PSP-ja vazhdon t’i përfaqësojë lëndët, dilema se kush do ta zëvendësojë Janevën

Shkup, 22 gusht – Prokuroria Speciale Publike do të vazhdojë të përfaqësojë çështjet në sallën e gjyqit, pavarësisht faktit se shefja e tyre Katica Janeva u arrestua pardje për rastin “Zhvatja”. Ende mbetet e hapur çështja se kush do ta pasojë Janevën në funksionin shef i PSP-së, informon Koha.mk

Megjithatë, për zyrtarët qeveritarë, çështja “Zhvatja” tregon se askush nuk është i paprekshëm dhe se lufta jo selektive kundër korrupsionit është kusht pa të cilin nuk ka përparim drejt anëtarësimit në BE.

Prokurorja e PSP-së, Fatime Fetai dje deklaroi se PSP-ja vazhdon me përfaqësimin e lëndëve në gjykatë pa dallim që shefes së tyre Katica Janeva i është caktuar masë paraburgimi për rastin “Zhvatja”.

“Ajo çka ndodh mund të jetë vetëm një tregues i mirë se secili që ka gabuar para ligjit, patjetër të përgjigjet, se punët përfundimisht lëvizin në drejtim pozitiv dhe se askush nuk është i paprekshëm”, tha ajo.

Sipas saj, përgjegjësia individuale penale e një prokurori në PSP nuk duhet të jetë justifikim ose arsyetim të harrohet i gjithë kriminaliteti që është bërë në shtet në periudhën e fundit dhe ne ta ndërpresim luftën tonë. Ekipi i PSP-së në tërësi është i përkushtuar në luftën për drejtësi dhe ne vazhdojmë me atë që është punë e jonë- përfaqësimin e lëndëve në gjykatë.

Pas arrestimit të Janevës, PSP-ja është pa drejtues, fati i saj është i pazgjidhur, për shkak të ngërçit në negociatat midis pozitës dhe opozitës për ligjin e Prokurorisë Publike. Mbetet e hapur pyetja se kush do të marrë postin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale Publike.

Sipas prokurorit publik Lubomir Joveski, i cili i referohet Ligjit për Prokurorinë Publike, në këtë rast Këshilli i Prokurorëve Publikë duhet të veprojë dhe të emërojë një ushtrues detyre. Kjo do të thoshte se zëvendësimi i Janevës do të bëhej nga dikush prej kolegëve të saj.

Nga ana tjetër, kryetari i Këshillit të prokurorëve publik, Kole Shterjov konsideron se nuk mund të emërohet u.d prokuror special pa i skaduar mandati Janevës.

Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionin sot pritet që me shkrim ta informojë Këshillin e Prokurorëve Publik për të gjitha aktivitetet e ndërmarra deri tani në procedurën parahetimore dhe hetimore në rastin “Zhvatja” mes tyre edhe arrestimi i djeshëm dhe paraburgimi i prokurores speciale Katica Janeva.

Pas arrestimit të Janevës PSP ka mbetur pa udhëheqës, fati i saj i pazgjidhur, për shkak ngecjes së negociatave mes pushtetit dhe opozitës për ligjin për Prokurori Publike, ku zgjidhet statusi i saj.

“Duke pasur parasysh se në procedurë parahetimore dhe hetimore nga ana e PTHPNKO janë ndërmarrë një sërë veprimesh, prokuroria kontrollin do t’i dorëzojë Këshillit gjatë ditës së sotme apo nesër në mëngjes”, shtojnë prej atje.

Kryetari i Këshillit Kole Shterjev pasi ta marr njoftimin duhet të caktojë seancë, në të cilën do të fillojë procedurë për shkarkimin e Janevës si njeri i parë i PSP-së.

Ligji për PSP-në në nenin 18 thotë se prokurori publik mund të shkarkohet nga funksioni para skadimit të mandatit për shkak të kryerjes joligjore apo joprofesionale të funksionit. Nëse Këshilli i prokurorëve publik fillon procedurën e shkarkimit të prokurorit publik në afat të arsyeshëm duhet të dorëzojë deri në Kuvend raport për situatën faktike dhe bazat e shkarkimit. Raporti do të ishte i qasshëm për publikun përmes komisioneve në Kuvend, vetëm nëse ndonjë prej komisioneve nuk e anulon ose e pengon publikimin e një pjese të raportit, nëse e gjen të nevojshme të mbrohen të drejtat e çdo personi në raport ose të pengohet ndikimi i palejuar në çfarëdo ndjekje penale.

Në bazë të raportit të dorëzuar, ndërsa me propozim të Komisionit parlamentar për çështje dhe emërime dhe pas ujdisë paraprake të katër partive politike me më shumë deputetë, Këshilli me propozim të Kuvendit e shkarkon prokurorin publik. Kuvendi e vërteton propozimin për shkarkim të prokurorit publik deri te Këshilli i prokurorëve publik me dy të tretat e shumicës, përfshirë edhe shumicë të votave të deputetëve që i përkasin bashkësive që nuk janë shumicë.

