, çfarë kishte mbetur nga zjarri..”. Sjelljen brutale të njësive partizane shqiptare, ndaj banorëve shqiptarë të kësaj zone të Dibrës, më së miri përshkruhet nga njëri ndër drejtuesit kryesor të LNÇ-së në krahinën e Dibrës, Sulë Baholli:
“…Mandej forcat e bashkuara të Brigadës IV e V mësynë fushë Aliaj-n dhe i vunë zjarrin kullës së Halil Alisë, por vranë edhe dogjën edhe njerëz të pafajshëm…U dogjën të gjitha sahtëpitë e fshatit Fushëaliaj, në vend që të digjeshin vetëm shtëpitë e reaksionarëve të shquar…”.
Thyemja e parisë nacionaliste në Sinë e Fushëalie, e cila siç u tha më lartë u përcoll me një sjellje tejet kriminale të njësiive partizane shqiptare si ndaj popullsisë civile po ashtu edhe ndaj pronave të tyre, e shtynë një pjesë të parisë nacionaliste të zhvillojnë negociata me udhëheqësit e UNÇSh-së e të UNÇJ-së. Kështu Dan Kaloshi, së shpejti u kyç në radhët e UNÇSh-së. Më 22 gusht, Dali Ndreu i shkruante komandantit të Brigadës I, Shefeqet Peqit: “Siç u është theksuar edhe herë të tjera duhet t’i jepet randësi çështjes së mobilizimit të Divizionit I. Prandaj jepni Dan Kaloshit një kompani, mbasi ai ka mundësi mobilizimi e ka premtuar, dhe t’ia filloj me një herë mobilizimit për Brigadën e V”.
Ngjashëm sikurse me Dan Kaloshin, u veprua edhe me Cen Elezin dhe djalin e tij Xhelal Ndreun. Për kyçjen e këtij të fundit në njësitë partizane, njoftohemi nga letra e Mehmet Shehut dërguar Shefqet Peçit: “…Xhelal Ndreu erdhi dhe biseduam gjerë e gjatë me të. Bëmë dakord që të shkojë si partizan i thjeshtë në Brigadën e I por për disa ditë e dërguam në Reç e Dardhë për të përfituar nga influenca e tij me kryerjen e mobilizimit e pastaj menjëherë do të shkoj në Brigadë…”.
Bisedime të ngjashme u zhvilluan edhe në Dibër të Madhe dhe në Strugë, midis Uke Camit, Murat Labënishtit dhe Esad Dokës si përfaqësues të nacionalistëve shqiptar dhe Video Smilevski – Bato i cili përfaqësonte ShK të LNÇJ-së për Maqedoni. Burimet e kohës vënë në dukje se në këto bisedime, është arritur marrëveshja gojore, sipas së cilës, Uke Cami, të mos u kundërvihet sulmeve të njësive partizane për marrjen e Dibrës, ndërsa Labënishti dhe Doko, t’i bashkojnë forcat e tyre me forcat partizane, por me kusht që “Struga me rrethinë pas çlirimit t’i takojnë Shqipërisë”. Më vonë do ta shohim Esat Dokon në aradhat e forcave komuniste, përkatësisht, ai me grupin e tij do t’’i bashkëngjitet Brigadës IV shqiptare dhe u angazhua në marrjen e qytetit të Strugës.
