Laura PAPRANIKU
Shkup, 27 gusht – Shkollimi privat në nivelin e arsimit fillor në Maqedoni, nuk ofron dallime kushedi sa të theksuara në raport me shkollimi publik sa u takon çështjeve fundamentale që determinojnë krijimin e mundësive për arsim cilësor, respektivisht numrin e nxënësve në klasë dhe mësimdhënësve për kokë nxënësish, shkruan gazeta KOHA. Si në numrin e nxënësve në klasë, ashtu edhe të arsimtarëve të angazhuar në procesin mësimor – dallimi mes privatit dhe publikut në Maqedoni nuk është kushedi sa i madh. Të paktën këtë e tregojnë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave, e sipas të cilave, vitin e kaluar shkollor (2016/2017) kishte shumë dallim në numrin e nxënësve në klasë në shkollat publike dhe tek ato private. Konkretisht, shkollat publike, sipas ESHS-së, kishin mesatarisht nga 16.9 nxënës në klasë, ndërsa shkollat fillore private 16.6 nxënës në klasë. Pra, të analizuara në këtë pikë, sistemi i arsimit fillor në Maqedoni, i cili organizohet në 988 shkolla publike dhe pesë private, është thuajse i njëjtë. Dallimet fillojnë të vinë në shprehje gjatë krahasimit të numrave për kuadrin mësimdhënës të angazhuar nëpër shkollat ku edhe pse me diferenca të vogla, prapë se prapë privati është në avantazh. Kështu, në shkollat private të arsimit fillor kemi numër më të madh të mësimdhënësve të angazhuar për kokë nxënësish se sa është ky raport në shkollat publike. Edhe pse në nivel shteti as në shkollat publike nuk ka tregues të ndonjë ngarkese të madhe të mësimdhënësve me numër nxënësish në klasë, prapë se prapë te shkollat private raporti mësimdhënës-nxënës është më i vogël. Konkretisht, për 191.332 nxënësit që ishin të evidentuar si aktiv në procesin e arsimit fillor në të gjitha shkollat fillore publike të Maqedonisë, për vitin 2016/2017 ishin të angazhuar 17.679 mësimdhënës. Pra, raporti i nxënësve dhe mësimdhënësve është mesatarisht 10.8 nxënës për një mësimdhënës. Ndërkaq, për 1378 nxënësit e shkollave private ishin në dispozicion 208 mësimdhënës, do të thotë që ai raport është 6.6 nxënës për një mësimdhënës. Sa i përket numrit të paraleleve, të cilat u formuan në shtator të vitit të kaluar, ESHS ka evidentuar 11.344 paralele në shkollat publike dhe 83 në shkolla private. Nëse marrim parasysh që në këto paralele kishte 191.332 nxënës në shkollat publike dhe 1378 në private, i bie që në shkollat publike të kishim mesatarisht 16.9 nxënësve në klasë, kurse në shkollat private mesatarisht 16.6 nxënës në klasë. Kushtet, mjetet e punës, si dhe pajisjet tjera për realizmin e procesit mësimor nuk janë objekt i kësaj analize, mirëpo në predispozitat fundamentale të krijimit të mundësive për arsim cilësor, pra të numrit të nxënësve në klasë dhe mësimdhënësve të angazhuar shkollat publike dhe private, janë pranë njëra-tjetrës. Ose, të paktën numerikisht, dallimi mes publikut dhe privatit është i vogël. Në nivelin e arsimit të mesëm, gjërat ndryshojë dukshëm. Shkollat e mesme private jo vetëm në dukje janë më cilësore, por edhe statistikisht qëndrojnë më mirë se sa shkollat publike. Të dhënat e ESHS-së tregojnë se vitin e kaluar, në shkollat private numri i nxënësve në klasë ishte mesatarisht 14, kurse në shkollat publike kishte nga 8 nxënës më shumw. Pra, mesatarisht, numri i nxënësve të mesëm në shkollat publike për vitin shkollor 2016/2017 ishte 22 nxënës në klasë. Në shkollat e mesme publike në fillim të vitit shkollor kishte 74.361 nxënës të shpërndarë në 3387 paralele, për dallim prej shkollave të mesme private, të cilat kishte 2033 nxënës të shpërndarë në 146 paralele. I thellë, madje tepër i dukshëm është dallimi në raportin mësimdhënës-nxënës. Nisur nga të dhënat se në shkollat e mesme publike ishin të angazhuar 7043 profesorë, ndërsa në shkollat e mesme private ishin 377 profesorë, i bie që ai raport të jetë 10.5 nxënës për një profesor te publiku dhe 5.4 nxënës për një profesor te shkollat private. Pra, dallimi është gjysmë për gjysmë në favor të privatit. Me fjalë të tjera, në shkollat e mesme publike profesorët janë të ngarkuar me shumë më tepër nxënës se sa në shkollat private, ndërsa janë të ngarkuara gjithashtu më tepër edhe paralelet. Numri i nxënësve në klasë te shkollat publike është më i lartë se sa te shkollat private dhe të dyja këta tregu. Shkollat private të paktën sipas të dhënave zyrtare për numrin e nxënësve, paraleleve dhe kuadrit mësimor ofrojnë komoditet më të madh se shkollat publike të krahasuar për të njëjta parametra. Dallimin më të madh e bëjnë shkollat e mesëm ku është thuajse dyfish më i vogël numri i nxënësve në klasë dhe dyfish më i madh numri i profesorëve të angazhuar, çdo herë në raport me numrin e nxënëse të krahasuara veç e veç.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.