Urim HASIPI
Tetovë, 24 shkurt – Është mbajtur në Tetovë konferenca lokale për krijimin e strategjive lokale për përfshirje sociale të të rinjve dhe grave në kuadër të projektit “Platforma maqedonase aktive për përfshirje sociale”, mbështetur nga Bashkimi Evropian, shkruan gazeta KOHA. Biljana Janeva, drejtoreshë e Institutit ekonomik strategjik në Ohër, tha se është paraparë që në 18 komuna të krijohen strategji lokale për përfshirje të të rinjve dhe grave.
“Qëllimi i kësaj konference lokale është që të bashkohen të gjithë përfaqësuesit në nivel lokal, përfaqësues të institucioneve, Organizatat që kanë në fokus gratë dhe të rinjtë, me qëllim që të krijohet një platformë në Komunën e Tetovës, e cila më pas do të jetë prioritetet për pushtetin e ardhshëm lokal. Në Komunën e Tetovës nuk ekziston strategji për përfshirje sociale të grupeve të margjinalizuara dhe ky projekt është një mundësi e mirë që të gjithë të kontribuojnë në krijimin e kësaj strategjie”, tha Janeva.
Në ndërkohë, Xhane Kreshova, nga Forumi i Gruas në Tetovë, thotë se problem më i madh i grave është punësimi. Sipas saj, këto probleme nuk janë zbuluar tash, por ekzistojnë vite me radhë. “Mirëpo, ne aq i kemi kapacitetet financiare si shoqata joqeveritare që të zgjidhim të gjithë ato probleme. Problemi i parë i grave është punësimi dhe vlen të përmendet fakti se gruaja nga viset rurale dëshiron që të kyçet, mirëpo ne mundemi që vetëm t`ju mundësojmë trajnime, marrjen e certifikatave që janë trajnuar në ndonjë zanat që mund ta bëjnë, të paktën që të kontribuojnë në buxhetin familjarë dhe të kyçet njëkohësisht në rrjedhat shoqërore”, tha Xhane Kreshova, nga Forumi i Gruas në Tetovë. Ajo më tej nënvizoi se sa i takon dhunës në familje, ky forum ofron ndihmë juridike për viktimat, por kjo nuk është zgjidhje.
“Ata nuk kanë nevojë vetëm për ndihmë juridike, por kanë nevojë edhe për strehimore, ngase pas një kohe ata ngelin në rrugë pa asnjë ndihmë tjetër. Edhe pse gruaja ka të drejtë që të qëndrojë në atë shtëpi gjashtë muaj, me mundësi edhe për gjashtë muaj tjera, por më pas ajo nuk ka rrugëdalje dhe duhet ta lëshon shtëpinë. Por, ne kështu nuk kemi zgjidhur asgjë, por duhet Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe pushteti lokal që të ndërtojnë strehimore”, tha ajo. Në ndërkohë, ajo ka shtruar nevojë edhe për hapjen e sporteleve ku viktimat do të mund të denonconin dhunën në mënyrë zyrtare tek institucionet. Aktivitetet e projektit janë në drejtim të përforcimit të bashkëpunimit vetëqeverisjes lokale, institucioneve qeveritare,organizatat joqeveritare në formimin, zbatimin dhe ndjekjen e programeve për përfshirje sociale me fokus të veçantë në ndërtim të partneriteteve, rrjetëzimit dhe bashkëpunimit. Qëllimi i Konferencës ishte të tubojë të gjithë aktorët që do të marrin pjesë në Platformën aktive lokale për përfshirje sociale të të rinjve dhe grave në Komunën e Tetovës dhe e njëjta do të paraqes pikënisje për punë të vazhdueshme, krijimin e bazës për bashkëpunim të mëtutjeshëm dhe zhvillim të dialogut.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.