Zejnulla VESELI
Shkup, 2 prill – Për shkak të pabarazisë gjinore dhe numrit të vogël të grave në tregun e punës në Maqedoni, shteti brenda vitit pëson humbje prej 15 për qind të Bruto Prodhimit Vendor, sepse një pjesë e konsiderueshme e popullatës është e diskriminuar sa i përket punësimit, shkruan gazeta KOHA.
Këto janë gjetjet e fundit të raportit të Bankës Botërore me titull, “Ngritja e vetëdijes për rritje inkluzive dhe krijimin e vendeve të reja të punës në Ballkanin Perëndimor”. Sipas Marko Mantovanelli,drejtor i zyrës së Bankës Botërore në Shkup, konkluzioni përfundimtar i këtij raporti është se nëse do të krijoheshin më shumë vende pune për gratë atëherë kjo do të ndikonte në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen e BPV-së.
“Është rëndë të përllogaritet se sa do të ishte rritja e BPV-së, nëse do të kishte numër më të madh të grave të punësuara, mirëpo më rritjen e pjesëmarrjes së grave në aktivitete ekonomike pozitivisht do të ndikonte në rritjen e zhvillimit ekonomik të vendit” , deklaroi Marko Mantovaneli, gjatë prezantimit të raportit të BB-së. Raporti i Bankës Botërore, sipas Ana Marija Munoz eksperte e shkencave sociale pranë Bankës Botërore, tregon se vetëm 45 për qind e grave të moshës 15 deri 45 vite të aftë për punë, punojnë ose trajnohen për të ushtruar ndonjë punë ndërsa 60 për qind nga numri i përgjithshëm i grave që në mënyrë aktive kërkojnë punë dhe kanë arsim të lartë përkatës, aspak nuk janë të inkuadruar në tregun e punës.
Ajo tha se arsyeja kryesore se pse rreth 60 për qind e grave nuk punojnë është se ende ato kujdesen për fëmijët apo përkujdesen për familjarët e tyre që janë të moshuar dhe se kjo u pamundëson atyre të kyçen në tregun e punës. Kjo ndodhë, nënvizoi ajo, për shkak se në Maqedoni ka institucione të kufizuara që japin shërbime siç janë çerdhet për fëmijë apo shtëpi për të moshuarit, apo qendra ditore, që do t’iu dilnin në ndihmë grave. Aq më shumë kur në Maqedoni ende mbizotëron mentaliteti se për fëmijët duhet të përkujdeset nëna ndërsa djali për prindërit e tyre, u shpreh Munoz.
Në anën tjetër, Blagica Petreski, drejtoreshë e Institutit për kërkime politike dhe ekonomike “Finance Think” institut i cili merret pikërisht me hulumtime se pse pjesëmarrja e grave në tregun e punës në Maqedoni është shumë i ulët krahasuar me numrin e madh të burrave, të gjitha hulumtimet e kryera deri më tani rezultojnë me faktin se gratë shumë rëndë vijnë deri të vendi i punës dhe se puna e tyre aspak nuk paguhet siç paguhen burrat.
Pavarësisht ligjeve ekzistuese kundër diskriminimit gjinor dhe diskriminimit në punë, Peterski thotë se në Maqedoni në shumë raste femrat paguhen më pak për punën e njëjtë që kryejnë, krahasuar me meshkujt.
“Kjo dukuri është e shprehur më shumë në sektorin privat sidomos në sektorin e tekstilit , lëkurës ku the kemi numrin më tët madh të grave që punojnë më rroga minimale, derisa në sektorin publik femrave në shumë raste nuk iu jepet mundësia që të udhëheqin pozita të larta vendimmarrëse, ku pagat për ato pozita janë më të larta. Shkurtë femrat bëjnë të njëjtën punë si burrat por marrin r roga 17 për qind se burrat. Të gjitha hulumtimet e bëra deri më sot rezultojnë se në sektorin privat është i pranishëm fakti se femrat paguhen më pak se meshkujt, pavarësisht pozitës së njëjtë mbajnë. Ka raste ku në një kompani private një menaxher paguhet me shumë sesa një menaxhere, apo një këshilltare paguhet më pak se një këshilltar. Kjo tregon një diskriminim gjinor”, thotë Blagica Peterski, drejtoreshë e institutit për kërkime politike dhe ekonomike “Finance Think”. (koha.mk)