Delvina KËRLUKU
Drita Kaba Karaga ka lindur në Veleshtë. Rrjedh nga familja Kaba. Një pjesë të fëmijërisë e ka kaluar në Struzhë, një fshat mbi Prizrenin e Kosovës. Mësim-nxënien e ka marrë në Veleshtë, ku edhe ka kryer shkollën fillore, pastaj vitin e parë dhe të dytë të shkollës së mesme i ka vazhduar në Prishtinë, pastaj vitin e tretë dhe të katërt në Prizren dhe shkollën e lartë, për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, po ashtu në Prizren. Pastaj me hapjen e Universitetit të Tetovës, në vitin 1994, regjistroi Fakultetin e arteve, dega aktrim. Drita Kaba Karaga është e punësuar në Teatrin Shqiptar në Shkup. Ka realizuar një mori rolesh në skenat e vendit dhe jashtë. Është e martuar me aktorin e mirënjohur, Adem Karaga dhe kanë dy fëmijë.
KOHA: Tash më si aktore, ju keni një profil të qartë. Kur e zbuluat talentin e juaj për aktrim?
KARAGA: Në fakt, Serafim Fanko, aktori nga Shqipëria është ai që më ka thënë se duhej të shkollohesha për aktrim, meqë unë kam dhunti, flas me emocione të jashtëzakonshme dhe se mund të më dëgjojë edhe spektatori i fundit në sallë. Më ka dhënë një porosi që amatori është si “limoni”, shtrydhet dhe nuk di të rikthehet në gjendjen e mëparshme, ndërsa shkolla të mëson, që po këtë proces ta punosh deri në atë pikë sa të “sosesh” dhe përsëri të mëkëmbesh, për të vazhduar më tej. Në skenë kam hipur qysh e vogël, siç mbaj mend, që në klasën e parë fillore. E kam synuar skenën duke e realizuar ëndrrën që në bankat shkollore, duke marrë pjesë në manifestime të ndryshme, duke vallëzuar, recituar, kënduar me korin e shkollës, më pas me Shoqërinë “Shpresa”, të Veleshtës, ku kemi bërë shfaqje, sigurisht amatore. Jam një ndër personat që kam themeluar Teatrin “Sofra”, në Strugë. Dua të them që kur e mbaj mend, gjithmonë kam qenë pjesë në skenë.
KOHA: Si ishin fillimet e tua. Pra, kur jeni ngjitur për herë të parë në skenë, si pofesioniste?
KARAGA: Në vitin e dytë të studimeve, me shfaqjen e Zhan Pol Sartrit, me veprën “Dyert e mbyllura”, shfaqje e Tetarit Shqiptar të Shkupit. Kam luajtur në rolin e Inez Serranos, një rol shumë me peshë që dihet për filozofinë – absurdin, vlerën artistike. “Me dyer të mbyllura” është vepra ku Jean-Paul Sartre doli me shprehjen e famshme dhe shumë të diskutuar: “Ferri janë të tjerët”. Tre shpirtrat e mallkuar, Garcin, Ines dhe Estelle i kanë sjellë në të njëjtën dhomë në ferr nga një shërbëtor misterioz. Ata të gjithë presin tortura të tmerrshme për t’u ndëshkuar në përjetësi, por ndërkohë gjejnë një dhomë të modeluar në stilin e Perandorisë franceze. Garcin nuk pranon të jetë fajtor, ai thotë se u ekzekutua, sepse ishte pacifist, ndërsa Estelle këmbëngul se është bërë një gabim në dënimin e saj me vdekje. Vetëm Inez u kërkon të mos gënjejnë veten dhe të pranojnë krimet e kryera. Ajo refuzon të besojë se ata kanë përfunduar në atë dhomë rastësisht, derisa kupton se ata i kanë vënë në atë dhomë, pikërisht për ta bërë njëri-tjetrin të mjerë. Pasi debatojnë për një kohë të gjatë, ata vendosin të tregojnë krimet që kanë kryer. Të tre krijojnë situata të vështira. Estelle mundohet të vras Inesin, duke e goditur me thikë, por ky sulm është i kotë duke marrë parasysh se ata janë të vdekur. Pra, është një rol që e kam punuar me shumë dashuri. Jam studentja e parë, në këtë rol, që edhe i kam takuar gjeneratës së parë të aktrimit në USHT, ku edhe rektori i atëhershëm, Fadil Sulejmani, pat thënë: “Fluturoi shqiponja e parë drejt institucioneve shtetërore”, kur jam angazhuar në teatër. Atëherë ishte diç madhështore, aq më tepër kur bëhej fjalë për një institucion që quhej “i paligjshëm”. Ishte thuajse e pamundur.
