Delvina KËRLUKU
Halim Purellku u lind në vitin 1952 në Kërçovë. Shkollën fillore e kreu në fshatin Sërbicë të Kërçovës, të mesmen në Normale “Zef Lush Marku”, në Shkup. Studimet universitare (histori) i mbaroi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1977. Në vitin 1985, në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës fiton gradën shkencore magjistër i shkencave historike. Kurse, më 1999 në Fakultetin e Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës, fiton gradën shkencore doktor në fushën e historisë.
Pas kryerjes së studimeve një kohë të gjatë (1977 – 2004) ka punuar në Gjimnazin “Zef Lush Marku”, në Shkup. Ndërkohë, nga viti 1995 punonte dhe në Universitetin në Tetovë (i pa zyrtarizuar), kurse nga viti 2004, kur dhe u legalizua kaloi në marrëdhënie të rregullt pune në Fakultetin Filozofik të Universitetit në Tetovës, Dega e Historisë. Vepra kryesore e tij është monografia me titull: Zona e pushtimit jugosllav në Shqipëri (1918-1921), Tiranë. Botues: Qendra e Studimeve Albanalogjike, Instituti i Historisë, Tiranë, edicioni: “Botimet Albanologjike”. Ka publikuar mbi 50 punime shkencore në revista/periodikun shkencor (15), disa nga të cilat janë organe të instituteve shkencore dhe të fakulteteve si në Prishtinë, Tiranë, Shkup, Tetovë e Sofje, si dhe në disa përmbledhje punimesh monografi (16). Ka marrë pjesë aktive me kumtesa në 34 tubime shkencore (simpoziume, konferenca) në Shkup, Tetovë, Prishtinë, Tiranë etj. Ndërkohë, ka botuar dhe një mori (39) artikuj, fejtone dhe prezantime. Është përfshirë në projektet shkencore: Fjalor enciklopedik shqiptar, Botimi i ri, Vëllimi I, II, III, Tiranë, 2008, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe në: “Historia e shqiptarëve në shekullin XX”, Tiranë, 2009- 2012 Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë. Aktualisht jeton në Shkup.
KOHA: Profesor Purellku, jeni studiues i historisë sonë kombëtare. Bazuar në argumente historike, jemi ndër popujt më të vjetër të Evropës, ndër më inteligjentët, liridashës dhe humanë. Shqiptarët e Maqedonisë, me një histori në vete, përputhen me karakteristikat e lartpërmendura. Pse maqedonasit, duke qenë ne shqiptarët kaq paqësor, nxisin luftë?
PURELLKU: Burimet historike nuk flasin për ndonjë shtegtim të shqiptarëve në Trevat Lindore shqiptare, sot në kuadër të Republikës së Maqedonisë. Janë tashme të njohura gjetjet e Kulturës Arbërore të Komanit në zona të Ohrit, Përlepes etj., që dëshmojnë se edhe në këto treva asokohe kanë banuar arbrit si pasardhës të ilirëve. Burimet historike të proveniencave të ndryshme dëshmojnë se arbrit/shqiptarët vazhdonin të jenë faktor etnik gjatë gjithë mesjetës dhe kohës së re në trevat e Dibrës, Ohrit, Prëlepes (Prilepit), Pollogut, Kërçovës, Shkupit, Kumanovës, Manastirit e të Shtipit. Me këtë rast do të theksojmë disa nga ato burime: Në fillim të shek XVI, në qytetin e Kërçovës ekzistonin tri lagje/mëhalla, dhe atë: lagja shqiptare, lagja serbe dhe lagja myslimane; Në vitin 1660 Evlia Çelebia shënon në udhë përshkrimin e tij se në Shkup “shumica e popullsisë qytetare flasin në gjuhën rumelishte dhe shqipe”. Në fund të shek. XVII dhe në fillim të shek. XVIII fshatrat Presillë, Pribillcë, Novosellë, Zagoricë, Ivanovc në Kazanë e Manastirit cilësoheshin nga administrata osmane e kohës si fshatra shqiptare, kurse vetë popullata e kazasë së Manastirit përcaktohej si: myslimane, shqiptarë (arnaut) dhe hebrenj; Ndërkaq, në një statistikë të 23 dhjetorit të vitit 1807 të Shtabit francez në Zarë (gjenerali francez Maron), thuhet se në Ohër fliten gjuhët shqipe, vllahishte dhe serbe.
