Ekonomistët thonë se kur debatohet për orët e punës, atëherë duhet të kihet parasysh cilësia dhe jo sasia e punës. Apo me fjalë të tjera, duhet vlerësuar se për produktivitetin dobër e kanë fajin më shumë faktorë – duke filluar nga organizimi i punës, teknologjia, pagat e kështu me radhë
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 15 prill – Punëtorët në Mal të Zi , Serbi, Greqi, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgari punojnë më shumë nga të gjitha shtetet në Evropë. Së paku, të dhënat e Agjencisë Evropiane të Statistikave tregojnë se Ballkani është rajoni më punëtor në Evropë. Sipas EUROSTAT-it, me 44.5 orë në javë vitin e kaluar, më së shumti kanë punuar punëtorët në Mal të Zi, të ndjekur nga punëtorët në Serbi me 42.6 orë në javë, punëtorët në Greqi me 41.4 orë dhe punëtorët në Maqedoni me 39.6 orë në javë. Njëherësh, në Gjermani përgjatë javës punohet 34.2 orë, në Francë 36.3 orë, në Itali 35.6 orë dhe në Spanjë punohet 36.4 orë në javë. Mirëpo, ekonomistët thonë se kur shtrohet në debat një temë e tillë e orëve të punës, atëherë duhet të debatohet cilësia dhe jo sasia e punës. Apo me fjalë të tjera, duhet analizuar se sa është produktiviteti i punëtorëve në vendin e punës në Maqedoni. Ato shtojnë më tej se me vite, raportet e ndryshme të huaja tregojnë se punëtorët në vend renditet ndër të fundit në Evropë lidhur me produktivitetin e një punëtori tek ne në raport me punëtorët e Bashkimit Evropian. Apo thënë ndryshe, vlerësohet se për produktivitetin e kanë fajin më shumë faktorë duke filluar nga organizimi i punës, teknologjia, pagat e kështu me radhë.
Profesori universitar, Neritan Turkeshi, thotë se një punëtor në Maqedoni nuk krijon as gjysmën e mesatares së vlerës që e krijojnë kolegët e tyre në Evropë , mirëpo shton se për këtë – më shumë e kanë fajin të tjerët se vetë punëtori. “I njëjti punëtor nga Maqedoni kur shkon në Gjermani apo Itali, renditet ndër punëtorët më të vyer dhe më të çmuar, andaj edhe shtrohet edhe çështja se pse atje punëtori jonë ka rendiment të lartë të punës, ndërsa në vendin tonë – nuk mund të dallohet më produktivitet më të madh. Atje zbatohet një menaxhment më i mirë i punës, pagat paraqesin një stimulim të madh për punë, më pak është e pranishme teknologjia e vjetër dhe puna e dorës…”, shton Turkeshi.
Sipas tij, shteti në përgjithësi nevojitet të krijojë, por edhe të investojë në një ambient më të mirë për biznes me përmirësimin e konkurrencës dhe produktivitetit të ekonomisë, si dhe orientimin më të madh ndaj eksportit të ekonomisë vendore, që do të sjellë për disa vite edhe paga më të larta dhe rritje të produktivitetit të punëtorëve në vend. Në ndërkohë, edhe analizat e Bankës Botërore viteve të fundit e përmend ngecjen e vendit lidhur me produktivitetin në punë. “Produktiviteti që është kritik për nxitjen e rritjes ekonomik dhe hapjen e më shumë vendeve të punës – që do të jenë edhe më mirë të paguara, është i ulët dhe rritet ngadalë. Në dekadën e fundit, pak është ndryshuar struktura e ekonomisë. Investimet e rritura të huaja në sektorët e orientuar në eksport nuk kanë krijuar shumë lidhje me kompanitë vendore, ndërsa eksporti i shërbimeve paraqet vetëm 25 për qind të eksportit të përgjithshëm. Ndër firmat private, resurset nuk lëvizin nga kompanitë më pak produktive ndaj atyre më produktive. Gjithsesi , shumica e vendeve të punës në gjenden në sektorët me produktivitet të ulët, ndërsa shumë kompani janë të vogla dhe jo konkurruese”, thuhet në raportin e fundit të Bankës Botërore.
Në ekonomitë e avancuara si SHBA-të, vijon më tej raporti, 10 për qind e firmave të para më produktive janë dyfish më produktive në raport me dhjetë firmat të fundit lidhur me produktivitetin. Në Maqedoni, 10 për qind e firmave të para janë shtatë herë më produktive se ato më të dobëtat. “Gjithashtu, politikat për përkrahjen e bujqësisë e rrisin jo efikasitetin dhe e ngadalësojnë transformimin strukturor përmes dekurajimit të punëtorëve të kalojnë në vendet e punës më produktive jo vetëm në bujqësi, por edhe në industri dhe shërbime. Edhe kapitali joadekuat njerëzor e përkufizon produktivitetin. Punëtori mesatar në prodhimtari dhe shërbime në Evropë dhe Azinë Qendrore është katër herë më produktiv se punëtori në Maqedoni. Thelbi i këtij problemi qëndron në nivelin e ulët të shkathtësive , ku 70 për qind e 15 vjeçarëve në Maqedoni nuk i posedojnë shkathtësitë themelore të leximit dhe numrave, ndërsa punëdhënësit theksojnë mungesën e shkathtësive si pengesën kryesore për udhëheqjen e biznesit”, thuhet në analizën e Bankës Botërore. (koha.mk)