Shkup, 13 korrik – Ish ndihmësministri për Punë të Brendshme Gjoko Popovski, të enjten është paraqitur në Gjykatën së Apelit, si njëri prej të akuzuarve në rastin “Treqind”, për të cilin Prokuroria Speciale Publike thotë se është keqpërdorur pozita zyrtar gjatë furnizimit me 300 vetura të policisë, shkruan gazeta KOHA. Gjatë prononcimit para Këshillit penal, i cili e shqyrton ankesën e PSP-së, ndihmësministri Popovski, tha se nuk ka kryer asnjë vepër penale, por vetëm tha se i ka respektuar vendimet e komisionit të MPB-së për furnizime. “Unë po përballem me strese të llojllojshme, të cilët më janë shfaqur që nga koha kur jam futur në gjykatë. Të gjitha udhëtimet e mia janë familjare, ndërsa udhëtim zyrtar nuk kam pasur plotë katër vite. Sa i përket PSP-së, të gjitha dokumentet të cilët i kanë kërkuar ato i kanë pranuar. Ndërsa, kur flasim për atë se a kam kryer vepër penale, unë mendoj se jo, për shkak se unë vetëm i kam respektuar vendimet e komisionit të MPB-së”, tha ish ndihmësministri Popovski.
Prokuroria Speciale në seancën e zhvilluar të enjten përfaqësohej nga prokurorët special Stevço Donev edhe Gavrill Bubevski. Ata e kanë përsëritur kërkesën për paraburgim të ndihmës ministrit Popovski, ndërsa ankesën e palës mbrojtëse e kanë cilësuar si të pabazë. “Gjykata Penale e Shkupit në vendimin e saj për këtë rast nuk ka dhënë sqarim se pse ka sjellë masë më të butë. Sa i përket ankesës tonë për shfuqizimin e masës së kujdesit dhe marrjes së pasaportës, këtë e mbështesim në gjendjen e tij pronësore, gjegjësisht personi në fjalë posedon mjete të mjaftueshme për të jetuar jashtë shteti”, tha prokurori special Donev. Avokatët e të dyshuarit, Boro Tasevevski dhe Dimitar Danev, njëzëri shprehën keqardhje në emër të të akuzuarit. Sipas tyre, ekzistojnë shkelje serioz ndaj të drejtave të klientit të tyre. Në këtë rast, avokati Tasevski tha se propozimi për shqiptimin e masës së paraburgimit që i është dorëzuar gjykatës nuk i është parashtruar palës mbrojtëse. Këto shkelje ligjore sipas tij ende vazhdojnë, me çka i akuzuari nuk ka pasur mundësi të prononcohet për ato akuza. Mes tjerash avokati tjetër, Dimitar Danev, ka theksuar se nuk arsye se pse të shqiptohet masa e paraburgimit.
Gjykata e Apelit, gjatë ditës së enjte krahas shqyrtimit të ankesës për rastin “Treqind” e vazhdoi procedimin rreth ankesës edhe për rastin “Tifani”, ku si i akuzuar e parë është gazetarja Ivona Talevska. Përpos këtyre rasteve, Gjykata e Apelit të enjten i ka shqyrtuar edhe ankesat e PSP-së edhe për rastin “Total” dhe “Trevnik”, ku si i akuzuar është gazetari Dragan Pavlloviq-Llatas dhe familjarë të tij. Ndërkohë, Këshilli penali i përbërë nga Liljana Ivanovska Shopova, Jani Niça dhe Afrim Fidani, e ka proceduar edhe ankesën për rastin “Tarifa”, në të cilin PSP-ja akuzon tre persona për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare”. Ndryshe, gjatë ditës së mërkurë në Gjykatën e Apelit janë shqyrtuar edhe ankesat e PSP-së për rastin “Trajektorja”, ku si të akuzuar janë ish zëvendëskryeministri Vlladimir Peshevski dhe personi Lupço Georgievski, i cili dyshohet për keqpërdorimin e 156 milionë eurove para nga arka e shtetit gjatë ndërtimit të autostradave në Maqedoni nga kompanitë kineze. Gjatë ditëve në vazhdim pritet të dihet vendimi i Gjykatës së Apelit, se vallë do të pranohet ankesat për shqiptim të masës së paraburgimit për këta persona dhe të tjerët. (koha.mk)