Bisedoi Vedat MEMEDALIU
KOHA: I nderuar ambasador, edhe disa ditë fillon fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale. Si i shihni këto zgjedhje dhe çfarë mund ti sjellin Maqedonisë ato?
TIMONIE: Këto zgjedhje do të jenë të rëndësishme për ne, në atë që do të konfirmojnë progresin e dukshëm, të vërejtur edhe nga OSBE në muajin dhjetor të vitit kaluar në drejtim të zgjedhjeve demokratike, transparente, pa presione mbi votuesit. Njëkohësisht, ky është edhe njëri prej kritereve më të rëndësishme për integrimin evropian, pra kriteret e Kopenhagës mbi demokracinë, të cilat zbatohen në çdo vend kandidat. Duke pasur parasysh disa rreziqe të regresit në ca shtete anëtare, të anëtarësuara së fundmi, kjo me siguri do të ndikojë që të jemi më të kujdesshëm në Bruksel, në kryeqytetet, por edhe në opinionin publik, duke vëzhguar me kujdes përmbushjen e këtyre kritereve me afat të caktuar nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Suksesi formal i këtyre zgjedhjeve lokale do të jetë një hap i ri drejt Evropës.
KOHA: Tani që e kemi lënë prapa krizën politike dhe kemi Qeveri të re, si ju duket, në ç’drejtim po shkon vendi?
TIMONIE: Ne duhet të mirëpresim energjinë e vendosur nga ana e autoriteteve të reja dhe diplomacia e tyre aktive, për të kompensuar kohën e humbur në rrugën drejt integrimeve evropiane dhe atlantike. Konstatoj gjithashtu se lidhur me këto çështje, pavarësisht nga dallimet partiake, ekziston një konsensus strategjik dhe një ndjenjë e interesit kombëtar, që duhet të gjejnë edhe zbatimin e tyre të tërësishëm praktik, sidomos përmes respektimit të të drejtave të opozitës në Parlament, e cila nga ana tjetër – duhet të përmbahet nga obstruksionet sistematike. Pas nxehtësisë së këtyre zgjedhjeve, duhet të arrijmë në krijimin e një peizazhi të stabilizuar politik, prej nga presim ndërtimin e një kulture politike evropiane, ku skenat e dhunës si ato të 27 prillit, nuk mund të jenë asgjë më shumë, përveç se një kujtim i hidhur. Kjo do të ndodhë përmes pranimit të asaj se, kundërshtari politik nuk është një tradhtar ose i korruptuar, por ka një pjesë të përfaqësimit kombëtar. Unë shoh shenja inkurajuese në këtë drejtim, në sjelljen e shumë personaliteteve të shumicës dhe të opozitës, përreth agjendës evropiane.
KOHA: Si e vlerësoni Planin 3-6-9, a mundet Qeveria ti përballojë dinamikës së caktuar dhe sa ai ju duket I realizueshëm?
TIMONIE: Plani u mirëprit nga zyrtarët evropianë. Ky plan ngërthen përgjigjen e pritshme për një numër kërkesash të Bashkimit, ku janë vërejtur përgjigje të pamjaftueshme ose madje edhe zhvillime negative në vitet e fundit. Është tejet ambicioze të duash ta rivendosësh vendin në më pak se një vit në rrugën e reformave dhe të flakësh të gjitha rezervat evropiane të shfaqura kohët e fundit, por të cilat prekin problemet strukturore të shtetit dhe shoqërisë së Maqedonisë. Por, ama është e sigurt se ky vullnet ka krijuar një përshtypje të thellë dhe ka ngritur optimizëm pozitiv brenda vendit, si dhe vullnet të mirë jashtë tij. Tani, përtej planeve, ajo që priten natyrisht janë rezultatet konkrete, një mënyrë e ndryshme e qeverisjes, një shmangie nga praktikat e paligjshme, por të rrënjosura në zakone, konfuzion i partive dhe shtetit, një rënie të klientelizmit… e gjithë kjo shkon bukur shumë përtej agjendës. Megjithatë, ne mbështesim plotësisht zëvendëskryeministrin Bujar Osmani në zbatimin e këtij plani, të cilit ai i është përkushtuar me një energji të admirueshme nga ne. Gjithashtu, u takova me ministrin e Drejtësisë dhe atë të Mjedisit, si dhe me kryetarin e Komisionit për Çështje Evropiane, për të biseduar për mbështetjen reformave nga Franca, andaj mund të them dhe konstatoj plotësisht angazhimin e tyre të fuqishëm për të punuar me ne.
KOHA: Aktualisht po zhvillohet debati në Parlament për ndryshimin e Ligjit për gjuhët, respektivisht avancimin e gjuhës shqipe. Qarqe të caktuara politike, akademike dhe intelektuale brenda shoqërisë maqedonase janë kundër avancimit të të përdorimit të gjuhës shqipe. Si e shihni këtë debat dhe këto kundërshtime?
TIMONIE: Diskutimet janë të dobishme dhe madje të nevojshme. Askush në politikë nuk e posedon të vërtetën i vetëm, e lëre më, kur bëhet fjalë për modalitete simbolike dhe praktike të jetës së komuniteteve kryesore të vendit. Duke u mbështetur në këtë, ligjet në diskutim janë pjesë e vazhdimit të Marrëveshjes së Ohrit, të cilat mbeten për t’u zbatuar plotësisht. Këtu është edhe çështja e përpilimit në përputhje me Kushtetutën, e cila mund të lidhet me një temë, ku formulimi është shumë delikat dhe mund të hapë kontestime. Konsultimi i Komisionit të Venedikut, një trup nën mbikëqyrjen e Këshillit të Evropës, i përbërë nga ekspertë të pavarur, është një mjet i dobishëm për arritjen e konsensusit. Me këtë ligj, asnjë komunitet nuk duhet të ndjehet i humbur ose i kërcënuar. Por, përveç kësaj, mendoj se duhet të mendojmë më tepër për ato gjëra që përafrojnë, sesa për ato që mund të na ndajnë, dhe shpresoj që askush nuk do të përpiqet të manipulojë me këtë çështje gjatë zgjedhjeve, me fjalime mbizotëruese nacionaliste.