Konform nenit 19 të këtij ligji, prokurori i shkarkuar publik i cili udhëheq me Prokurorinë publike mund të dorëzojë ankesë deri te Gjykata themelore Shkupi 2- Shkup për shqyrtimin e vendimit për shkarkim. Me vendim të gjyqit, prokurori publik mund të kthehet në punë ose të merr lloj tjetër të kompensimit.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski thotë se Këshilli i Prokurorëve Publikë në procedurën e zgjedhjes dhe emërimit në PSP mund të veprojë vetëm me një propozim nga Kuvendi, të miratuar më parë nga Komisioni i Zgjedhjeve dhe Emërimeve, me një shumicë prej dy të tretave dhe shumicë të Badinterit.

Zyrtarë të lartë të qeverisë besojnë se çështja “Zhvatja” tregon se askush nuk është i paprekshëm dhe se sundimi i ligjit dhe lufta pa dallim kundër korrupsionit është një kusht pa të cilin nuk ka progres në rrugën evropiane.

Rasti “Zhvatja” është test për institucionet pikërisht në prag të vendimit të madh për atë nëse reformat që i zbatuam në këtë periudhë dhe me Planin 369 dhe me Planin 18 krijuan institucione me kapacitet të mjaftueshëm që të ballafaqohen me sfidat e tilla, test i cili duhet të kalohet me sukses nga ana e institucioneve shtetërore dhe i cili do të jetë pikë kthyese për vendimin final të anëtarëve të BE-së”, deklaroi dje zëvendëskryeministri i obliguar për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, transmeton Koha.mk

Ai përsëriti se do të jetë shumë me rëndësi nëse në periudhën e ardhshme gjendet kompromis me opozitën që të miratohet ligji për PP dhe në këtë mënyrë, thotë, të krijojmë institucion i cili jo vetëm se do t’i zbardh tërësisht dilemat të cilat kanë dalë nga bisedat e përgjuara, por në vazhdimësi do të vazhdojë të luftojë me korrupsionin në nivel të lartë.

Osmani tha se kanë kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e institucioneve evropiane dhe vendeve anëtare, dhe se është normale që ka dëshpërim nga ngjarjet e fundit, por të gjithë së bashku kanë konstatuar se tani reagimi i institucioneve është shumë më i rëndësishëm se gjendja aktuale dhe faktike, me të cilën ballafaqohemi.

Lidhur me zbrazëtirën juridike rreth emërimit të pasardhësit të Katica Janevës, dhe nëse kjo do të ishte temë e bisedës në BDI dhe në raportet me partnerin e koalicionit LSDM, Osmani tha se nuk do të bëjë interpretim juridik të dispozitave të ligjit, por se përgjigje më e mirë është kompromisi mes faktorëve politikë për zgjidhjen të përhershme për PSP përmes ligjit të ri për PP.

Edhe LSDM-ja qeveritare mendon se zhvillimet e fundit tregojnë se sundimi i ligjit funksionon, dhe ligjet vlejnë për të gjithë në mënyrë të barabartë, se askush nuk është mbi drejtësinë dhe se të gjithë do të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre.

Sidoqoftë, për opozitaren VMRO-DPMNE, paraburgimi i Katica Janevës është një teatër i rregulluar që duhet të mbulojë gjurmët që çojnë në Ilindenska dhe tek Zoran Zaev dhe e akuzojnë prokuroren Vilma Ruskovska se po e zvarrit hetimin.

Pardje me urdhër të Prokurorisë Publike për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin u paraburgos dhe u arrestua kryeprokurorja speciale Katica Janeva për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimeve për përfitime personale.

Komisioni Evropian tani për tani distancohet nga komentet për rastin “Zhvatja” dhe vendimin për arrestimin e kryeprokurores speciale publike Katica Janeva. Megjithatë, nga Komisioni Evropian theksojnë se nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut pritet hetim rrënjësor.

Burime në Komisionin Evropian, i cili luan rol të rëndësishëm në formimin e PSP-së gjatë negociatave në Përzhinë, thonë se nga afër vëzhgohen ngjarjet në Maqedoninë e Veriut rreth rastit “Reket” dhe se tani për tani në KE nuk ka pasqyrë të qartë për atë çka saktë po ndodh.

Në Bruksel askush nuk dëshiron të spekulojë nëse dhe si do të reflektojnë ngjarjet e fundit ndaj vendimit për ndarjen e datës për negociata, por vlerësimi është se nëse pushteti dhe opozita në Maqedoni të Veriut tregojnë vendosmëri që të përballen me korrupsionin dhe të gjejnë zgjidhje të përhershme dhe bindëse të ndërsjellë, data ende është e mundshme për vendin në tetor, komentojnë për MIA-n, diplomatët në Bruksel.

Janeva dyshohet se e ka keqpërdorur pozitën zyrtare dhe autorizimet për përfitime personale, fillimisht duke ndikuar për lirim nga paraburgimi dhe kthimin e dokumenteve rrugore, ndërsa më pas i ka dhënë propozim që të lehtësohet pozita e një të dyshuari në rastin “Perandoria” me pranimin e tij si dëshmitar në procedurë.

Janeva, zëri i së cilës dëgjohet në incizimet e publikuara nga gazeta italiane “La Veritas”, në të cilat ajo të dyshuarit kryesor në rastin “Perandoria” Orce Kamçev i thotë “gjithçka do rregullohet” është e dyshuara e tretë në rastin “Reket”.

Dy të dyshuarit e tjerë për rastin “Zhvatja”, Bojan Jovanovski dhe Zoki Kiçeec mbi një muaj janë në paraburgim. (koha.mk)