KOHA: I nderuari profesor, Ju vini nga Kërçova, krahinë e veçantë gjeografike dhe etnografike, (sot) në pjesën qendrore të Maqedonisë Perëndimore. Me çfarë disfata u përballua ky vend, në kryengritjen e Dervish Carës dhe, në këtë ngjarje, cila është historia e paraardhësve tuaj?
PURELLKU: Në fund të vitit 1843 dhe gjatë vitit 1844 në Gegëri apo në Shqipërinë e Veriut, siç thuhet shprehimisht në dokumentet e kohës, u zhvillua një kryengritje e madhe kundër pushtetit osman, e njohur si Kryengritja e Dervish Carës. Nga fundi i vitit 1843 kryengritësit shqiptare e çliruan edhe trevën e Kërçovës, me përjashtim të kështjellës në qytet, ku qe ngujuar garnizoni ushtarak osman. Për shtypjen e kryengritjes në Shqipërinë e Veriut qe ngarkuar Hajredin Pasha. Beteja e parë dhe njëra nga më të mëdhatë në përgjithësi midis trupave osmane dhe kryengritësve, ishte Beteja e Sopit për Kërçovën, e cila u zhvillua më 13 maj 1844 midis 6000 kryengritësve shqiptarë dhe trupave osmane në numër shumë të madh dhe të pajisura dhe me artileri. Beteja përfundoi me ngadhënjimin e trupave osmane. Aty mbetën të vrarë rreth 200 kryengritës, u plagosën rreth 100 dhe 200 të tjerë u zunë robër. Gjithsesi se pas betejës represaliet e ushtrisë osmane u shtrinë dhe mbi popullatën e trevës së Kërçovës.
KOHA: Politika arsimore e pushtetit jugosllav ndaj shqiptarëve të Maqedonisë midis dy luftërave botërore, ka kaluar nëpër peripeci të ndryshme dhe rruga e tij ka qenë një rrugë e hidhur, me ndalesa, përndjekje, arrestime e vrasje. Ju, si e kujtoni kohën e shkollës fillore dhe të mesme? Ishin në pah, asaj kohe, të njëjtat probleme?
PURELLKU: Në mes dy luftërave botërore fëmijët shqiptarë të moshës shkollore në Trevat Lindore shqiptare, ishin të detyruar që arsimin fillor tërësisht ta ndjekin në gjuhën serbe, kurse shumica absolute e tyre mbeteshin jashtë bankave shkollore për arsye të politikës përjashtuese zyrtare. Mirëpo, edhe shqiptarët do të përpiqen në forma të ndryshme të sfidonin politikën arsimore zyrtare jugosllave. Kështu, p.sh., në vitet njëzeta të shekullit XX, në Dibër vepronte një shoqëri shqiptare, e cila angazhohej që nëpërmjet përhapjes së shkrimit dhe të librave/literaturës në gjuhën shqipe ndër nxënësit, veçanërisht ndër ato të klasës së katërt, të luftojë shkollimin në gjuhën serbe ndër shqiptarët. Po ashtu, një numër i të rinjve shqiptarë shkonin në mënyrë ilegale për t’u shkolluar në shtetin shqiptar. Kjo dukuri ishte më e shprehur në rrethin e Dibrës.
KOHA: Populli shqiptar njihet për qëndresën kundër pushtuesve. Sot, me cilat probleme ndeshet shqiptari i Maqedonisë?
