Shkup, 9 korrik – Rreth 700 fëmijë dhe shoqërues të tyre të familjeve në rrezik social nga mbarë shteti, nga java e kaluar e deri në fund të verës në pesë turne do të qëndrojnë për pushime verore në Strugë. Pushimi realizohet me mbështetjen e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale dhe Kryqit të Kuq, ndërsa akomodimi është në pushimoren “Majski Cvet”, njofton Koha.mk
Pushimi në kohëzgjatje prej një jave, që përfshin gjashtë pansione të plota, bënë të ditur nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, e shfrytëzojnë fëmijët nga klasa e pestë deri në të nëntën.
“Është i dedikuar për anëtarët e familjeve shfrytëzues të ndihmës së garantuar minimale dhe shtesës së fëmijëve dhe arsimore, pa prindër dhe përkujdesje prindërore, si dhe fëmijët me aftësi të kufizuara gjegjësisht shfrytëzues të shtesës së veçantë deri në 26 vjet”, sqarojnë nga MPPS.
Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale theksojnë se vazhdojnë të investojnë në kushte më të mira për kategoritë e ndjeshme të qytetarëve, sepse secili njeri meriton jetë dinjitoze dhe secili fëmijë mundësi të barabartë.
“Me reformën sociale dukshëm e kemi rritur ndihmën për familjet në rrezik social, kemi vendosur masa dhe shërbime të reja për përditshmërinë e tyre më të lehtë dhe jetë më cilësore”, nënvizohet në kumtesë. (koha.mk)