Tridhjetë ditë paraburgim mori S.R.(49) nga Jançishta e Tetovës i dyshuar për vrasjen e holandezit Jos. M (59), pronar i fidanishtes “Europlants” në Prelubishtë të Tetovës, informojnë nga SPB Tetovë.
Pas ngjarjes së djeshme, S.R. i cili ka qenë i punësuar në fidanishte u privua nga liria, ndërsa pas ekspertizës së bërë dhe bisedës me të në stacionin e policisë, policia e Tetovës në Prokurori ka shtruar padi penale për vrasje.
“Me parashtresë përkatëse në Gjykatën Themelore në Tetovë, i dyshuari është nxjerrë përpara gjykatësit në procedurë paraprake i cili i ka përcaktuar masë paraburgimi në kohëzgjatje prej 30 ditësh”, njoftoi sot SPB Tetovë.
Sipas të dhënave paraprake nga ekspertiza në vendin e ngjarjes dhe bisedat me stafin, vrasjes i kishte paraprirë zënkë verbale dhe fizike. Punonjësi me gurë disa herë e kishte goditur dhe e kishte vrarë pronarin e fidanishtes.
Shtetasi holandez para dhjetë viteve, si koncesionar i pronës së agrokombinatit “Borec” e kishte filluar punën në fidanishten “Europlants”.
Sipas informatave të postuara në faqen e internetit të Europlants, në sipërfaqe prej 375 hektarësh kultivohen pemë të ndryshme dekorative dhe zbukuruese që shiten në mbarë botën. (koha.mk)