Bujar KURTAJ
Shkup, 28 qershor – E nisi si karateist e më pas si basketbollist, por kur filloi të luajë futboll si të gjithë të rinjtë, ajo e inspiroi më shumë dhe i dha arsye që të vazhdojë dhe ta merr më seriozisht këtë sport. Talenti i tij erdh në shprehje shumë herët kur në moshën 17-vjeçare i inkuadrua në ekipin e parë të KF Slloga Jugomagnat (tani FC Shkupi), klub i cili aso kohe ishte në kulmin e futbollit në Maqedoni. Duke marr parasysh konkurrencën e madhe që ishte aso kohe te skuadra nga Çairi, u huazua te dy skuadrat shqiptare Bashkimi dhe Korabi. Paralelisht me insistim të prindërve të tij, gazetarit të ndjerë dhe mirënjohur Sefer Musliu, ai nuk e la edhe shkollimin, duke u bërë një nxënës i shkëlqyer që më pas rezultoi me kryerjen edhe të fakultetit të Edukatës dhe Kulturës Fizike, ndërsa është edhe arsimtar i Edukatës Fizike në shkollën fillore “25 maji” në lagjen Hasanbeg. Kjo në fakt i hapi atij dyert edhe më shumë që të shënojë suksese. Edhe pse futbollin e kishte lënë në rend të dytë, ai morri ofertë që të punojë me të rinjtë te KF Slloga (tani Shkupi) dhe doli që nuk gaboi, pasi sot e kësaj dite ai me shumë sukses po e ushtron këtë detyrë. Fjala është për Jeton Musliun, trajnerin e të rinjve te FC Shkupi. Ai në intervistën për gazetën KOHA, tregon për hapat e parë si futbollist dhe si trajner. Gjithashtu Jetoni flet edhe për sfidat që i ka pasur sa ka qenë aktiv si futbollist, sukseset e arritura tek shkollat e futbollit dhe jetën e tij para dhe pas futbollit.
KOHA: Si çdo i ri edhe ti me futboll fillove të merresh qysh prej moshës shtatë vjeçare te KF Slloga Jugomagnat (tani FC Shkupi). Pse futboll dhe jo me ndonjë sport tjetër?
MUSLIU: Bota e çdo fëmije është shumë e çuditshme,edhe unë si çdo fëmije tjetër kemi qenë në botën e ëndrrës se çka dëshirojmë të bëhemi kur të rritemi duke filluar nga mësimdhënës, mjek, gjykatës dhe në sferën e sportit basketbollist, futbollist, karateist dhe sport të tjera të cilat janë dhe do të mbeten si inspirim për çdo fëmijë në këtë botë për të krijuar një jetë stabile dhe të shëndetshme. Pasi provova disa sporte si karate e basketboll, si duket luajtja futboll më inspiroi dhe më dha arsye për të vazhduar dhe për ta kuptuar shumë me seriozisht këtë sport. Isha 7-8 vjeç kur fillova dhe u inkuadrova në ekipet e fatosave të KF Slloga Jugomagnat (tani FC Shkupi). Më kujtohet që në seleksionimin e parë kishte shume fëmijë dhe më pas të gjithë ishin me brenga pas seleksionimin se cilët fëmijë do të vazhdojnë te luajnë tek grupi me i mire dhe cili te grupi më i dobët. Ishte kënaqësi shumë e mirë kur emri im u lexua që do të jem pjesë e skuadrës, e cila do të stërvitet në formë më profesionale. Isha shumë i lumtur dhe ndoshta dëshira ime prej atij momentit filloi të realizohet. E theksoj këtë se prej atij momenti e deri më sot jam me futboll dhe me sport.
KOHA: Si jeni ndjerë kur keni filluar të luani dhe cila ka qenë ndeshja e parë që ju keni luajtur, për herë të parë?
MUSLIU: Për çdo lojtar e rëndësishme është që të ketë sa më shume ndeshje nëpërmjet të cilave do të tregon aftësitë e tija për ta arritur sukses sa më të madh. Më kujtohet mirë që ndeshjet zyrtare kemi filluar ti zhvillojmë që nga mosha 10-vjeçare. Dua të theksoj një fakt, për dallim prej fëmijëve të cilët sot kanë më tepër ndeshje ne kemi pasur më pak ndeshje zyrtare për arsye të sistemit garues në atë kohë. Padiskutim që fanella me numër 7 do të mbetet gjithmonë në memorien time si një numër i veçantë për dëshirën time që një dite të jem një futbollist i nivelit të lartë. Emocione të mëdha, dëshira për të shënuar gol në lojë, kam pasur pozitën e anësorit të djathtë i shpejtë me dribling të mirë, dhe shumë elemente të tjera të lojës së futbollit, jam munduar ti ndihmoj vetes dhe shokëve në ekip, pasi loja e futbollit është lojë kolektive. Me kujtohen shumë momente nga fillimet e mija, por dhe rivalitetet me klubet si Ballkani,Vardari, Rabotniçki e Metalurgu.