Përveç kësaj, V. Smilevski, në letrën të datës 24 gusht 1944, kërkonte nga ShK i UNÇSh-së që kjo e fundit t’i dërgoj të gjithë partizanët dhe udhëheqësit komunist shqiptar me prejardhje nga trevat lindore shqiptare, të cilat ata i konsideronin si treva jugosllave, përkatësisht maqedonase: “Lidhur me detyrën tonë, – shkruante Smilevski – për krijimin e njësive shqiptare në përbërjen e UNÇL të Maqedhonisë – në mënyrë që të shpejtojmë mobilizimin e banorve shqiptar në Maqedhoni dhe për të shpejtuar shkatrrimin e reaksionit shqiptar në Maqedhoni, nga njëra anë dhe në anën tjetër, t’u japim mundësi masave shqiptare që me armë në dorë të luftojnë kundër okupatorve fashist bashk me popullin vlla maqedhonas, është e nevojshme që të na dërgoni sa më parë në përbërjen e një njësie shqiptare të krijuar, të gjithë ata luftëtarë dhe udhëheqësa, të cilët ndodhen nëpër njësitë tuaja por që janë lindur në territorin e Maqedhonisë… Mëtej, Shtabi Kryesor i UNÇL e DP të Maqedhonisë ju propozon që në anë të një njësije tuaj, me forca të një brigade ose më të vogël, të operoni edhe më tej në territorin kufitar dhe në këtë mënyrë të lidhni ose të godisni njësitë shqiptare reaksionare për kohën ndërsa Brigada I Sulmuese e UNÇL të operojë në rajone tjera për spastrimin e territorit dhe për të bërë mobilizimin…”. Të njëjtën ditë, Mehmet Shehu, urdhëroi që një batalion i Brigadës XVIII të dërgohet në rajonin e Kërçovës, për siç pohon: “ndihmë politike të Brig. Maqedhonase për të përballuar shovinizmin (shqiptar) në rrethet e Kërçovës…”. rrjedhimisht, nga njësitë e këtij batalioni si dhe të aradhës partizane shqiptare e cila ishte themeluar më 14 gusht 1944 po në Kërçovë, më datë 26 gusht në malet e Karaormanit u formua Brigada e IV shqiptare, e cila fillimisht numëronte 450 luftëtarë, ndërsa me kalimin e kohës, ky numër do të shkoj deri në 5000. Më 7 janar të vitit 1945, brigada mori emër tjetër – Brigada e VII Sulmuese Shqiptare, e cila me 2.5000 luftëtarët e saj mori pjesë në Frontin e Sremit.
Tërheqja, përkatësisht, bashkangjitja e një pjese të njësive nacionaliste shqiptare me njësitë e LNÇ-së, si dhe tërheqja e gjermanëve (1 shtator 1944), mundësoi që në Dibër të Madhe me 2 shtator të futen njësitë partizane jugosllavo-shqiptare pa asnjë rezistencë. Menjëherë pas kësaj u vendos pushteti ushtarak jugosllav, i cili në emër të “grumbullimit të armëve”, si dhe në emër të “zbulimit të ballistëve”, arrestoi me dhjetëra veprimtarë të shquar shqiptar nga ky qytet me rrethinë, një pjesë e të cilëve u pushkatuan pa asnjë proces gjyqësor. Ngjashëm sikurse autoritetet ushtarake jugosllave u sollën edhe ato shqiptare, që e pamë të arsyeshme ta paraqesim një rast tejet të dhimbshëm e të shëmtuar nga ana e artilerisë së Brigadës I, e cila pushkatoi shtatë veprimtarë të nacionalizmit shqiptar nga krahina e Dibrës. Ekzekutimi i tyre u krye pa gjyq, vetëm me urdhër personal të Baba Fajës.
Po në këtë kohë, Mehmet Shehu, i shkruante Shefqet Peçit, për një proces gjyqësor në Dibër të Madhe, i zhvilluar nga Gjyqi ushtarak i përbashkët jugosllavo-shqiptar:
“Dilaver Camin, – shkruante Shehu -që ka qenë kapter xhandarmarije e kaluam para gjyqit dhe e liruam, duke i marrë një deklaratë, dhe të gjithë të hollat që kishte marrë në dorëzim nga kapiteni i xhandarmërisë së Dibrës, nga të cilat të holla neve na takoi vetëm shuma 700 napoleona, dhe pjesën tjetër e muarën shokët maqedhonas të Dibrës. Disa të tjerë na kanë çuar fjalë se do dorëzohen. Selim Nokën, po e pushkatojmë para popullit në Dibër. Tahsimin mbarim urdhër ta nisim për në Shtabin e Përgjithshëm…”.
