Paris Sen Zhermeni sonte (e martë) do të tentojë të përmbys epërsinë e Realit të Madridit prej 3-1 nga ndeshja e parë. Hendikep për trajnerin e skuadrës parisien Unai Emeri do të jetë mungesa e yllit brazilian Nejmar, i cili për shkak të lëndimit do të mungojë në këtë përballje. Por, sipas mediave franceze thuhet se Emeri ka gjetur zëvendësuesin adekuat të Nejmarit dhe ai pritet të jetë argjentinasi Di Maria. Di Maria po kalon një moment të mirë dhe këtë e konfirmoi në takimin e fundjavës kundër Trojas, kur PSZH fitoi me 2-0, ndërsa autor i një golit ishte pikërisht Di Maria. Por detyra më e vështirë për sulmuesin argjentinas është të përmbysë shifrat 1-3. Derisa, trajneri Emeri shpreson që Di Maria të realizojë edhe në sfidën e radhës.
“Të dy, Di Maria dhe Nejmar, janë lojtarë të rëndësishëm, me cilësi që bëjnë diferencën në fushë. Di Maria ka përvojë dhe dëshirë për të treguar vlerat, është shumë kompetitiv dhe të martën ai ka shansin të tregojë se është një kampion”, tha trajneri Emery, që në ndeshjen ndaj Trojes la pushim shumë nga titullarët, për t’i pasur gati për ndeshjen e Çampions.
“Dua një ekip në 100 për qind të formës ndaj Realit, ku do të rikthehet edhe Mbappe, që e lashë pushim pas këshillës së mjekëve”, deklaroi Emeri.
Ndryshe, Emeri në profilin e tij në “Instagram” ka ardhur me një paralajmërim për “Los Blancos”, ndoshta me synimin për të frikësuar sadopak kundërshtarin, por kryesisht për t’i dhënë zemër lojtarëve të tij. “Në pjesën më të madhe të ndeshjeve të këtij sezoni kemi treguar se mund t’ia dalim, veçanërisht sepse do të luajmë në Parkun e Princave, që do të na japë një shtysë të madhe. Jemi përgatitur në maksimum për këtë përballje. Do të japim maksimumin pa menduar për të shkuarën apo për të ardhmen, por vetëm për ndeshjen që do të luajmë. Do të luajmë në Parkun e Princave, në shtëpinë tonë dhe bashkë me tifozët tanë do të bëjmë gjithçka është e mundur për të vazhduar shkrimin e historisë së PSZH”, deklaroi Emeri.
Në anën tjetër, lajme të mira në prag të sfidës së sotme ka marr edhe trajneri i Realit të Madridit, Zinedin Zidan. Dyshja e rëndësishme e ekipit, mesfushorët Toni Kroos dhe Luka Modriç janë kthyer në stërvitje me skuadrën, ndërsa tani mbetet Zidane të vendosë nëse ata do të jenë të aftë për të luajtur. Të dy mesfushorët kanë qenë jashtë fushave për tri javë, me Modriç që kishte një tendosje të klasës së parë në kofshën e tij dhe Kroos me një lëndim të gjurit. Sikurse Kroos ashtu edhe Modriç mund të luajnë ndaj PSZH-së, por nuk dihet nëse do të jenë titullar.
Pavarësisht fitores 3-1 në Madrid, Zidan pret një ndeshje të komplikuar në “Parc des Princes”. Ai u ndal edhe te mungesat, por tha se nuk do të “qahej” nëse ata nuk rikuperohen për takimin e kthimit. “Ne e dimë që ndeshja e kthimit kundër PSZH-së do të jetë shumë e vështirë. Ata duan të kualifikohen për në çerekfinale. Është mirë që ne fituam kundër Getafes para se të shkojmë në Paris. Modriç dhe Kroos nuk janë kthyer në stërvitje, ndoshta të dielën. Por, ata do të vijnë me ne në Paris, kjo është e sigurt. Unë nuk do të ankohem për mungesën e mundshme të tyre, ne kemi lojtarët për të kompensuar mungesat”, tha Zidan.
Ndërkohë, përballja tjetër e ditës së sotme mes Liverpulit dhe Portos do të jetë vetëm formale, pas fitores së thellë prej 5-0 e skuadrës angleze në ndeshjen e parë në Portugali.