Arsyet më të shpeshta që njerëzit bëhen të pastrehë janë falimentimi i bizneseve të caktuara, marrëdhëniet familjare të pazgjidhura, alkoolizmi, problemet psikologjike, depresioni dhe çrregullimet e ndryshme nervore, kurse institucionet shtetërore po punojnë me qëllim që t’i integrojë këta njerëz në shoqëri për të mos u bërë të varur nga të tjerët
Remzije BILALLI
Shkup, 12 tetor – Rreth 180 persona të pastrehë nga Shkupi, më shumë se 10 vite, kanë mundësi ti shfrytëzojnë shërbimet e të pastrehëve në pikën Momin Potok. Dy herë gjatë javës ata marrin këshilla dhe mbështetje nga një psikolog, punonjës social, shërbime shëndetësore, medikamente, veshje dhe mirëmbajnë higjienën personale.
Nga Kryqi i Kuq i qytetit të Shkupit deklaruan se bëhet fjalë për një kategori qytetarësh që për arsye të ndryshme përfundojnë jetën në rrugët e kryeqytetit. Këto shërbime jepen për 10 vite me radhë në këto pika me qëllim që t’i integrojë këta njerëz në shoqëri për të mos u bërë të varur nga të tjerët. Prandaj ata marrin këshilla, mbështetje psikologjike, dmth. bëhet gjithçka për të kthyer jetën në duart e tyre.
” Vitin e ardhshëm do të bëhen përpjekje për të përmirësuar këto pika për të pastrehët, duke ndërtuar një dhomë për ngrënie dhe një dhomë të veçantë për mbështetjen individuale të individëve, sepse vlerësimet treguan se japin sukses të mirë dhe se në këtë mënyrë 10 prej këtyre personave tashmë janë të punësuar dhe janë kthyer në rrjedhën normale të jetës së tyre”, tha Suzana Tuneva Paunovska, sekretare e Kryqit të Kuq të qytetit të Shkupit. Sipas saj, fakti që numri i personave të pastrehë po rritet është shqetësues, por, siç tha ajo, nuk dihet nëse kjo është rritje reale e numrit, apo ndoshta këta persona janë fshehur duke mos përdorur shërbimet e pikave deri më tani.
“Dy javë më parë, numri i njerëzve që vizitonin pikën në ditë lëvizte nga 48 në 55, dhe në dy javët e fundit numri njerëzve është rritur në 65”, tha Paunovska.
Arsyet më të shpeshta që këta njerëz bëhen të pastrehë janë falimentimi i bizneseve të caktuara, marrëdhëniet familjare të pazgjidhura, alkoolizmi, problemet psikologjike, depresioni dhe çrregullimet e ndryshme nervore. Kryqi i Kuq informoi se do të bëhen përpjekje që në të ardhmen këto pika të punojnë 24 orë gjatë gjithë vitit, sepse vetëm me kontakte të përditshme me këto njerëz mund të punojnë në risocializimin e tyre dhe ri-integrimin në shoqëri.
Ndërsa për nder të Ditës Botërore për të pastrehët më 10 tetor, në kuadër të kremtimit në pikën Momin Potok për personat e pastrehë u sigurua drekë, donacion nga personat privat, si dhe shpërndarja e këpucëve për 70 persona. Kjo pikë financohet nga qyteti i Shkupit dhe disa kompani qytetare.