PURELLKU: Shqiptarët e këtij krahu gjithmonë i kanë mbrojtur këto treva nga armiqtë e jashtëm. Në gjysmën e dytë të shekullit XIII, gjatë zgjerimit të shtetit të Rashës mbi Trevat Lindore shqiptare, këtu kishte një strukturë të fisnikërisë feudale të fuqishme, shumica nga të cilët mbanin emra dhe mbiemra të proveniencës jo sllave. Ndërkaq, gjatë periudhës së luftërave të shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut, shumica e betejave u zhvilluan në trekëndëshin Dibër – Tetovë – Ohër. Gjithashtu, këto treva ishin pjesë e kryengritjeve shqiptare kundër sundimit osman edhe në shekujt që pasojnë, disa nga të cilat ishin me përmasa shumë të mëdha si ajo në Rekë dhe Pollog në vitin 1594/1595; e Dervish Carës në vitet 1843-1844; kryengritja e përgjithshme kundër osmane e vitit 1912; Kryengritja kundër serbëve e shtatorit 1913; qëndresa mbi tre muaj shtator-nëntor 1944 ndaj invadimit të fuqive partizane jugosllave të Korpuseve XIV dhe XV në këto treva; luftimet e vitit 2001 etj.
KOHA: Rrethanat politike-shoqërore ndikuan në shumë qytete e fshatra shqiptare në Maqedoni. Por, më e prekur nga “dora e zezë” ishte Dibra me rrethinë. Sa historianët i dini plagët këtyre vendeve?
PURELLKU: Kryengritjes shqiptare e shtatorit të vitit 1913 kundër serbëve tani më është e njohur për neve. Ashtu që pas shtypjes së kryengritjes shqiptare, qyteti i Dibrës me rrethinë qe shndërruar në gërmadha nga dora e forcave ushtarake dhe atyre çetnike serbe (të “Cërna rukës“). Fillimisht ushtria serbe bëri granatime të tmerrshme me artileri. Pastaj, gjatë ripushtimit ushtria dhe çetat çetnike serbe në Dibër plaçkitën shtëpitë dhe shitoret (dyqanet), kurse atë që nuk mund të merrej/bartej me vete e asgjësonin. Kështu, asokohe Dibra tërësisht u rrënua nga forcat serbe. Ndërkaq, popullata e saj, në shumicë absolute shqiptare, mori arratinë drejt Drinit të Zi, por një pjesë e madhe e tyre nuk ia doli ta kalon Drinin ngase ushtria serbe i zuri dhe i masakroi. Gazeta serbe “Radniçke novine” e datës 27 dhjetor 1913, për këtë pohonte se: “nuk ngeli i gjallë asnjë njeri që do të rrëfente për skenat e llahtarshme. Banorët e fshatrave të krishterë për rreth u kujdesën t’i mbledhin dhe t’i përvetësonin pasurinë e njerëzve të masakruar”. Për rrjedhojë të masakrës serbe, qyteti i Dibrës, i cili para pushtimit serb numëronte rreth 20.000 banor, tani numëronte 2000 banorë. Ngjashëm e pësuan edhe fshatrat e Dibrës. Deri në fillim të tetorit e pësuan 37 fshatra të kësaj treve, nga të cilët; 5 fshatra u dogjën plotësisht, 20 u plaçkitën, 3 u dëmtuan nga zjarri etj. Banorët e fshatit Bllacë (Bllatë!) që të gjithë ishin vrarë, kurse gratë e fshatrave Vojnikë dhe Labej pasi dhunoheshin hidheshin në zjarr. Ndërkaq, 682 banorë qenë plaçkitur dhe shumica nga të cilët kishin mbetur pa shtëpi. Me një fjalë, në fshatrat e Dibrës nuk kishte mbetur shtëpi e pa prekur nga forcat ushtarake e çetnike serbe, nga ku gjithçka ishte rrëmbyer (plaçkitur) dhe ishte rrënuar.
KOHA: I nderuar profesor, Ju në një nga shumë punimet tuaja shkencore keni dhënë nocionin “Maqedoni” dhe “popull maqedonas” në vështrim historik. Për lexuesit tanë, mund të na thoni, me pak fjalë, cili është nocioni..?
