Spahiu informon se aktualisht – në 12 ndërmarrje dhe firma shtetërore dhe private, ka probleme me pagesën e kontributeve. Sa u takon ndërmarrjeve – në këtë grup hyn edhe ndërmarrja komunale publike “Standardi” në Dibër dhe ndërmarrja komunale publike “Kale” në Qendër Zhupë. Po ashtu, probleme me pagesat e kontributeve kanë edhe dhjetë firma private kryesisht në sferën e ndërtimtarisë dhe tregtisë
Vjollca SADIKU
Dibër, 20 shkurt – Në Komunën e Dibrës, përveç problemit të papunësisë një pjesë e mirë edhe e atyre që punojnë kanë probleme me mos pagesën e kontributeve. Tani më vite me radhë ka ndërmarrje publike, por edhe firma private që rrogat mujore të punëtorëve i paguajnë pa kontribute, edhe pse një veprim i tillë është lundër ligjit, megjithëse deri tani – nuk janë shqiptuar dënime nga institucionet kompetente. Në Njësinë e Fondit për Sigurim Shëndetësor në Dibër informojnë se tanimë disa vite me rrallë nuk paguhen kontribute në disa ndërmarrje komunale publike. Udhëheqësi i kësaj njësie, Fuat Spahiu, na informoi se aktualisht – në 12 ndërmarrje dhe firma ka probleme me pagesën e kontributeve. Sa u takon ndërmarrjeve – në këtë grup hyn edhe ndërmarrja komunale publike “Standardi” në Dibër dhe ndërmarrja komunale publike “Kale” në Qendër Zhupë. Po ashtu, probleme me pagesat e kontributeve kanë edhe dhjetë firma private kryesisht në sferën e ndërtimtarisë dhe tregtisë. Bëhet fjalë për diçka më shumë se 100 të punësuar, të cilët kanë probleme me mospagesën e kontributeve në Fondin për Shëndetësi dhe Fondit pesional-invalidor, thotë për KOHA, Spahiu.
Në bisedën që patëm me punëtor të ndërmarrjes komunale publike “Standardi”, ku punojnë mbi 80 punëtorë, u informuam se në kontinuitet shprehin shqetësime rreth këtij problemi. “Është një problem i cili ka filluar para afër 15 viteve që kur ndërmarrja, për shkak të problemeve financiare, ka ndërprerë pagesën e kontributeve të të gjithë të punësuarve edhe atë duke filluar nga administrata e deri tek sektori për mirëmbajtje të higjienës publike. Në këtë ndërmarrje, ka patur edhe grevë, por ajo nuk ka dhënë rezultate. Është debatuar edhe në nivel të pushtetit vendor i cili është edhe themelues i ndërmarrjes komunale. Problemi kryesor qëndron tek borxhet e mëdha që ka ndërmarrja ndaj fondeve, por edhe borxheve që qytetarët dhe firmat i kanë Standardit”, thonë të punësuarit.
Punëtorët të cilët dalin në pension nga kjo ndërmarrje publike reagojnë për pensione shumë të ulëta. Problemi kryesor qëndron tek mos pagesa e kontributeve ndaj Fondeve. Po ashtu ka patur punëtorë, të cilët për shkaqe shëndetësore, kanë pasur intervenime të ndryshme kirurgjike, por që në fund – shërbimet janë paguar në mënyrë solidare, por edhe në mënyrë personale.
Po e njëjta situatë ndodh edhe në ndërmarrjen komunale publike “Kale” në Qendër Zhupë. Edhe pse pushteti vendor deri tani ka intervenuar me mjetet buxhetore për mbulimin e borxheve, përsëri një pjesë e punëtorëve marrin rroga pa ju paguar kontributi shëndetësor dhe pensionale. Udhëheqësia e ndërmarrjes shpreson se pas bisedimeve me udhëheqësin e Komunës Qendër Zhupë, do të paguhen tërësisht borxhet ndaj Fondit për Shëndetësi dhe Fondit Pensional-Invalidor. Në një situatë të këtillë udhëheqësit e të dy komunave, por edhe të të dy ndërmarrjeve komunale kanë patur takime me përfaqësues të Qeverisë me qëllim që kjo e fundit të ndihmojë në mbulimin e borxheve ndaj Fondeve. (koha.mk)