Shkup, 25 korrik – Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore (NPRRSH) sot e publikoi tenderin për aksin e parë të autostradës Shkup – Bllacë. Pjesa e parë përfshin gjatësi prej dy kilometrash nga VK Bllacë deri në fillim të fshatit Bllacë, njofton Koha.mk
Siç informoi drejtori i NPRRSH, Zoran Kitanov, tenderi për dy kilometrat e parë të autostradës së re është hapur deri më 4 shtator të këtij viti.
“Autostrada e ardhshme do të ndërtohet sipas standardeve evropiane me dy korsi për vozitje dhe një për ndalim të detyrueshëm në një drejtim, gjerësia e korsive për vozitje është nga 3,5 metra, ndërkaq korsia e ndalimit të detyrueshëm është 2,75 metra respektivisht gjerësia e përgjithshme e asfaltit të korsisë në një drejtim është 10,25 metra, ndërsa shpejtësia e lëvizjes do të jetë 100 kilometra në orë”, theksoi Kitanov pas takimit të sotëm me zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane”, Bujar Osmani.
Kitanov theksoi se në aksin është paraparë të ndërtohet një nyje lidhëse për kyçje në fshatin Bllacë dhe rrugën magjistrale ekzistuese si dhe theksoi se janë projektuar dy rrethrrotullime për arsye të lidhjes me terminalin doganor Bllacë dhe magjistralen ekzistuese, për të cilën theksoi se do të shërbejë si rrugë alternative. Ai theksoi se afati i ndërtimit është 18 muaj ndërsa mjetet janë siguruar nga NPRRSH.
Zëvendëskryeministri Osmani informoi se për projektin për ndërtimin e autostradës Shkup VK Bllacë kanë aplikuar në Fondin Investues për Ballkanin Perëndimor me të cilin janë marrë një milion euro me të cilat së bashku me mjetet ekzistuese kanë angazhuar kompani amerikane të bëjë projekt për aksin e parë dhe për fillimin e ndërtimit me mjete buxhetore.
Me ndërtimin e autostradës, dhe lidhjes së saj me autostradën Prishtinë- Bllacë, shtoi Osmani, lidhshmëria kohore mes Shkupit dhe Prishtinës zvogëlohet prej më shumë se dy orë – në më pak se një orë, me çka Shkupi dhe Prishtina edhe në kuptim thelbësor do të bëhen kryeqytetet më të afërta në Ballkan, duke e potencuar rëndësinë e këtij projekti, si në aspektin ekonomik, për avancimin e shkëmbimit tregtar mes dy vendeve, ashtu edhe në aspektin politik dhe shoqëror, në drejtim të lidhjes së vendeve dhe popujve të rajonit. (koha.mk)