PURRELLKU: Në periudha të caktuara historike nocioni “Maqedoni” ka pasur shtrirje gjeografike në rajone të caktuara të Ballkanit Jugor dhe domethënie të ndryshme. Edith Durham vlerësonte se: “Po ta marrësh hollë Maqedonia është një term shumë elastik, që kushdo mund ta përdorë sipas qejfit për territorin që dëshiron të aneksojë. Është një term i pasaktë dhe çorientues…” Kështu, në kohën e vjetër (antike) “Maqedonia” shtrihej në territorin midis lumenjve Haliakmona dhe Struma, në provincën e sotme greke të Maqedonisë dhe, kufiri i saj në veri shtrihej deri te Demir Kapia ku kufizohej me Pajoninë. Ndërkaq, edhe gjatë mesjetës territori i caktuar me emrin “Maqedoni” locohej në rajone të ndryshme të Ballkanit Jugor, varësisht nga koha, si p.sh. rreth shekullit XI-të “Maqedoni” quhej një rajon në Ballkanin jug-lindor diku në Thrakinë Lindore (në afërsi të Edrenesë së sotme). Ndërkaq administrata zyrtare osmane gjatë gjithë ekzistimit të saj në këto anë fare nuk njihte emërtimin “Maqedoni” në asnjë formë. Pas të ashtuquajturës “Kriza Lindore”(1853-1856) sërish ripërtërihet emri “Maqedoni”, por vetëm si kuptim gjeografik dhe jo etnografik, kufijtë e së cilës nga bullgarët shtyheshin në territor sa më të madh. Gjorgji Pulevski (Pules) në veprën e tij me titull “:”Fjalor nga tre gjuha,,,,), Beograd, 1875, vijën ndarëse të kufirit midis Maqedonisë dhe Shqipërisë e përcakton, si vijon: Maqedoni nga perëndimi shtrihet deri te lumi Katllanova-Mokrino (mali Jakupica)-fshati Barbaras (-në lindje të M. Brod–H.P.) – fshati Sop (-i Kërçovës) dhe fsh. Dolencë (- i Demir Hisarit.) e deri në Gjavatë (-ndërmjet Manastirit dhe Resnjës) për të vazhduar më tej përmes Pelisterit. Sot, në Ballkan ekzistojnë tri Maqedoni, dhe atë: Republika e Maqedonisë (FYROM); Provinca e Maqedonisë në Greqi; Maqedonia e Pirinit. Ndërkaq, nga burimet dhe literature historike, por dhe të vetë dokumenteve programore të të gjitha VMORO-ve të para Luftës II Botërore, konstatohet se deri në Luftën II Botërore me nocionin “popull maqedonas” kryesisht nënkuptohej populous apo demos dhe jo një etnos i veçantë, i përbërë nga pjesë të popujve të Ballkanit: bullgarë, grekë, shqiptarë, serb, turq, vlleh etj., pjesë e popujve që me shekuj jetojnë në Ballkan.
KOHA: Keni botuar shumë artikuj, fejtone. Duke pasur parasysh se atëbotë gazetarët, shkrimtarët, historianët, janë përndjekur, kërcënuar, burgosur e vrarë, si i keni tejkaluar këto barriera si historian? Pra, çfarë mund të na rrëfeni Ju si historishkrues?
PURRELLKU: Gjatë veprimtarisë sime si studiues kamë bërë hulumtime nëpër arkiva dhe biblioteka të ndryshme në Shkup, Beograd, Tiranë, Sofje dhe kam vjelë një sasi të konsiderueshme të burimeve arkivale dhe të literaturës shkencore, të cilës me fanatizëm i jam referuar në hartimin e punimeve të mija studimore, ku trajtohen kryesisht çështje jo vetëm të patrajtuara, por dhe fare të paprekura ose pak të njohura, por dhe të “nxehta”. Ndërkaq, “arsyet” për mos sanksionimin tim eventual i mbështes në këto fakte: Dekompozimi i sistemit komunist (fundi i viteve 80-ta dhe vitet 90-ta); mbështetja faktografike e shkencore e punimeve studimore të mija; guximi dhe konsekuenca intelektual e ndonjë tjetër.