Në mesin e të burgosurve ishte edhe komandanti i Zonës Operative I të LNÇJ-së për Maqedoni, Hamdi Dema. Lidhur me burgosjen dhe më vonë vrasjen makabre të H. Demës, në një dokument të OZN-ës, thuhet: “Hamdi Dema: Si agjent e MK AbWKdO 310, është futur në LNÇ-ë në territorin Kërçovë-Dibër ku arriti deri te pozita komandant i Zonës operative I, i cili shkonte në linjën e copëtimit të lëvizjes. Është burgosur dhe likuiduar në vitin 1944 nga të besuarit e OZN-ës gjatë përpjekjes së arratisjes nga burgu i Prilepit”.
Me ripushtimin e Dibrës, njësitë partizane marshuan në drejtim të Lumës, ku me 5 shtator, njësitë e Brigadës V Sulmuese pushtuan Kalanë e Dodës, ndërsa disa ditë më vonë u pushtua thuajse e tërë krahina, me çka u krijuan kushte për futjen në Prizren. Gjatë këtij marshimi, njësitë e kësaj brigade me urdhër të komandantit, Shefqet Peçi, kryen krime dhe masakra të papara ndaj popullsisë civile. Një masakër e tillë u krye ndaj banorëve të fshatit Buzmadhë, ku 21 burra të këtij fshati u pushkatuan pa asnjë proces gjyqësor. Lidhur me këtë masakër, zv. komisari Manush Myftiu, në Plenumin e Beratit shprehet: “Në Buzmadhe fshatarët patën një qëndrim jo të mirë ndaj nesh…Korparmata na dërgoi telegram në të cilën na urdhëronte të ndërmarrim masa, por të mos pushkatojmë, dhe kjo neve nuk na ishte e qartë se si të veprojmë. Shkuan Shefqeti (Peçi -Q.L.) dhe Çobani (Nito Çako – Q.L.) dhe unë ua sqarova se si të veprojnë, përkatësisht se nuk guxojnë të ekzekutojnë. Ata kishin poseduar informata për qëndrim të keq të banorëve dhe të revoltuar atëherë pushkatuan 21 persona, përskaj fshatit…”.
Krejt kjo sjellje e shëmtuar, nuk e pengonte komandantin e Korparmatës I Sulmuese Shqiptare, Dali Ndreut, dhe Hysni Kapon, që Sh. Peqit përmes një letre t’i shprehin fjalë miradie, për “sukseset” e arritura të Brigadës V në Veri të Shqipërisë: “Nga veprimet e zhvillueme në Veri keni shpartalluar forcat e okupatorit dhe keni zënë rob Zyber e Sherif Litën, ….Selim Nokën dhe tash së fundi armikun e Internacionales komunizmit e të popullit Shqiptar tradhtarin Zaj Fundo. Të gjitha këto suksese i shtojnë faqe lavdije historis së Brigadës V Sulmuese. Shpejtësia dhe guximi me të cilin keni zhvilluar këto veprime qëndrimi i drejtë me popullin dëshmojnë edhe një herë besimin e pa tundshme në Brigadën e V se asht në gjendje të kryej detyra edhe ma të vështira. Bashkëpunimi që së shpejti do të realizohet me ushtrinë Jugosllave, do t’u jap rastin të tregoni se edhe ushtrija Nacional Çlirimtare e Komanduar nga Gjeneral Kolonel Enver Hoxha, asht e zonja të shkoj krahas me ushtrinë e Titos”.
Në frymë të njëjtë shprehet edhe anëtarja e Byrosë Politike të PKSH-së, Liri Belishova, e cila në Konferencën e Rinisë komuniste ballkanike, të mbajtur më 15-16 janar 1945 në Shkup, thekson:
“…Vëllazërimin tonë me rininë jugosllave e kemi forcuar në luftën për Dibrën dhe në luftën e territoreve tjera jugosllave (shqiptare të cilat komunistët shqiptar ua falën jugosllavëve – Q.L.). Ne kemi bërë kumarti në burgjet, përkundër provokimeve të shumta, për të na detyruar të luftojmë kundër njëri-tjetrit, ta ngremë ushtrinë tonë nacionalçlirimtare kundër ushtrisë nacionalçlirimtare të Mareshalit Tito. Edhe përkundër të gjitha atyre përpjekjeve, ne nuk qëndruam kundër njëri-tjetrit, simpatia-dashuria e rinisë shqiptare ndaj rinisë jugosllave, sot është shumë e madhe…”. (fund)