Shkup, 22 dhjetor – “Propozime dhe vendime për probleme në arsimin turk në Maqedoni” është titulluar punëtoria dyditore e cila këtë fundjavë do të mbahet në Shkup, në organizim të Qendrës kulturore turke “Junus Emre” dhe Shërbimi pedagogjik pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës me mbështetje të Agjencisë turke për zhvillim dhe bashkëpunim TIKA. Do të marrin pjesë edhe përfaqësues nga të gjitha shkollat në të cilat zhvillohet mësim në gjuhën turke në Maqedoni dhe ato janë 35 shkolla fillore dhe 13 shkolla të mesme. Drejtori i Shërbimit pedagogjik pranë MASH-it, Muedin Kahvexhi, sot në konferencë për shtyp tha se e kanë iniciuar punëtorinë që të konkretizohen problemet që ekzistojnë në arsimin në gjuhën turke – hapësinore, kuadrovike etj, që të jepen propozime për tejkalimin e tyre. Si kompetent për librat për të gjitha gjuhët në Maqedoni, ai theksoi se në dy vitet e fundit mësimore është tejkaluar problemi me librat në gjuhën turke dhe se 80 për qind e librave në gjuhën turke në arsimin e mesëm sigurohen përmes blerjes dhe distribuohen në shkolla. Punëtorinë të shtunën dhe të dielën do ta financojë Qendra kulturore turke “Junus Emre”-Shkup. Drejtori Fuad Korkmaz shprehu kënaqësi që do ta organizojnë ngjarjen në partneritet me MASH-in duke theksuar se nga hapja e Qendrës në Maqedoni në vitin 2010 kanë marrë pjesë në realizimin e shumë projekteve të suksesshme. Midis tyre janë edhe kurset për ruajtjen e gjuhës turke të cilat i kanë vizituar rreth tre mijë shtetas të Maqedonisë. Emine Gizem Bashkan, zëvendës-koordinuese programuese në TIKA shtoi se në të gjitha problemet nga kjo sferë, arsimit i kushtojnë vëmendje të madhe dhe pret që punëtoria e ardhshme të jetë e suksesshme dhe të dalin rezultate konkrete.