KOHA: Çfarë thotë historia, shqiptarët kanë luftuar për ta ruajtur fenë, për ta mbrojtur trashëgiminë kulturore dhe historinë kombëtare? Në fakt, ku jemi sot?
PURRELLKU: Shqiptarët janë i vetmi popull në Ballkan që boshti koherent dhe koegzistent nuk është feja, po ndërgjegjja kombëtare apo shqiptaria. Përkundë sulmeve të pa reshtura që kanë ardhur dhe po vijnë nga Lindja (myslimane e ortodokse) “kështjella shqiptare” nuk do rrënohet, sepse ajo është ngritur ndër shekuj mbi një traditë të shembujve pozitiv të tolerancës, por kjo nuk do të thotë se ne duhet të flemë.
KOHA: Shpërngulja e organizuar e shqiptarëve nga Jugosllavia në Turqi, asimiloi një numër të bashkëkombësve tanë. Sot, shqiptarët ikin se kërkojnë punë, një jetë më të mirë, apo siguri?
PURRELLKU: Shpërngulja masive e shqiptarëve nga Jugosllavia, nga qarqet politike e shtetërore serbe/jugosllave, si para dhe pas Luftës Dytë Botërore, trajtohej si çështje me rëndësi nacionale dhe ushtarake-strategjike. Gjatë viteve tridhjeta të shekullit XX, midis Jugosllavisë e Turqisë, u arritën tri marrëveshje/konventa, mbi shpërnguljen e organizuar dhe me plan të shqiptarëve nga Jugosllavia në Turqi, nga të cilat më e veçanta ishte Konventa jugosllavo-turke e 13 korrik të vitit 1938, mbi shpërnguljen e mbi 250.000 “myslimanëve”. Procesi i shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi zhvillohej në dy mënyra, dhe atë: në mënyrë ilegale dhe në mënyrë legale, prandaj dhe është e vështirë të arrihet deri te numri i përgjithshëm i saktë i personave të shpërngulur. Do theksuar se një rol shumë aktiv në parandalimin e fushatave të shpërnguljes masive të shqiptarë luajti dhe Mbretëria Shqiptare me angazhimet e saja diplomatike e politike.
KOHA: Për hapjen e shkollave shqiptarët bënë përpjekje të mëdha. Sot shqiptarët në Maqedoni kanë shkolla, universitete. Si profesor, mund të na thoni ku është sot arsimi shqip. Si banor i Maqedonisë, ku është ky vend sot? Si familjar, a është familja një shtyllë mbrojtëse?
PURRELLKU: Procesi i arsimit dhe arsimimit të shqiptarëve në këtë republikë në ecje ka marrë dhe shumë goditje institucionale, me qëllim të pengimit të emancipimit masiv arsimor e kulturor i shqiptarëve. Nga goditjet e mëdha ishte edhe ajo e viteve 80-ta të shekullit XX në të gjitha poret e jetës shoqërore, në veçanti ndaj të gjitha niveleve të arsimit në gjuhën shqipe duke i shkaktuar tronditje të thella. Dimensionet e pasojave me këtë rast do ta ilustrojmë me këtë shembull: Në vitin shkollor 1980/1981 numri i nxënësve me mësim në gjuhën shqipe në shkollat e mesme në Republikë ishte 8226 nxënës, ndërkaq në vitin shkollor 1988/89 numri i nxënësve shqiptarë ra në 4200 nxënës apo 5,5 për qind në nivel republike. Kujtoj se arritja më e madhe në fushën e arsimit të shqiptarëve të kësaj republike është ngritja e Universitetit në Tetovë, si një qendër e fuqishme arsimore kombëtare. Historia ka dëshmuar se një popull pa qendrën e vete kulturore nuk ka perspektivë historike.