Për një pjesë të madhe të të papunëve në Maqedoni, por edhe në shtetet e rajonit, punët sezonale paraqesin mundësi për mbijetesë. Në Gjermani, Austri dhe disa shtete të tjera vetëm në ueb faqen jooble.org ofrohen në mënyrë legale më shumë vende pune
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 18 maj – Shkalla e lartë e papunësisë , si dhe standardi i ulët në shtetet e rajonit, kanë bërë që për çdo vit në sezonin e pranverës, të rinisë fluksi i punëve sezonale në shtetet perëndimore. Njerëzit punësohen jashtë shtetit në mënyra të ndryshme. Disa shkojnë përmes agjencive apo ndërmjetësuesve, ndërsa të tjerët shfrytëzojnë informacionet që ofron interneti, shkruan gazeta KOHA. Gjithashtu, shfrytëzohen edhe përvojat dhe lidhjet e vjetra të punës sezonale në vitet e kaluara, ndërsa një ndihmesë në këtë drejtim ofrojnë edhe familjarët që jetojnë dhe punojnë jashtë. Gjithashtu, shfrytëzohet edhe mundësia e paraqitjes së drejtpërdrejtë në shpalljet për punë , si dhe puna në të zezë.
Për një pjesë të madhe të të papunëve në Maqedoni, por edhe në shtetet e rajonit, punët sezonale paraqesin mundësi për mbijetesë. Në Gjermani, Austri dhe disa shtete të tjera vetëm në ueb faqen jooble.org ofrohen në mënyrë legale më shumë vende pune duke filluar nga ato në hotele, elektricist, punëtorë të qeramikës, pastrues, saldues, kamerier, kuzhinier, automekanik, punëtorë në plantazhe të pemëve , përkujdesja për të moshuarit, vozitës etj.
Shpesh punëdhënësit që kërkojnë zanatlinj të profileve të caktuara, siç është për shembull profesioni i elektricistit, jo vetëm që sigurojnë sistemim dhe ushqim, por edhe sigurojnë dokumentet legale për qëndrim dhe punë sezonale në Gjermani me pagë mujore prej 2400 euro. Në Austri ofrohet punë për ndërtimtarët që fillon me 10 euro neto për orë pune. Në Angli ofrohet vendi i punës i përkujdesjes së personave të moshuar për kompensimin mujor prej 2000 deri 2500 euro. Në Islandë ofrohen punë për mjeshtrit e fasadave dhe zdrukthëtarët për 20 euro orën. Në Itali pastruesit e dhomave të hoteleve paguhen 1600 euro, përfshi edhe sistemimin dhe ushqimin. Ndërkaq për salduesit me përvojë në Itali ofrohen paga prej 2000 deri 2600 euro me ushqim dhe fjetje të siguruar.
Në Austri ofrohet edhe pagë prej afër 1400 euro për punë tremujore për mbledhjen e dredhëzave. Në Gjermani për mbledhjen e pemë dhe perimeve të ndryshme ofrohet pagë mujore prej 2000 eurosh me fjetje dhe ushqim të paguar.
Në ndërkohë në Itali, sipas dekretit të flukseve 2018, janë vendosur në dispozicion 30.850 kuota për punë sezonale të punonjësve të huaj, përfshi edhe shtetasit e Maqedonisë, Shqipërisë etj., si dhe ofrohen konvertime lejesh të ndryshme qëndrimi në leje pune të të huajve që tashmë janë rezidentë në Itali.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme Italiane, 30.850 kuotat janë të ndara për
18.000 punëtor sezonal për sektorin bujqësor dhe atë turistik (2.000 nga këto u rezervohen autorizimeve shumëvjeçare). Punëtorët mund të jenë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Algjeria, Bosnja-Hercegovina, dhe dhjetëra shtete të tjera afrikane dhe aziatike si Korea, Bregu i Fildishtë, Egjipti, El Salvadori, Etiopia, Sudani, Tunizia, Gambia, Gana, India, Mali etj. Angazhimi me punë sezonale praktikohet edhe në vendet e rajonit, konkretisht në bregdetin e Adriatikut, qoftë në Kroaci apo Mal të Zi si kamerierë, kuzhinierë, punëtorë në ndërtimtari etj. Kroacia madje e cila vite me radhë ballafaqohet me ikjen e fuqisë punëtore kryesisht në Gjemani, e plotëson boshllëkun me punëtorë sezonal kryesisht nga Bosnja e Hercegovina, dhe më pak nga Maqedonia dhe Serbia. Në këtë shtet ofrohen më shumë se 70.000 vende të lira pune dhe një pagë mesatare prej 500 deri në 2000 euro. Pagat në restorante apo hotele për kamerierë lëvizin prej 600 në 800 euro, me ç’rast ofrohet edhe akomodimi dhe ushqimi, ndërsa nga bakshishet mund të fitohet së paku edhe një pagë mujore. Shpesh punohet edhe nga 12 deri 14 orë. Kuzhinieri në Kroaci fiton rreth 2000 euro në muaj.
Gjithashtu, edhe studentët përmes programeve të ndryshme shkojnë për punë sezonale në Gjermani apo Amerikë ku punojnë, punë të ndryshme. Kur kthehen në shtetet e rajonit, një pjesë e konsiderueshme e tyre vijnë me disa mijëra euro të kursyera. Me këto kursime e kalojnë pjesën e mbetur të vitit. (koha.mk)