KOHA: Artdashësit shqiptarë kujtojnë disa role të juaja. Për ju, cili rol mbetet më i dashur?
KARAGA: Në fakt, secili rol ka vështirësitë e veta. Secili rol ka një pjesë të shpirtit tim, është një punë e imja, me dashuri. Të gjitha ato personazhe janë gra, që i njoh shumë mirë edhe i dua dhe realisht nuk i dalloj. Janë vajza, gra, nuse, nëna, mësuese, bashkëshorte, dashnore, pra personazhe të ndryshme në të cilat është dhënë diku më shumë mund e diku më pak, por nuk mund të veçoj asnjërën.
KOHA: Ndalemi për një çast te familja. Me padurim presim të rritemi dhe kur rritemi kuptojmë se fëmijëria është gjëja më e bukur në botë. Mund të na tregoni se cila ishte fëmijëria juaj?
KARAGA: Jam fëmijë i dy prindërve, nëna është nga Drenica e Kosovës, ndërsa babai nga Veleshta. Kam lindur në vendlindjen e babait, por pesë vitet e para kam jetuar në Struzhë, është një fshat mbi qytetin e Prizrenit, ku mami im ka qenë mësuesja e parë në atë fshat edhe babai po ashtu ka dhënë mësim. Më vonë jemi kthyer në Strugë – Veleshtë, ku kam kryer shkollën fillore. Vitin e parë dhe të dytë të shkollës së mesme i kam vazhduar në Prishtinë, pastaj vitin e tretë dhe të katërt në Prizren dhe shkollën e lartë, për gjuhë dhe letërsi shqipe, po ashtu në Prizren. Pastaj me hapjen e Universitetit të Tetovës, ku kam filluar fakultetin për aktrim. Pra, fëmijëria ime është udha drejt shkollës shqipe!
KOHA: Po Veleshta, ç’kuptim ka për Ju?
KARAGA: Ah, Veleshta! Për secilin vendlindja është pjesë e ndjeshme. Kam jetuar gjithmonë me mall për Veleshtën dhe me krenarinë që jam veleshtare. Ky vend është shumë i dashur, aty kam familjen time, fëmijërinë. Sa herë që më mundësohet kohë e lirë, e vizitoj. E shfrytëzoj çdo mundësi. Drejt saj nisem në kohë – pakohë. Drejt saj është udhëtimi më i dëshiruar.
KOHA: Porositë e prindërve në rinin tonë na ndihmojnë që të ndryshojmë sjelljet në të ardhmen. A i kujtoni porositë që keni marrë nga prindërit?
KARAGA: Fatmirësisht prindërit e mi kanë qenë të arsimuar, e kanë kuptuar vlerën e shkollës dhe me mundësitë që kanë pasur më kanë shkolluar edhe mua, edhe pse babai im ka qenë i përjashtuar nga puna për shkaqe politike, kurse nëna kishte parapërjashtim nga puna. Mirëpo, përpos kontributit të prindërve, edhe familja më e gjerë më kanë ndihmuar që të studioj, të mësoj në shkolla shqipe, duke e njohur vlerën e shkollës. Porositë e atyre kanë qenë frytdhënëse, kujtoj thënien e babait: “hapi sytë, se po s’i hape, humbet”. Kjo kishte kuptimin që ne vet duhet të guxojmë të marrim hapin, të jemi vigjilent, njohës i rrethit ku tentojmë të përfshihemi, në të kundërtën do të mbetemi preh e dikujt. Kjo edhe sot është e vlefshme për mua. Edhe fjalët e popullit, fjalët e urta, për mua janë formula, për jetën dhe i kam udhërrëfyese të jetës. Jam falënderuese ndaj prindërve, sepse më kanë ndihmuar në çdo situatë të vështirë të jetës time. Është e veçantë se ata kanë pasur besim te unë dhe besimi i tyre më ka bërë shumë të fortë në jetë. Ajo dëshirë që të mos i zhgënjej ata, më ka bë gjithmonë të jem shumë sy çelë me synimin për të qenë e para, për të ec me këmbët e mia.