KOHA: Pasi i kalove gjitha kategoritë, u inkuadrove në ekipin e parë të KF Slloga J. Mund të na përshkruash këtë periudhë?
MUSLIU: Puna e palodhshme sjell sukses, shumë stërvitje për të arritur që të veshësh fanellën e ekipit të parë të klubit KF Slloga Jugomagnat. Pas kalimit të të gjitha kategorive prej ekipit tonë të lindur në vitin 1977, mu dha mundësia që të inkuadrohem në ekipin e parë. Diçka shume e rëndësishme në jetën time, për arsye se ndoshta filloi të realizohet ajo dëshira ime që një dite të jem pjesë e ekipit të parë, dëshirë e çdo futbollisti kur inkuadrohet në klub dhe kjo u bë realitet. Momentet e para nga stërvitja e parë kanë qenë shumë emocionale për arsye se në atë kohë Slloga J. ishte në kulmin e futbollit në Maqedoni. Të theksoj një nder gjeneratat e arta ku luanin Nexhmedin Memedi, Nexhat Shabani, Mentor Miftari, vëllezërit Beganoviç dhe shumë lojtarë të niveleve të larta. Kurse për mua ajo ëndërr e fëmijërisë u bë realitet. Me vetëm 17-vjeç u bëra pjesë e ekipit të parë ku më pas shkuam në përgatitje në Medulin të Kroacisë me çka fillova të kuptoj botën e futbollit edhe më mirë në shumë ndeshje miqësore edhe pse isha shumë i ri isha i inkuadruar në lojë. Ndërsa, loja e parë zyrtare në fanellën Slloga J. (tani FC Shkupi) ka qenë ndeshja kampionate kundër skuadrës së Teteksit.
KOHA: Mirëpo, nuk qëndrove gjatë dhe klubi të huazoj. Cilat kanë qenë ato klube dhe a mund të na përshkruash eksperiencën në ato klube që ke luajtur?
KOHA: Skuadra e Slloga J. në atë kohë ishte një ndër skuadrat më të mira në kampionat. Unë si një lojtar i ri i moshës 17-vjeçare pas bisedimeve me trajnerin dhe kryesinë e klubit, morëm një vendim që të luaj në rang më të ulët (Ligën e dytë), ndërsa stërvitjet ti bëj me ekipin e parë të Sllogës. Ekipet në të cilat kam luajtur kanë qenë: KF Korabi-Dibër dhe KF Bashkimi-Kumanovë. Dy klube ku u ngrita edhe më tepër si lojtar, pasi që kisha minutazhë më të madhe në lojë, gjë shumë e rëndësishme për çdo lojtar.
KOHA: Duke marr parasysh se rrjedh nga një familje e shkolluar, vendose të ndërpresësh karrierën dhe ti përkushtohet shkollimit?
KOHA: Përkrahja prindërore çdo herë është e rëndësishme për çdo fëmijë. Prindërit janë motivacioni që një fëmijë të ngritët si individ me karakter dhe cilësi të një njeriut, i cili do të kontribuon për shoqërinë. Babai gazetar dhe nëna ekonomiste, për mua ishin dy personat më të vlefshëm në botë. Edhe pse isha i talentuar, prindërit më orientuan kah shkollimi, i cili për mua do të jetë çelësi për tu krijuar si individ dhe njeri me vlerë. Pasi që kamë qenë nxënës i shkëlqyeshëm në shkollën e mesme të edukatës fizike dhe menjëherë pas saj u regjistrova në Fakultetin e Edukatës Fizike në Shkup që do të thotë përsëri isha me lojën e futbollit, por jo aq aktiv sikur që un dëshiroja. Luaja aktiv në KF Bashkimi dhe njëkohësisht isha në studime dhe gradualisht me ecjen e kohës fillova më tepër tu përkushtohem studimeve pasi që isha edhe student i mirë.
KOHA: Mirëpo, dashuria që kishe për futbollin bëri që mos të tërhiqesh nga ky sport dhe hyre në ujërat e trajnerit ku edhe sot ushtron këtë detyrë? Çka të shtyri që të merresh me këtë profesion dhe a kishe vështirë që paralelisht të ndjekësh shkollimin dhe të ushtrosh punën e trajnerit?
