Analisti ekonomik, Arben Halili thotë se në një situatë kur kemi të bëjmë me rritje të papërballueshme të çmimeve, nuk mund të pritet që të punësuarit të mos kërkojnë paga më të larta si rrjedhojë e rritjes së kostos së jetesës
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 24 qershor – Standardi i qytetarëve me nën 50 për qind të mesatares evropiane, inflacioni dyshifror, shtrenjtimet në çdo hap, rritja e madhe edhe e naftës dhe rrymës prej 10 për qind në dhjetor dhe për 10 për qind muajin e ardhshëm, kanë ngritur alarmin tek sindikatat që kërkojnë rritje pagash prej 50 euro për të punësuarit në sektorin publik dhe privat. Rrallë ndonjë ekonomist në vend nuk pajtohet se në një kohe të tillë të një furtune ekonomike, shteti duhet të bëjë çmos dhe të gjejë mjetet e nevojshme për rritjen e pagave të punëtorëve.
SHTRENJTIMI I JETESËS KËRKON PAGA MË TË LARTA
Analisti ekonomik, Arben Halili në një prononcim për gazetën KOHA thotë se në një situatë kur kemi të bëjmë me krizë financiare të madhe, si dhe kur kemi rritje të papërballueshme të çmimeve, nuk mund të pritet që të punësuarit të mos kërkojnë hakun e tyre, apo paga më të larta si rrjedhojë e rritjes së kostos së jetesës. “Një punonjës në adminstratën e shtetit që vjen nga Tetova në Shkup, vetëm për shpenizmet e rrugës apo për tiketën mujore i nevojiten 6000 denarë, kur kësaj i shtohen edhe fatura prej 4000 denarë e rrymës, duke mos llogarritur ushqimin, atij i mbetet vetëm 10 mijë denarë për të kapërcyer muajin me familjen katëranëtarëshe. Andaj në këtë drejtim është obligim jo vetëm i shtetit, por edhe i sektorit privat që të harmonizojë pagat me nivelin e rritjes së çmimeve“, thekson Halili.
Sipas tij, duke marrë parasysh edhe rritjen e madhe vetëm të produketeve bazë ushqimore, po rriten me të madhe edhe shpenzimet për individët që nuk duhet të punojnë as për hatër të shtetit dhe apo sektorit privat. “Në një kohë krize, shteti nevojitet të gjejë mjetet e nevojshme për rritjen e pagave me shkurtimin në maksimum të shpenzimeve jo produktive duke filluar nga ato për blerjen e veturave zyrtare, qarkullimin e tyre, dhe të ngjashme duke anuluar për shembull shpenzimet për ndërtimin e përmendoreve, ngjarjeve kulturore dhe të ngjashme dhe duke këmbëngulur vetëm në realizimin e investimeve kapitale që paraqesin shpenzim, por edhe e mbajnë gjallë sektorin e biznesit.
Njëherësh në aspektin afatgjatë, nevojitet të ndërmerren masa serioze, në drejtim të zvogëlimit të numrit të administratorëve të panevojshëm, të rritet prorduktiviteti i tyre me qëllim që ato të motivohen të punojnë më shumë dhe paguhen më shumë”, konstaton Halili.
EKZEKUTIVI PËR PAGA MË TË LARTA ME DIALOG
Nga ekzekutivi thonë se pagat duhet të rregullohen përmes dialogut social, dhe se duhet të rriten përmes një zgjidhje të qëndrueshme dhe jo me zgjidhje ad hok, përderisa opozita disa herë ka kërkuar rritjen e pagave në sektorin publik përmes respektimit të marrëveshjeve kolektive.
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska thotë se Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive dhe dialogu social për Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive duhet të vazhdojnë dhe do të vazhdojë dhe aty do të gjejmë zgjidhjen sistemore. Kjo është një metodologji e re që do të përfshihet në Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive dhe që do të thotë zgjidhje sistematike, për problemin e pagave në sektorin publik, apo rritjen e vazhdueshme të pagave të punëtorëve në sektorin publik. “Rritja lineare e pagave për 2806 denarë nuk është zgjidhje. Qeveria tregon vullnet politik, dhe gatishmëri për të gjetur zgjidhje dhe apelojmë që të vazhdojë dialogu social për të arritur një zgjidhje që do ta zgjidhë problemin e të punësuarve në sektorin publik”, thekson Trençevska.
Impenjimi për rritjen lineare të pagave po ndodh në kohën kur me të madhe po zhvlerësohet vlefta e pagave, dhe rritjes së madhe së jetesës së përditshme. Një pjesë e ekspertëve e të drejtave të punëtorëve thonë se pagat duhet të rriten, por me dialog dhe jo përmes masave radikale. “Shtrohet çështja se a është tani momenti i qëlluar për një grevë të përgjithme, se sa ka të holla që të kënaqen kërkesat e sindikalistëve. Për më tepër tani gjendemi në pritje të zgjidhjes që pritet nga Brukseli, situatës me Bullgarinë, po pritet se si do të pë rfudnojë gjendja në Ukrainë. Andaj në momente të tilla nevojitet më shumë durim dhe fillimi i një dialogu serioz për të arritur një zgjidhje sistemore që nënkupton rritjen e pagave në bazë të procedurave ligjore, si dhe të zgjidhen një nga një problemet për një periudhë më të gjatë. Në të kundërtën mund të kemi edhe falimentim të shtetit”, thotë Drage Jovanoski, ekspert për çështjet e punëtorëve.
