Komuna e Tetovës ka marrë një grant për vazhdimin e këtij bulevardi deri tek kazerma e qytetit, por kur punët do të fillojnë në mënyrë intensive nuk dihet. Në ndërkohë, përgjatë tërë bulevardit janë vendosur shenja se kryhen punë ndërtimore dhe kjo e vështirëson më shumë zhvillimin e komunikacionit
Urim HASIPI
Tetovë, 18 shtator – Aktualisht janë duke u bërë parapërgatitjet për asfaltimin e bulevardit në rrugën Industriale në Tetovë. Gati se dy javë më parë kanë filluar rregullimet e një pjesë të kanalizimit dhe mbushjes së gropave. Më pas pritet që të fillojë asfaltimi i këtij bulevardi të rëndësishëm për zhvillimin e komunikacionit në qytetin e Tetovës, shkruan gazeta KOHA. Ky bulevard njëkohësisht shfrytëzohet edhe nga banorët që destinacion nuk e kanë Tetovën, por Komunën e Gostivarit, Bërvenicës dhe Bogovinës.
Pikërisht kjo ka bërë që kjo rrugë të jetë edhe e stërngarkuar dhe e vështirë për qarkullim gjatë orëve të pasdites. Në ndërkohë, sa i përket vazhdimit të bulevardit “V.S Bato” që njihet si bulevardi në rrugën Industriale, tashmë Komuna e Tetovës ka siguruar mjetet e nevojshme. Kjo është bërë e ditur disa ditë më parë nga kryetarja e Komunës së Tetovës Teuta Arifi, pasi që kishte nënshkruar marrëveshje me ministrinë e financave për marrjen e mjeteve si pjesë e kredisë nga Banka Botërore në drejtim të kostos së përmirësimit të shërbimeve komunale.
Nga Qendra për Zhvillim të Barabartë të Rajonit Planor të Pollogut kanë njoftuar se asfaltimin e këtij bulevardi do ta bëjë Ndërmarra Publike për Rrugë Shtetërore në bashkëpunim me Komunën. “Kërkesat formalisht kanë shkuar nga Qendra për Zhvillim të Barabartë të rajonit Planor të Pollogut kurse bartës dhe interesin madhor e ka Komuna e Tetovës për këtë projekt. Sipas të gjitha gjasave, asfaltimin e rrugës Industriale do ta bëjë ndërmarrja Publike për rrugë shtetërore” tha Fatmir Saiti, drejtor i Qendrës për Zhvillim të Barabartë të Rajonit Planor të Pollogut.
Nga ana e Komunës së Tetovës kohë më parë ishte paralajmëruar edhe largimi i semaforëve dhe vendosja e një rrethrrotullimi. Por kjo është lënë për vitin e ardhshëm dhe këtë vit nuk do të ndërtohet. Propozim-vendim për dhënie prioritet “Projektit për ndërtimin e rrethrrotullimit tek udhëkryqi ndërmjet Bulevardit ‘V.S. Bato’ dhe rrugës ‘29 Nëntori’ në komunën e Tetovës” kishte marrë dritë jeshile vitin e kaluar nga ana e këshilltarëve. Nga Komuna e Tetovës kanë njoftuar se punët teknike në teren është duke i kryer Komuna e Tetovës me sanimin e problemeve me kanalizimin atmosferik, ndërsa pritet që të ketë edhe një takim mes kryetares së Komunës së Tetovës Teuta Arifi dhe drejtorit të ri të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore lidhur me asfaltimin e këtij bulevardi.
“Komuna është duke sanuar gropat në atë pjesë të qytetit. Po ashtu edhe duke mbuluar edhe kapakët e kanalizimit që kanë qenë të hapura ndër vite. Punët tjera pritet që të bëhen në koordinim me Ndërmarrjen Publike për Rrugë Shtetërore, pasi që nuk është vetëm bulevardi në rrugën Industriale por është edhe rruga në fshatin Poroj një pjesë që duhet të asfaltohet, prandaj duhet një koordinim” theksuan nga Komuna e Tetovës.
Ndryshe, Komuna e Tetovës ka marrë një grant për vazhdimin e këtij bulevardi deri tek kazerma e qytetit, por kur punët do të fillojnë në mënyrë intensive nuk dihet. Në ndërkohë përgjatë tërë bulevardit janë vendosur shenja se kryhen punë ndërtimore dhe kjo e vështirëson më shumë zhvillimin e komunikacionit. Qytetarët janë ankuar se punët duhet që të përfundojnë sa më shpejtë, sepse kaosi është i përditshëm në këtë bulevard. (koha.mk)