Shkup, 2 nëntor – Ngjarjet rreth dhe në VMRO-DPMNE edhe më tutje aktuale. Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska dje porositi se nuk ka amnisti për dhunën në Kuvend të 27 prillit të vitit të kalaur, ndërsa Prokuroria Speciale Publike kërkoi dhe arriti që Gjykata themelore Shkup 1 të shqiptojë masë të përkohshme për sigurimin e pronës së partisë më të madhe politike në shtet.
Siç kumtuan nga PSP, me masën janë ngrirë gjithsejt 69 patundshmëri, mes të cilave edhe objekti në të cilin ndodhet selia e partisë.
“Me këtë masë ndalohet tjetërsimi i pronës konkrete si dhe dhënia me qira e së njejtës. Veprimet janë ndërmarrë në suaza të lëndës ‘Talir’, duke pasur parasysh atë që ekziston besimi se prona e njejtë të tjetërsohet deri në përfundim të procedurës”, thonë nga PSP.
Hetimi për “Talir” ka të bëjë me financimin e paligjshëm të VMRO-DPMNE-së prej vitit 2009 deri në fund të vitit 2015, ndërsa ekziston dyshimi për keqpërdorim të 4,9 milionë eurove. Në hetim janë të dyshuar 14 persona, ndërsa mes tyre është edhe ish-lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski. Pjesë e hetimit është edhe ndërtimi i selisë kryesore të partisë në Shkup nga ana e ndërmarrjes ndërtimore Beton.
Sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev në konferencë për shtyp tha se për herë të parë në Republikën e Maqedonisë dhe në Evropë këtkohet ngrirja e pronës së partisë opozitare.
“Në mënyrë partiake, joprofesionale dhe selektive Prokuroria Speciale Publike një muaj pas debaklit të referendumit të Zaevit dhe LSDM-së, kërkoi të ngrihet e tërë prona e partisë, ndërsa gjykatësit Vesna Dimishkova dhe Sedat Rexhepagiq, pa kurfarë baze menjëherë kërcyen të ndihmojnë dhe të sjellin vendim pozitiv rreth kërkesës së PSP-së”, theksoi Janushev.
Sipas tij, kërkesa e PSP-së dhe Vendimi i gjykatësve Dimishkova dhe Rexhepagiq janë tërësisht të pabaza dhe pa kurfarë argumentimi juridik. Kërkesa e PSP-së dhe vendimi i gjyatësve janë kryesisht dhe vetëm politikisht të motivuara. Janushev konsideron se ky është rast i ndjekjes klasike politke dhe dhunës politke me të cilën në mënyrë të drejtpërdrejtë preken të drejtat e qytetarëve për t’u organizuar dhe vepruar.
Deskoska nga Ohri, ku po merr pjesë në punëtorinë kushtuar reformave në sistemin e jurisprudencës, lidhur me deklaratën e kryeministrit Zaev në Kuvend për pajtim, tha se ai është qëndrim që duhet të mbështetet, të bisedohet në kontekst më të gjerë, por se amnisti për dhunën në Kuvend nuk guxon të ketë. Sipas saj, bëhet fjalë për ngjarje që ka lënë jo vetëm traumë personale ndaj njerëzve, por edhe traumë ndaj mbarë shoqërisë.
“Ne në kuadër të agjendës reformuese duhet të tregojmë gatishmëri si shtet të procesuojmë dhe të vijmë deri në shkallën e përgjegjësisë për ngjarjet që po i zhvillon PSP, si dhe për ngjarjet e 27 prillit”, theksoi Deskoska.
Për pajtimin, ajo tha se ai do të ishte një lloj procesi i bisedimeve, përmes formimit të trupit në Kuvend, përbërja e të cilit ende nuk është definuar dhe për momentin as nuk dihet se si ai do tëp formohej.