MUSLIU: Pasi vendosa qe tu përkushtohem më tepër studimeve dhe ketë punë e kapa me seriozitet të lartë dhe një kohë kur luaja futboll më kujtohet isha viti 4 në studime kur koordinatori i atëhershëm i Slloga J. kishte hulumtuar në Fakultetin e Edukatës fizike që jam një student shumë i mirë dhe njëkohësisht futbollist mua me ofroi që të inkuadrohem përsëri tek klubi i ëndrrës FK Slloga J., por tani jo si futbollist, por si trajner. E pranova me shumë dashuri dhe dëshirë që mu dhe atë sportiv mundësua të kontribuoj për shoqërinë në aspektin pedagogjik. Më kujtohet bukur mirë momenti i parë në stërvitje grupmosha të lindur 1988, gjeneratë, e cila me dha hapësirë që unë të bëhem një dite si trajner i suksesshëm.
KOHA: Për tu bërë trajner, nevojiten licencat. I posedon Jetoni këto licenca dhe deri ku ke arritur me ato?
MUSLIU: Mendoj që çdo trajner, i cili punon me kategoritë e reja fillimisht duhet të jetë pedagog i mirë dhe më pas trajner i suksesshëm. Federata Futbollistike e Maqedonisë në fakt organizata e trajnerëve filloi licencimin e trajnerëve, gjë që është shumë e dobishme dhe e rëndësishme për çdo individ, i cili ka dëshirë që të punon në formë më profesionale. Pos që mbarova Fakultetin e Arsimit Fizik dhe Shëndetësor me sukses në vitin 2006 mbarova Licencën UEFA B dhe më pas UEFA A. Dokumente të cilat duhet ti posedoj çdo trajner, ndërsa pos kësaj kam edhe shumë certifikata nga seminare të ndryshme për lojën e futbollit dhe në sferën arsimore.
KOHA: Përskaj teje kanë kaluar shumë gjenerata ku nuk kanë munguar sukseset. Mund të na tregosh se trajner i cilave gjenerata ke qenë dhe cilat janë sukseset që i ke arritur?
MUSLIU: Të jesh trajner i suksesshëm dhe me trofe te fituara, patjetër që duhet punë e palodhur dhe vizion për gjeneratat, të cilat i kam udhëhequr unë me 17-18 vite punë e pa ndërprerë në KF Slloga J. (tani FC Shkupi) në të cilin klub kam përjetuar shumë gjëra të bukura dhe të suksesshme. Si trajner padiskutim që çdo sukses i imi ka qenë i përkrahur nga kryesia e klubit, nga koleget e mi që punojnë në klub, derisa nuk duhet harruar edhe grupin e tifozëve ‘Shvercerat Shkup’ të cilët në shumicën e rasteve na përkrahin dhe vijnë të anojnë edhe për kategoritë e reja në ndeshje të rëndësishme. E gjithë kjo mua më bën që të vazhdoj drejt sukseseve të reja. Kur jemi tek gjeneratat të cilat i kam udhëhequr janë gjenerata e lindur 1988, 1994, 1997-1998, 2001,2002, 2005. Gjatë viteve të kaluara padiskutim që nuk kanë munguar edhe trofetë si në kampionat poashtu edhe në garat e Kupës së Maqedonisë si dhe trofe nga turnirë ndërkombëtare. Si trajner jam munduar gjithmonë që lojtarëve t’ju shpjegoj se loja e futbollit është shumë e komplikuar, por edhe e lehtë për ata lojtar të cilët kanë qëllim të krijojnë karrierë futbollistike. Padiskutim që një prej faktorëve për sukses të lojtarit është edhe faktori prind me të cilin si trajner çdo herë kam pasur biseda konstruktive për të mirën e çdo lojtari.
KOHA: A mund të numërosh disa nga lojtarët që ti i ke stërvitur dhe kanë lënë gjurmë në futbollin vendor dhe të huaj?
MUSLIU: Në shumicën e rasteve shpesh përdori termin qe trajneri punon me shpirtin e çdo prind, pasi për çdo prind fëmija është gjeja më e vlefshme në jetë. Duke marr parasysh që punoj një kohë bukur të gjatë me kategoritë e reja, pa diskutim që në çdo gjeneratë ka pasur dhe do të ketë futbollist të dalluar. Disa veç janë aktiv në klube te Ligës së parë dhe ekipe ndërkombëtare dhe disa të tjerë para të cilëve është një perspektivë e mirë për vet ata. Mund ti përmend disa si Muharem Muarem, Florent Osmani, Bujamin Asani, Shaban Sulimani dhe shumë të tjerë të cilët do të jenë pjesë e ekipit të parë.
KOHA: Duke marr parasysh se gjatë gjithë karrierës suaj ushtoni vetëm të rinjtë. Kur mund të presim që Jetoni të merr drejtimin e ndonjë skuadre të Ligës së parë apo të dytë e pse jo të ndonjë klubi në Kosovë dhe Shqipëri?
