Shoqata e Mjekëve Shqiptar e ndjek me vëmendje këtë problem dhe sipas vërejtjeve të kësaj shoqate, përzgjedhja e kandidatëve të rinj do të vonohet shumë për shkak të zgjedhjeve presidenciale
Delvina KËRLUKU
Shkup, 23 mars – Mungesa e kuadrit mjekësor nëpër institucione shëndetësore, sidomos e gjinekologëve, anesteziologëve, internistëve, ende mbetet problematike. Ministria e Shëndetësisë, ka paralajmëruar punësimin e mjekëve, por pas zgjedhje presidenciale.
Mungesa e stafit mjekësor ndikon në uljen e cilësisë së shërbimeve, kurse pacientët janë ata që e pësojnë më së tepërmi, ndërkohë që organizatat që merren me veprimtari shëndetësore ngrenë zërin kundër punësimeve të dirigjuara nga politika. Në anën tjetër, ka një numër të madh të infermierëve dhe mjekëve që kanë kryer shkollimin dhe presin në Agjencinë e punësimit. Kryetar i Shoqatës së infermierëve në Gostivar, Xhavit Saliu, shprehet i shqetësuar sa i përket mungesës së kuadrit mjekësor dhe kjo, sipas tij, vërehet më së tepërmi në spitalin të Gostivar, por edhe nëpër Klinikat në Tetovë, Shkup. Ai e quan gabim kur politikanët kërkojnë zgjedhje, për të zgjidhur problemet shëndetësore.
Shoqata e Mjekëve Shqiptar e ndjek me vëmendje këtë problem dhe sipas vërejtjeve të kësaj shoqate përzgjedhja e kandidatëve të rijë do të vonohet shumë për shkak të zgjedhjeve presidenciale. “Disa nga konkurset kanë përfunduar, ndërsa procedura e zgjedhjeve presidenciale është më vonë dhe deri më tani do të kishte përfunduar përzgjedhja e kandidatëve dhe punësimi i tyre. Kjo ndikon që në mënyrë indirekte mjekët e rinj që të dëshpërohen. Këto punësime janë të domosdoshme, kur është në pyetje shëndeti”, tha dr.Nevzat Elezi, kryetar i Shoqatës së mjekëve shqiptar.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, edhe përskaj vonesave të punësimit të stafit mjekësor, thotë se pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale, do të punësohen mjekë, kurse në shtator edhe mjekët e rinj do të marrin licencë pune, ku edhe është paraparë buxhet për pagat e tyre. “Ne po bëjmë të pamundurën që ta forcojmë sistemin si në blerjen e pajisjeve, poashtu edhe në punësim të mjekëve dhe motrave medicinale. Vitin e kaluar, një numër i madh i mjekëve dhe motrave dhe personelit në institucionet shëndetësore publike janë punësuar dhe tani do punësohen 40 mjekë në Shtëpinë e Shëndetit në Shkup, kurse nga shtatori 250 mjekë të rinj që do të fitojnë licencë, do të marrin paga pikërisht në nivel primar”, tha Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.
Përderisa nga Ministria e Shëndetësisë paralajmërojnë punësim të personelit mjekësor, nga ana tjetër shumë mjekë të ri po e lëshojnë vendin. Vendet e zhvilluara të Evropës, kryesisht Gjermania, Austria, etj. janë destinacionet më të shpeshta të mjekëve të rinj, pasi kanë vështirësi për të vazhduar specializim dhe më pas për të gjet punë. Por, jo vetëm kaq, mjekët shpesh herë ankohen edhe për paga të ulta. (koha.mk)