KOHA: Studimet ju përgatiten për angazhime dhe karrierë profesionale në fushën e artit. A u pajisët me njohuri të mjaftueshme për rrjedhën e artit skenik, nga antika deri në kohën e sotme. Si e kujtoni atë kohë?
KARAGA: Gëzimi më i madh ka qenë, si për shumë shqiptarë, që këtu në Maqedoni u hap një universitet në gjuhën shqipe. Dhe, them shpesh që prindërit tanë janë heronj të vërtetë, që i kanë dërguar fëmijët e vet, në një universitet, që ata nuk ishin në dijeni nëse ata do diplomoheshin, që të marrin diploma legjitime. E para ishte ideja që ne të studiojmë në një universitet, që ne mendonim të mësojmë në atë gjuhë që flasim. Dhe akoma më shumë, për profesionin tim që e desha dhe e dua me çdo kusht, me që moti e kisha marrë pluhurin e skenës dhe as nuk mendoja që të largohem nga skena. Dhe, mundësia për t’u bërë profesioniste, për të marrë ligjërata nga njerëz të duhur, me peshë, sigurisht që të bën të ndjehesh mirë. Ne kemi gjenerata e parë, ku nga gjeneratat e tjera dëgjojmë që flitet fjalë miradie. Natyrisht që kemi punuar shumë. Nëse na ishte dhënë një detyrë, ne e bënim natën – ditë. Dhe, duke pasur parasysh që klasa jonë nuk ka qenë një akademi e mirëfilltë, por ishte një ‘podrum’, në Reçicë të Vogël afër xhamisë, ku fillimisht ne kritikoheshim për imitimin e kafshëve, meqë dukeshim si “fermë kafshësh”, shiheshim me një sy ndryshe, por në gjysmëvjetorin e dytë ata që na shihnin çuditshëm, na pranuan. Ne kemi punuar me shumë përkushtim, me shumë dashuri. Por, shkolla nuk është gjithçka, sot e kësaj dite po nuk lexove vazhdimisht dhe nëse nuk je i kyçur në punë, nuk arrihet aty ku synon aktori, te suksesi. Kjo puna jonë është “punë zanati”, po e lë të le.
KOHA: Koha kur keni studiuar ju përfshihej nga një valë trazirash Në fakt, sa ndikoi te Ju kjo periudhë e vështirë?
KARAGA: Duke qenë personalisht e kyçur në këto trazira të popullit tim, por edhe shumë studentë të tjerë, ne ishim fëmijë të atyre prindërve që kishin atë ndjenjën patriotike në shpirt. Me vetë faktin prindi që ka dërguar fëmijën për të studiuar shqip në universitet, e ka çmuar peshën e shkollës shqipe. Ata ishin fëmijë që ishin kalit me këtë frymë. Personalisht, kam udhëtuar në këmbë për të kaluar kufirin Maqedoni – Kosovë. E rëndësishme ishte shkolla, nuk na ka sunduar frika, kurrë.
KOHA: Jeni bashkëshortja e aktorit Adem Karaga. Si u njohët me të dhe kur vendosët që të jetoni bashkë?
KARAGA: Në fakt, ka qenë shok i klasës në studime. Ishim miq shumë të mirë dhe ajo miqësi u shndërrua në këtë familje të ngushtë, ku jemi trashëguar me dy fëmijë. Më kujtohet momenti i parë kur kam shkuar në akademi, Ademi ka qenë i pranishëm…
KOHA: Bashkëshorti i juaj në vitin 2001, ju bashkua radhëve të UÇK-së. Çfarë kujtoni nga ajo kohë?
