Purosangue, “bisha” e re e Ferrarit (FOTO)

Ferrari ka shpalosur superveturën e re, Purosangue, që është SUV-i i parë i brendit luksoz, edhe pse kompania e mohon se kjo veturë i përket segmentit të veturave të larta. “Nuk i ngjan asnjë veture tjetër”, ka thënë shefi ekzekutiv i Ferrarit, Benedetto Vigna. “Është veturë sportive që hap segment të ri”. Purosangue është vetura e parë me katër dyer e katër ulëse e Ferrarit. Gjithsesi, modeli është më i shkurtër e më i ulët se Lamborghini Urus, edhe pse Lamborghini konsiderohet më praktik. Kur vjen puna te çmimi, Purosangue, është klasë në vete.

Përderisa Urusi kushton rreth 200 mijë euro, e Rolls-Royce Cullinani rreth 350 mijë, Purosangue nuk pritet të kushtojë më pak se 400 mijë euro, kur të dalë në treg në fund të vitit. Vetura ka motor të ri 6.5-litërsh V12 me 715 kuajfuqi. Kombinohet me marsh me tetë shpejtësi, ndërsa sistemi i fuqisë mund të kalojë edhe në sistemin që tërheq me të gjitha rrotat, po që se ka nevojë. Përshpejtimin nga 0 në 100 kilometra për orë vetura e arrin për vetëm 3.3 sekonda. Top-shpejtësia që mund ta arrijë është 310 kilometra për orë.