KOHA: Prioritet i Qeverisë së re është integrimi i vendit në BE dhe NATO. Kontaktet me Greqinë për zgjidhjen e kontestit të emrit, si një ndër pengesat kryesore në këtë rrugë, janë rivendosur. Me çka mund të rezultojë ky proces, a mundet Maqedonia brenda vitit të ardhshëm të marrë ftesë për negociata me BE-në, por edhe sinjale për anëtarësim në NATO me referencën IRJM?
TIMONIE: Ekziston një klimë shumë më e favorshme, siç manifestohet edhe shihet edhe nga cilësitë e reja të marrëdhënieve me shumicën e vendeve fqinje, sidomos me Bullgarinë. Franca shpreson shumë në arritjen e një zgjidhjeje të pranueshme mes të dyja vendeve për çështjen e emrit. Në këtë drejtim duhen edhe më tej përpjekje, duke përfituar nga atmosfera e re dukshme e krijuar, pas shkëmbimit të vizitave të ministrave të Jashtëm, por mbetet shumë për t’u bërë për të arritur kompromise të pranueshme për opinionin publik. Diplomacia rrallë realizohet nga “deus ex machina”. Është e domosdoshme të jesh i durueshëm, të krijosh besim dhe të bësh debate gjakftohta. Kjo kohë duhet të përdoret për të zhvilluar reformat e nevojshme, për t’i bërë këto integrime të mundshme dhe efektive, pasi pengesat nuk lidhen thjesht vetëm me veton greke.
KOHA: Si i shihni reformat në drejtësi, për të cilat tanimë është formuar një Grup pune. Sipas jush, si duhet të zhvillohet ky proces dhe ku duhet patur kujdes?
TIMONIE: Reformat në fushën e drejtësisë janë pjesë e agjendës prioritare për evropianët. Kornizat janë të njohura dhe ngelet mobilizimi politik për zbatim. Theksi duhet të vihet në profesionalizimin dhe pavarësinë e gjyqtarëve. Franca është përfshirë thellë në krijimin e Akademisë së Gjykatësve dhe Prokurorëve. Një raport në lidhje me dhjetë vitet tona të bashkëpunimit do t’i dorëzohet së shpejti ministrit të Drejtësisë, i cili këmbëngul në rezultatet e para të korrura. Më ngjan se sistemi francez që kalon nëpër një proces të përzgjedhjes rigoroze, nëpërmjet një konkursi dhe një trajnimi unik të gjyqtarëve përmes një Akademie shkollore, është një garancë për cilësinë dhe koherencën e drejtësisë. Metodat e tjera të përzgjedhjes, bazuara në dosje, mbeten pakicë dhe përfshijnë një kalim të detyrueshëm nga Akademia, me qëllim sigurimin e një rekrutimi dhe angazhimi intelektualisht homogjen, për të shmangur çdo manipulim politik. Kjo është një qasje e zbatuar nga shumica e shteteve në Evropë.
KOHA: Prokuroria Publike Speciale po bllokohet nga të gjitha anët prej instancave tjera gjyqësore. Një prej propozimeve të Grupit të punës për reforma në sistemin e drejtësisë është që ajo të bëhet pjesë Prokurorisë për Krimin e Organizuar. Si mundet, sipas Jush, të kapërcehet ky ngërç dhe fajtorët për keqpërdorimin e pushtetit ta dalin para drejtësisë?
TIMONIE: Do të ishte e dëmshme që këto raste të vazhdojnë të helmojnë klimën politike. Publiku pret përgjigje të qarta, sidomos në rastet e tilla të ndjeshme, sikurse rasti “Monstra”, andaj duhet gjetur një kuadër të përshtatshëm për të qartësuar dhe sqaruar këto raste. Ne nuk mund të harrojmë se të metat në fushën e drejtësisë justifikojnë bllokimin e progresit të vendit drejt integrimit evropian nga ana e Komisionit. Pa e tejkaluar këtë pikë, më duket se institucionet e veçanta në fushën e drejtësisë do t`i nënshtrohen kritikave të vazhdueshme. Ajo që ka rëndësi, para së gjithash, është një drejtësi e pranuar, e cila nuk krijon as martirë të vërtetë e as të rremë.
KOHA: Si i shihni raportet mes partive politike shqiptare tanimë kur kemi një garë mes BDI-së, BESËS, ASH dhe PDSH. Si ju duket kjo konkurrencë politike?
TIMONIE: Konkurrenca midis partive në vetvete është e shëndetshme dhe dobiprurëse: kjo është edhe thelbi i demokracisë. Ajo nuk duhet të përdoret për të mbjellë frikë dhe dhunë, por duhet të drejtohet nga respektimi i zgjedhjes së lirë të individëve. Ky ka qenë një proces i gjatë në vendet tona, por është nder i qytetarëve për ta respektuar atë. Në këtë drejtim, unë e mirëpres punën e organizatave joqeveritare dhe aktivistëve, të cilët shpesh janë të rinj, e të cilët i takova në muajin dhjetor nëpër vendvotime. Ata nuk kishin çdoherë detyrën e lehtë, por ju them troç se meritojnë mbështetjen dhe admirimin tonë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.