Para dhjetë vitesh, Kosova dhe Shqipëria nuk ka figuruar as në top pesëshin e shteteve, të cilat kanë angazhuar të punojnë në Maqedoni, ndërsa dhjetë vite më vonë – Kosova dhe Shqipëria renditen në vendin e tretë dhe të katërt
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 16 gusht – Rritja e investimeve të huaja si dhe thjeshtësimi i procedurave ka rritur dukshëm numrin e punëtorëve të huaj në shtet në vitet e fundit. Bile, në dhjetë vitet e fundit është rritur për dy herë e gjysmë numri i shtetasve të huaj që punojnë në Maqedoninë e Veriut. Sipas të dhënave të Agjencisë së Punësimit, në vitin 2009 janë lëshuar 1254 leje pune, ndërsa dhjetë vite më vonë, apo në vitin 2018 – është rritur numri i punëtorëve të huaj në 3978, shkruan gazeta KOHA.
Pesë shtetet kryesore prej nga vijnë punëtorët e huaj tek ne janë Turqia me 1092 persona, Serbia me 507 persona, Shqipëria me 393 persona, Kosova me 261 persona dhe Greqia me 231. Njëherazi, para dhjetë vitesh, Kosova dhe Shqipëria nuk ka figuruar jo vetëm në top dhjetësh, por as në top pesëshin e shteteve, të cilat kanë angazhuar të punojnë në Maqedoni për punë të përkohshme, ndërsa dhjetë vite më vonë – Kosova dhe Shqipëria renditen në vendin e tretë dhe të katërt sipas totalit të shtetasve të tyre që punojnë në Maqedoni.
Këtë e dëshmojnë edhe të dhënat e Agjencisë së Punësimit sipas së cilave, në vitin 2009, në vendin e parë me 337 punëtorë ka qenë Turqia , e pasuar nga Serbia me 161 punëtorë, Greqia me 122 punëtorë , Bullgaria me 61 punëtorë dhe Gjermania me 57 punëtorë. Struktura arsimore e të huajve tregon se dominojnë 1866 punëtorë me shkollë të mesme dhe 664 punëtorë me arsim fillor. Mirëpo nuk është i vogël edhe numri i të punësuarve me arsim të lartë ku punojnë edhe 15 doktorë shkencash dhe 48 magjistra në institucionet e ndryshme të larta arsimore në shtet e ku dallohet Universiteti Ballkanik, që së fundmi ndërtoi edhe kampusin e tij universitar në Shkup.
Në ndërkohë, nuk janë të pakët në numër edhe punëtorët nga Kosova dhe Shqipëria që punojnë në Maqedoni. Biznesi nga Kosova dhe Shqipëria , përveç në shoqëritë e sigurimeve, hapjen e qendrave tregtare nga ana e kompanisë ETC në Gostivar dhe Shtip, ka investuar edhe në qendrën tregtare Siti Moll, si dhe në ndërtimin e banesave, ndërsa janë të angazhuara edhe në ndërtimin e aksit rrugor Kërçovë-Ohër dhe objekte të tjera infrastrukturore. Me blerjen e Panairit të Shkupit nga ana kompanisë Balfin, ku parashikohet ndërtimi i një kompleksi gjigand afarist dhe banesor, mund të pritet angazhimi i mëtejshëm i fuqisë punëtorë nga Shqipëria. Gjithashtu, afaristët nga Kosova kanë hapur edhe më shumë furra buke për të cilat kanë angazhuar fuqi punëtore nga jashtë.
Në vitet e kaluara, lejet e punës më së shpeshti janë lëshuar për menaxherë dhe drejtorë të kompanive të ndryshme të huaja që punojnë në vend. Mirëpo, në tregun vendor të punës janë aktiv edhe të huaj të profesioneve të tjera si rrobaqepës, ekonomistë, punëtorë të thjeshtë në linjën prodhuese, bukëpjekës, kuzhinier, inxhinier i tekstilit, futbollistë të huaj që aktivizohen për ekipet e futbollit, etj
Nga ana tjetër, fabrikat e huaja në Zonat e lira ekonomike ku dominon industria automobilistike, minierat, telekomunikacioni, teknologjia informatike, ndërtimi, tregtia, bankat, spitalet, qendrat distributive apo shpërndarëse, shkollat e mesme, fakultetet apo universitetet, janë vetëm një pjesë e sektorëve ekonomik ku kanë gjetur interesimin investitorët e huaj për të investuar në Maqedoni, dhe ku kanë angazhuar edhe fuqi punëtorë nga jashtë.
Në vitet e kaluara, disa herë janë lehtësuar kushtet për qëndrimin dhe lejen e punës për të huajt në Maqedoni. Me ndryshimet e reja ligjore është integruar leja për punë dhe qëndrim që e lëshon Ministria e Punëve të Brendshme, ku i huaji, punëdhënësi i tij ose personi i autorizuar kërkon leje që do të lëshojë MPB, pas marrjes së mendimit pozitiv nga Agjencia e Punësimit. Agjencia e Punësimit do të duhet të lëshojë mendimin në afat prej pesë ditësh, nëse nuk vendos për këtë , atëherë llogaritet se mendimi është pozitiv.
PUNËSIMI I TË HUAJVE
Viti 2009: 1254
Viti 2010: 1437
2011: 1871
2012: 2569
2013: 2824
2014: 3504
2015: 3523
2016: 3496
2017: 3366
2018: 3978
SLLOVENIA, ÇDO I DHJETI PUNËTOR, I HUAJ
Të dhënat statistikore tregojnë se në Slloveni, nga 885.700 të punësuar, 87.700 janë të huaj që do të thotë se çdo i dhjeti punëtor është i huaj. Në këtë total të punëtorëve të huaj, me 42.000 dominojnë qytetarët e Bosnje dhe Hercegovinës, të pasuar nga qytetarët e Serbisë me 11 mijë të punësuar. Në Slloveni punojnë edhe 7000 qytetarë të Kosovës dhe 6000 punëtorë nga Maqedonia. Mirëpo në këtë shtet punojnë edhe dhe jetojnë edhe mbi 9000 qytetarë të Maqedonisë që posedojnë edhe nënshtetësi sllovene.
NË SHQIPËRI DOMINOJNË SHTETASIT TURK
Në Shqipëri, sipas Shërbimit Kombëtar të Punësimit, në vitin 2018, nga 3911 shtetasit e huaj të punësuar, rezulton se 2275 janë pajisur me leje pune dhe 1636 tjerë me vërtetime deklarimi për punësim. Të dhënat tregojnë se 79 për qind prej tyre janë punëmarrës nëpër kompani të ndryshme, 20 për qind të vetëpunësuar dhe vetëm 1 për qind janë investitorë. Gati një e treta e punëtorëve të huaj në Shqipëri apo 37 për qind e tyre janë shtetas turk, të pasuar nga shtetasit kinez me 13 për qind, nga shtetasit kanadez dhe egjiptian me nga 4 për qind, shtetasit e Maqedonisë dhe ato indian me nga 3 për qind etj. (koha.mk)