Shkup, 25 janar – Një prokuror publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup ngriti propozim për dhënie të gjobave me nga 2.000 euro kundër tetë personave të moshës prej 18 deri 22 vjet, të cilët më 8 janar janë zënë në një aheng privat në rrugën “Vasil Gjorgov”, në shtëpinë e njërit nga të akuzuarit.
Në festën e njëjtë janë zënë edhe shtatë persona të mitur, për të cilët do të zbatohet procedurë sipas Ligjit për drejtësi të fëmijëve.
“Të akuzuarit kanë vepruar në kundërshtim me dispozitat dhe urdhërat me të cilat përcaktohen masat për parandalim të përhapjes së sëmundjes ngjitëse të rrezikshme, ndërsa të cilat kanë të bëjnë me ndalesën e mbajtjes së festave në hapësirë të hapur dhe të mbyllur në periudhën nga data 18.12.2020 deri më 21.01.2021”, thuhet në kumtesën e PTHP-së.
Prokurori Publik Kompetent i propozoi Gjykatës Themelore Penale Shkup për të akuzuarit persona të rritur të shqiptojë dënim në para me nga 100 gjoba ditore, me vlerë individuale të gjobës ditore prej 20 euro.
Personat akuzohen për vepër – Mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë sipas nenit 206 paragrafi 1 i Kodit penal.