KARAGA: Në atë kohë kam qenë shtatzëne. Edhe në atë periudhe jam ndjerë po aq e zonja, më e zonja se një mashkull. Aty e kam pa veten se çdo të thotë të jesh femër, sepse duke qenë shtatzënë, unë nuk mund të isha në mal. Isha e detyruar të jem, edhe mendova që ky është mision që bëj për popullin tim, por kjo dëshirë si edhe e shumë njerëzve nuk u realizua, sepse Zoti më krijoi femër. Por, përherë kam qëndruar me mendimin se misionet e këtilla mund t’i realizojë edhe mashkulli, edhe femra. Madje, në atë kohë, më mirë ishte të jesh në mal se sa në shtëpi, por fati e deshi që mora vesh nga mjeku se fëmija është djalë. Unë do t’i bashkëngjitesha Ademit, por mora vendimin të kthehem në shtëpinë e burrit, sepse ai është djalë i vetëm. Nëse Ademi nuk do të kthehej gjallë, shtëpia e Karagave do të mirëpriste djalin e tij. Por, të mendosh thellë është e dhimbshme të jetosh pa shokun e jetës në shtëpinë e tij, e të rritësh fëmijën. Fati deshi që ai u rikthye gjallë e shëndosh e mirë, në të kundërtën do të braktisja profesionin, për t’ju përkushtuar djalit tonë. Kujtoj, se Ademi në vitin e katërt të studimeve ishte në burg, bashkë me Fatmir Limanin, kur u vra Beqir Limani edhe Ademi ishte në atë grup. Dhe pas dy viteve u radhit në UÇK. Ademi ishte si zëdhënës i UÇK-së, ne flisnim në telefonKur u lind djali, Ademi ka qenë në mal. Atë ditë është prishur armëpushimi. Nga materniteti i Strugës, ku do të lindja në këtë vend, sepse nuk ka pasur mjek në Kërçovë e gjetiu, kam kërkuar menjëherë telefonin ta informoj Ademin. Në numrin e fundit që më ishte lajmëruar u paraqit një person tjetër, Valmiri, i cili ia dha edhe “myzhden”. Ata e marrin vesh dhe kanë qit pushkë, e kështu pas dy javësh e kam dërguar foshnjën për ta takuar, bashkë me familjen e Ademit. Më 15 shtator, në Shipkovicë, të vitit 2001 dhe për koincidencë, pas 9 viteve, më 15 shtator 2010, na lindi edhe vajza. Kthimi i Ademit në shtëpi ishte i vështirë, sepse problemi me amnistinë disi çalonte. Ishte në rrezik të kthehej në shtëpi edhe pasi u bë kjo marrëveshje, ai dhe shumë luftëtarë vazhdonin të qëndronin në mal, meqë nuk kishin siguri pa amnistinë e ushtarëve. Pastaj u krye disi dhe kur djali gati mbushi 1 vjet ai, erdhi në shtëpi, i gjallë.
KOHA: Sa e lidhur je me vajzën dhe me djalin?
KARAGA: E para, për çdo ditë e falënderoj Zotin që më ka bekuar të jem nënë e këtyre dy fëmijëve. Kur ka lind Orgesi, e kam pa vlerën e jetës, hyjnoren e ekzistencës, pse jetoj, pra arsyen. Ndërsa, vajza është pjesa e bukur e jetës.
KOHA: Cili është filmi shqiptar qe ju e shihni vazhdimisht dhe ju emocionon?
KARAGA: Filmat shqiptar them se i di të gjithë përmendësh. Këta filma i kam parë që kur nuk ekzistonte teknologjia e sotme e sofistikuar, atëherë kur im atë përpiqej të ndreq antenën, duke vënë gjësende për të zënë televizionin shqiptar. Pra, si fillon një film, unë i di aktorët, e di tekstin. “Toka jonë” është një ndër filmat, kryevepër, që saherë të luan në televizor e shoh. Tjetër, “Zonja nga qyteti”; “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër”; “Përrallë nga e kaluara”; “Nëntori i dytë”; “Udha e shkronjave”, e komeditë e të gjitha skeçet e estradave të qyteteve të Shqipërisë, që transmetoheshin për Vitin e Ri dhe festat tjera. Këngët e të gjitha festivaleve. Në jetën tonë pati një ndikim shumë të madh TVSH-ja. Thuajse çdo film, sikur edhe në gjysmë të fillojë, vazhdoj e shoh edhe sot e kësaj dite. Ndoshta është ajo nostalgjia e fëmijërisë, dëshira e atëhershme për ta kapërcyer atë “gardhin” për të kaluar në Shqipërinë tonë, që e kishim njëkohësisht aq afër edhe aq larg atdheun tonë.
