Jam i bindur se qeverisja e Zaevit nuk ka kuptim pa Katicën! Kjo është hajmalia e suksesit të Zaevit në politikë. Kundërshtarët e Zaevit e dinë fort mirë këtë, dhe prandaj insistojnë në pezullimin e PSP-së. Me eliminimin e PSP-së, opozita e VMRO-së nacionaliste do të rikuperohet dhe do t’i vërsulet pushtetit me narrativin politik të saj të ndihmuar nga nacionalistët shqiptarë, që përdoren vetëm si kondomë për një përdorim të vetëm
Nga Shaqir ISLAMI
Kohët e fundit, Prokuroria Speciale Publike është sërish tema kryesore në politikë. Ashiqare, duket se Katica me ekipin e vet e tmerron klasën politike! Sidomos hilexhinjtë dhe të korruptuarit. Dhe normalisht se kasta politike duan dhe orvaten ta heqin qafe, ose ta përshtatin disi nën hyqmin e tyre. Këta dy pushtete, në shoqërinë tonë nuk e durojnë njëri-tjetrin! Në fakt, në demokraci duhet të ndahen dhe drejtësia të jetë tërësisht e shkëputur nga kthetrat e ekzekutivit politik. Për fatin tonë të keq, drejtësia është akoma një defekt i rëndë i shoqërisë sonë. Prandaj, kemi një demokraci që çalon!
Prokuroria Speciale Publike, ndonëse e cunguar, për shkak se, për të qenë efikase i duhej edhe një gjyq special për t’i kryer proceset juridike tamam siç duhet. Për t’ia thjeshtuar publikut të gjerë se si është konceptuar kjo loja e drejtësisë qysh në Greqinë e lashtë, duhet të përdor metaforë me gjuhën e gjuetarëve. Loja e zbatimit të drejtësisë në shoqëri, është e konceptuar si hakmarrja kolektive ndaj krim-bërësit të hamendësuar derisa t’i vërtetohet faji, në vend të hakmarrjes individuale që njihej si vendeta. Pra sistemi i drejtësisë përbëhet nga këta aktorë: prokuroria, gjyqi, i akuzuari dhe mbrojtja e tij. Loja luhet midis këtyre lojtarëve. Shumë e thjeshtë është drejtësia, derisa nuk ndërhyn ryshfeti. Ryshfeti është kanceri i shoqërisë sonë, e cila ka metastazuar dhe ka lëshuar rrënjë, në çdo pore të shoqërisë sonë; dhe kjo sëmundje e bren dhe gërryen nga brenda demokracinë e vendit tonë. Ryshfeti u shndërrua në kulturën tonë, sa që e vrau shpresën për ardhmërinë e këtij vendi. Katica me PSP’në, e ngjalli shpresën dhe akoma e ndjell optimizmin dhe besimin në demokracinë.
Prokurori në drejtësi e loz rolin e zagarit në gjueti, e sjell të dyshuarin para gjyqtarit, i cili vendos nëse i akuzuari është fajtorë ose jo. Zagari sado qoftë i mirë për ta ngre gjahun, nëse gjuetari është i paaftë, më kot është puna e zagarit. Kështu funksionon prokuroria, me hetime e sjell të dyshuarin para gjykatësit, i cili e zbaton ligjin. Ne e kemi parë se ç’ndodh kur këto dy institucione juridike nuk janë bashkëpunuese. Puna e PSP-së shantazhohet nga banda të vjetra që i kanë pushtuar dhe sunduar me dekada institucionet e drejtësisë çalamane dhe të korruptuar të deritanishme; peshorja e të cilëve ka funksionuar me emocione, paragjykime dhe ryshfet duke bërë kërdi në shoqëri, dhe duke e shpërfytyruar dhe shtrembëruar sistemin e drejtësisë sipas pazareve me ryshfete dhe shantazhe.
Megjithatë, PSP-ja është akoma e domosdoshme për vendin tonë. Demokracia me praninë e Katicës së butë në pamje (më shumë len përshtypje si një kuzhiniere, se sa si prokurore !), tregoi sukses të paparë ndonjëherë në këto troje. Katica, sot, peshon më shumë se çdo autoritet tjetër në këtë shtet; Katica e bëri historinë e re të Maqedonisë së Veriut së bashku me Zaevin, pavarësisht nga xhelozitë dhe tekat e shumë atyre që rrahin gjoks duke e kritikuar punën e PSP-së. Prandaj, këta të dy së bashku funksionojnë si melhem për shërimin e plagëve të rënda shumëvjeçare të demokracisë në vendin tonë.
Jam i bindur se qeverisja e Zaevit nuk ka kuptim pa Katicën! Kjo është hajmalia e suksesit të Zaevit në politikë. Kundërshtarët e Zaevit e dinë fort mirë këtë, dhe prandaj insistojnë në pezullimin e PSP-së. Me eliminimin e PSP-së, opozita e VMRO-së nacionaliste do të rikuperohet dhe do t’i vërsulet pushtetit me narrativin politik të saj të ndihmuar nga nacionalistët shqiptarë, që përdoren vetëm si kondomë për një përdorim të vetëm. (koha.mk)