EDHE NË PRIVAT KËRKOHET RRITJE PAGASH
Në ndërkohë një pjesë e sindikatave edhe në sektorin privat thonë se po përballen me një kërkesë e anëtarësisë për grevë. “Po zien edhe në sektorin privat, ku është e vështirë të negociohet për harmonizimin e pagave me pagën minimale. Në sektorin privat tashmë kemi paga të barabarta në më shumë vende pune që kontribuon pët pakënaqësinë e punonjësve. Ka kërkesa nga sindikatat për organizimin e grevës së përgjithshme, por për këtë sektor është shumë më e vështirë të shkohet me këtë opsion“, thotë sekretarja e përgjithshme e Sindikatës së Industrisë, Energjetikës, dhe Xehetarisë, Mare Ançeva. Ajo shton se negociatat me punëdhënësit e sektorit privat janë shumë më të vështira se sa për sektorin publik. Kemi negociata të vështira me punëdhënësit për një rritje prej 2 ose 3 për qind të pagave, të cilët zakonisht përpiqen të shmangin rritjen duke shantazhuar punëtorët. Por me kaq nuk përfundon lufta për të drejtat e punëtorëve, thotë Ançeva.
Sipas saj, sado të dhimbshme të jenë negociatat e qeverisë me FMN-në për kredinë e re, nuk duhet lejuar që punëtorët të vuajnë të parët dhe e drejta e tyre për të marrë një rrogë të dinjitetshme. Ne e dimë se negociatat me institucionet financiare ndërkombëtare për të marrë një kredi janë të vështira. Reagimi i parë i këtyre institucioneve është shkurtimi dhe ku ai bëhet më shpejt? Tek të drejtat e punëtorëve, pra pagat e tyre. Por duke pasur parasysh gjendjen e punëtorëve tani, nuk duhet lejuar që kjo të bie mbi shpinën e tyre, shton ajo.
PAGAT E ULËTA LARG MESATARES
Ndryshe përkundër asaj se paga mesatare në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 31 mijë e 525, megjithatë analizat e ndryshme tregojnë se një pjesë e madhe e punëtorëve në vend, jo vetëm se marrin paga shumë më të vogla se 500 euro, por një pjesë e konsiderueshme e tyre punojnë për paga minimale apo pak më shumë se pagat minimale prej 18 mijë denarë. Përllogaritjet e institutit ekonomik Fajnens Think tregojnë se paga mesatare në vend është 21 mijë denarë. Gjysma e punëtorëve paguhen deri në këtë shumë, ndërsa bile 80 për qind kanë paga që janë më të ulëta se paga e arritur mesatare prej 31 mijë denarë në muajin mars. Njëherësh analizat e tyre tregojnë se gati 170 mijë të punësuar që janë paguar nën 18 mijë denarë më parë, tani janë barazuar me grupin e 50 mijë punëtorëve me të ardhura prej 18-20 mijë punëtorë. Nga ana tjetër, edhe paga mesatare prej 31 mijë denarë për 7000 denarë nuk arrin koston e shportës sindikale prej 38 mijë denarë, apo edhe dy paga minimale me 36 mijë denarë për 2000 denarë nuk arrin vlerën e shportës sindikale minimale. Kjo nënkupton se as me dy paga minimale nuk mund të kënaqen nevojat themelore jetësore për një familje me katër anëtarë. Analizat e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë tregojnë se nga fillimi i këtij viti, vlera e shportës është rritur për 2980 denarë, ndërsa për një vit vlera e saj ë shtë rritur për 4635 denarë.
NGA MUAJI NË MUAJ, AS NUK MUND TË LLOGARITEN SHTRENJTIMET
Nga muaji në muaj, kostoja e jetesës së një familjeje prej katër anëtarësh po rritet në mënyrë drastike, teksa pagat nuk ndjekin të njëjtën rritje. Shporta minimale sindikale e llogaritur nga LSM për muajin maj është 38.791 denarë, ndërsa nga janari 2022 (35.811 denarë) është rritur për 2.980 denarë ose 8,32 për qind. Vetëm për një vit ose nga viti i kaluar 2021, në muajin e njëjtë apo në muajin maj kur shporta minimale sindikaliste ishte 34.156 denarë, e njëjta është rritur për 4.635 denarë ose 12,78 për qind. Sipas analizës së LSM-së, rritja e shportës minimale sindikaliste po tregon trend në rritje, për shkak të rritjes tejet të madhe të çmimeve. Rritja më e madhe po shënohet tek te ushqimet dhe pijet me 3.3 për qind në raport me muajin paraardhës në mars 2022, ndërsa krahasuar me vitin e kaluar 2021 i njëjti muaj është rritur me 17 për qind. Rritja e çmimeve dhe rritja e inflacionit prej 11.9 për qind ndikojnë në uljen e fuqisë blerëse të punëtorëve, prandaj LSM me të drejtë kërkon rritje të pagave të të gjithë punonjësve si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, pavarësisht kundërshtimeve evidente të disa subjekteve që janë kundër rritjes së pagave të punëtorëve. (koha.mk)