Krijimi i një ambienti stabil, të favorshëm dhe të ndihmuar me masa më serioze për të të hapur biznese të reja, apo për tu marrë me sipërmarrësi dhe për të punuar për xhepin e vet dhe jo rendja për një pagë prej 300 euro në administratë mbetet ndër sfidat kryesore të shtetit në të ardhmen
Nga Fisnik PASHOLLI
Pjesa dërmuese e qytetarëve në Ballkanin perëndimor apo 80 për qind e tyre preferojnë nëse kanë mundësi të zgjedhin, që më parë të punësohen në sektorin shtetëror në vend të sektorit privat. Këtë e tregon anketa e fundit e realizuar nga Këshilli për Bashkëpunim rajonal me seli në Sarajevë. Qytetarët e Maqedonisë së veriut me 71 për qind më shumë do të punësoheshin në administratën publike apo ndërmarrjet në pronësi të shtetit në raport me vetëm 20 për qind që dëshirojnë të angazhohen në sektorin privat. Vite me radhë, të rinjtë në shtet pas përfundimit të shkollimit të tyre kryesisht orientohen ose të ikin jashtë për të zgjidhur çështjet jetësore ekzistenciale të tyre, apo zgjedhin që me ndonjë lidhje familjare apo të llojit të tjetër të punësohen në punë shteti.
Gjithashtu në periudhën e kaluar , të gjithë qeveritë në shtet po ndërmarrin reformat ë ndryshme të administratës me më pak apo më shumë sukses , ku për hir të vërtetës nuk mund të thuhet se shënohen vetëm dështime apo mos përmbushje e objektivave, por janë arritur edhe rezultate në dobi të popullatës dhe biznesit, duke filluar nga funksionimi i Kadastrës, apo “termini im “ në shëndetësi, apo përshpejtimi i fitimit të më shumë shërbimeve në një pjesë të komunave më të mëdha, e kështu me radhë . Mirëpo, sfidë endet mbetet ulja graduale e numrit të të punësuarve në administratë ku vlerësohet se kondicioni i ekonomisë së Maqedonisë mund të durojë 80 mijë deri 100 mijë të punësuar në administratë dhe jo 140 deri 160 mijë të punësuar. Sfidë mbetet racionalizimi i punës së administratës, ku biznesi për një lejet të vetme nuk do të duhet të pret pëlqimin e më shumë ministrive, agjencive apo komunave me muaj të tëra. Bile shpesh edhe të punësuarit në administratë nuk kanë faj se për shkak të procedurave të ngjeshura dhe koklavitura që kanë adresa të ndryshme janë të detyruar që të zhagisin fitimin e një pëlqimi për të realizuar një kompani private, investimin e vlefshëm me miliona euro që sjell me dhjetëra punësime të reja. Krahas racionalizimit të tepricës së numrit të të punësuarve në administratë që pritet të nisë në fund të këtij viti, në pritje jemi edhe të nisjes me punë të numrit më të madhe të shërbimeve publike në mënyrë online apo elektronike. Pritet që të krijohet katalog i të gjitha shërbimeve administrative për qytetarët dhe firmat, ku të interesuarit mund të fitojnë informacion për çdo shërbim në një vend të vetëm.
Nga ana tjetër, mbetet që analizat më serioze dhe më përmbajtësore në nivel vertikal dhe horizontal të tregojnë shkaqet e ngecjes së procedurave të ndryshme administrative dhe mënyrën se si një leje të fitohet më shpejt, duke respektuar domosdo të gjitha procedurat e nevojshme ligjore. Apo mbetet sfida se si të tejkalohen në dikastere të ndryshme, mungesa për shkaqe objektive apo subjektive edhe e një letre për fotokopjim, probleme me tonerin apo problemet me funksionimin si duhet të rrjetit të kompjuterëve.
Çështje më vete mbetet edhe shpesh mbi punësimi në vende të ndryshme të administratës , matja e vërtetë e produktivitetit të saj, mospërputhja e shkathtësive dhe kompetenca të të punësuarve me ato që kërkohen në një vend të caktuar pune…
Edhe pse edhe në shtetet më të zhvilluara ekonomike dhe me një traditë shumë më të gjatë demokratike se tek nuk ekziston një administratë ideale , megjithatë shtetet perëndimore kanë një administratë solide që ofron shërbime cilësore për qytetarët dhe afaristët. Sfidë mbetet të largohet pasqyra në opinion se një pjesë e administratës nuk mund çon kokën nga puna dhe lëndët që duhet të zgjidhë, ndërsa një pjesë e caktuar e saj ka kohë për të humbur për tu zbavitur në fejsbuk apo për të lozur lojëra në internet, apo për të pirë kafe nga disa herë në ditë.
Mbetet sfidë si të zgjidhet edhe avancimi dhe përparimi më i madh në punë, por edhe rritja e pagës e atyre që punojnë dhe angazhohen më shumë që në këtë mënyrë do të kenë edhe stimulim dhe motiv të ecin para për shkak të shpërblimeve që do t’ju ofrohen. Nga ana tjetër, hulumtimet e para disa viteve kanë treguar se gati gjysma apo 42 për qind e studentëve të diplomuar për punë ideale e vlerësojnë punën e shtetit. Vetëm dhjetë për qind prej tyre dëshirojnë të punojnë në ndonjë kompani private, ndërsa vetëm një e katërta kishin preferuar të hapin biznes vetanak.
Pra , krijimi i një ambienti stabil politik ekonomik dhe shoqëror, të favorshëm dhe të ndihmuar me masa më serioze për të hapur biznese të reja, për të filluar me biznes të vogël në bujqësi apo blegtori, për të hapur një dyqan të ri zanatesh, për tu marrë me sipërmarrësi dhe për të punuar për xhepin e vet për atë pjesë të popullatës që anon kah biznesi dhe angazhimi shpesh edhe 24 orë dhe jo të rend për një pagë prej 300 euro në administratë, mbetet ndër sfidat kryesore të shtetit në të ardhmen. (koha.mk)