KOHA: A ju ka rastisur ndonjëherë që gjatë jetës të jeni takuar me ndonjë shkrimtar që ju keni pasur në rolet tuaja personazhin e veprës së tij. Kush janë shkrimtarët e juaj të preferuar?
KARAGA: Dritëro Agollin e kemi mik të shtëpisë, duke pasur mbrëmjet e poezisë në Strugë, njihemi që në vitin 1992. E kemi një poezi të tij që mami e mban në mur të shtëpisë, pas leximit nga Ura e Poezisë, ajo fletë e bardhe e shkarravitur me shkronjat tona nga dora e poetit, i është fal nënës sime, me titull “Qetësia e bukur”, poezi që flet për gruan, për bukurinë dhe sakrificën, flijimin e femrës për familjen dhe burri që e sheh të bukurën gruan duke fjetur. Është poezi shumë e bukur! Më pëlqen poezia se është mbretëresha e arteve, pëlqej edhe poezinë e Kadaresë, edhe të poetëve të rrethit tonë. Ndërsa, personazhin Bardha të Rexhep Qoses që e kam luajtur shumë vite më herët, është një monodramë. Interpretuar në skenën e vogël të Teatrit Shqiptar. Pas interpretimit shoh një njeri të gjatë që është çuar në këmbë, ishte Qosja, në atë moment dridhmat më kapluan në trup e thash me vete : a thua çfarë do të thotë?! Por, mora një përqafim duke më thënë se kur e kam shkruar, kështu e kam menduar dhe u ndjeva vërtet mirë.
KOHA: Në profesionin e juaj jeni vetvetja, apo dëshironi të ndiqni rrugën e një aktore të preferuar?
KARAGA: Realisht unë besoj në atë individualitetin e njerëzve dhe individualitetin tim, në radhë të parë. Origjinalja është më e mirë se kopja. Nuk dua të ndjek rrugën e dikujt as të jetë dikush kopja ime, pra besoj në vlerat individuale.
KOHA: Si shpjegohet që Teatri Shqiptar ka marrë një goditje shumë të fortë, rrallëherë salla mbushet. Si ndjeheni nga ky fakt?
KARAGA: Për mua vlen një spektator dhe unë luaj pjesën pa problem. Njeriu për mua është një botë në vete. Për mua nuk ka vlerë turma, por sasia. Ata që vijnë në teatër, duan ta shohin veprën e shkrimtarit dhe veprën tonë. Krizën teatri e ka gjithë andej, sepse ndikon interneti, zhvillimi i teknologjisë.
KOHA: Së fundmi u kemi pa në dramën “Makbethi”. Çfarë emocione morët nga kjo shfaqje?
KARAGA: Në këtë shfaqje m’u dha mundësia të shprehi gjithë atë mllef që na është mbledh, mbase si popull, në të gjithë këtë periudhë të tranzicionit. Ajo është një ndër skenat që me pak fjalë, thuhet shumë. Ishte një eksperiencë e bukur. Jam pritur ngrohët nga spektatorët, si gjithmonë. Një shfaqje ndryshe nga të tjerat.
KOHA: Jeta e juaj lidhet më shumë me skenën apo me familjen?
KARAGA: Në radhë të parë e kam familjen, po edhe skenën. Të dyja janë të barabarta. Jeta ime lidhet me shtëpinë dhe teatrin. Por, kur janë në pyetje fëmijët, por edhe familja dhe familja më e gjerë, për mua ka shumë rëndësi, sepse e çmoj fisin, gjakun tim. Di ta sakrifikoj kohën time të lirë për njerëzit e mi, për miqtë. Por, primare kam familjen time. Familja është e shtrenjtë në jetën time. Për fat të mirë, kam një familje të mrekullueshme dhe të shëndoshë. Pa teatrin nuk jetoj dot. Që në moshën 6 vjeçare u dashurova me teatrin e kukullave. Vitet kalonin dhe pasioni për teatrin dhe aktrimin u rrit dita ditës.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.