MUSLIU: Fillimisht kisha dashur të potencoj faktin që përveç punës si trajner me kategoritë të reja në FC Shkupi, jam edhe mësimdhënës i lëndës Arsimi Fizik dhe Shëndetësor në shkollën fillore ‘25 Maji’ në lagjen Hasanbeg të Shkupit. Gjithashtu dua të përmend edhe atë se kam qenë edhe disa vite me radhë edhe trajner i reprezentacionit të Maqedonisë me kategoritë e reja dhe gjithë kjo me bën që ndoshta në të ardhmen të udhëheq ndonjë ekip të Ligës së parë apo ndonjë klub në shtet tjetër. Por, puna me fëmijë mua më bën krenar dhe e punoj me plot dashuri dhe sinqeritet.
KOHA: Sa është e vështirë të punosh me të rinjtë dhe të menaxhosh punën me ata, por edhe me prindërit e tyre?
MUSLIU: Janë disa momente shumë të mira për çdo trajner dhe ai moment është kur fëmijën prindi e sjell në stërvitje për herë të parë. Sistemi i punës në klubin tonë FC Shkupi është që pastaj të njëjtën gjeneratë ta udhëheqim deri tek juniorët, do të thotë 8-9 vite punë e përbashkët me lojtarin, prindin dhe klubin dhe mua si trajner pa diskutim qe trekëndëshi lojtar- trajner-prind, është shumë i rëndësishëm për të arriturat e çdo lojtari. Kur jemi tek vështirësitë, është normale që lojtari në fillimet e tija mëson teknikën ,tekniken e vrapimit e dhe shumë elemente të tjera të lojës së futbollit të cilët me kalimin e kohës duke kaluar prej njërës kategori në tjetër dhe në varësi të moshës, elementet e lojës se futbollit bëhen edhe më të rënda, por gjithsesi të kuptueshme për çdo lojtar. Puna e trajnerit është thelb i suksesit te çdo individi për elementet e mësuara të lojës së futbollit në kategoritë e reja duke filluar prej te fatosat deri tek juniorët. Nuk duhet harruar edhe faktin që për çdo sukses përveç punës profesionale të trajnerit, ndikojnë edhe kushtet e infrastrukturës dhe mjeteve për lojën e futbollit .
KOHA: E dimë se Maqedonia ka lojtar të talentuar shqiptar, por në përjashtim të gjeneratës së U 21 të Maqedonisë, nuk mbajmë mend që ndonjëri po shkëlqen në arenën ndërkombëtare. Ku qëndron problemi sipas jush?
MUSLIU: Fanella e kombëtares është dëshire e çdo lojtari dhe padiskutim që çdo lojtar mundohet të ketë ftese të luaj për shtetin në këtë rast për Maqedoninë dhe në veçanti për U21 dhe reprezentacionin A. E mira është që reprezentacioni U21 i Maqedonisë u kualifikua në Kampionatin Evropian, i cili po mbahet në Poloni. Kur jemi te A reprezentacioni në ndeshjet e fundit ndoshta rezultati mungoi, por gjithsesi loja e tyre është përmirësuar shumë më shprese që të kenë rezultate sa më të mira.
KOHA: Jeni i martuar dhe keni dy fëmijë. A pret që edhe fëmijët të merren me sport, veçanërisht djali Seferi dhe a pret që ai të ndjek hapat e babait të tij?
MUSLIU: Për çdo njeri, familja është ajo që njeriu si duhet vepruar, reaguar, çmuar e dashuruar. Në të gjitha sukseset e mija kam pasur përkrahje nga familja më e gjerë, por edhe nga bashkëshortja ime dhe dy fëmijët e mi vajza Jonila dhe djali Seferi. Djali është i inkuadruar tek gjenerata e fatosave të lindur 2008, e bën shume me vullnet dhe me dëshirë me shpresë që të bëhet lojtar profesional .
KOHA: Cila është këshilla më e mirë që iu është dhënë ndonjëherë dhe nga kush ka qenë ajo?
MUSLIU: Kur jemi tek këshillat do të kisha dashur të them që të gjithë ata të cilët duan te arrijnë sukses në jetë si sportist, duhet të kenë karakter për sukses. E rëndësishme që ti përkushtohen edhe mësimit dhe jo veç sportit si dhe respektit ndaj familjes. Tre elemente të cilët pa diskutim do ti sjellin sukses. Kur jemi tek këshilla ime personale me të cilën jetoj dhe veproj, është nga dy prindërit e mi babi gazetar Sefer Musliu dhe nëna ekonomiste Drita Musliu “Jeto me nder, askujt mos i pengo dhe çdo kujt jepja atë që i takon”.