Prokuroria Speciale Publike (PS) sot kumtoi se duke vepruar për lëndën “Talir” deri te Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë është parashtruar kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë.
“Me kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë kërkohet Gjykata Supreme të konfirmojë se vendimi i Këshillit Penal në Sektorin për krim të organizuar dhe korrupsion në Gjykatën Themelore Shkupi 1 Shkup, me të cilën është refuzuar kërkesa e kësaj Prokurorie Publike për sigurimin e një pjese të pronës së një partie politike, ka qenë i kundërligjshëm”, thuhet në kumtesë.
PSP përkujton se më 22 maj të këtij viti është parashtruar kërkesë për marrje të përkohshme të pronës për shkak të sigurimit, gjegjësisht për caktimin e masës së përkohshme – ndalesë për tjetërsimin e pronës së patundshme me vendosje në hipotekë të kësaj prone për shkak të dyshimit të bazuar se rrjedh prej veprës penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe autorizimit”, e cila u refuzua.
Shkaqet për parashtrimin e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë, sqaron SPS, janë në faktin që në rastin konkret janë përmbushur të gjitha supozimet ligjore për sigurimin e pronës e cila rrjedh ka nga vepra penale, ndërsa njëherit në gjykatën e shkallë së parë u dorëzua edhe material i vëllimshëm provash të shoqëruara me analiza financiare, të cilat e përforcojnë kërkesën për sigurimin e pronës.
“Me kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë është shprehur nevoja nga trajtimi i Ligjit për financimin e partive politike në pajtim me standardet ndërkombëtare në bazë të cilave ky ligj është miratuar dhe rrethanat se trajtimi restriktiv i gjykatës së shkallë së parë të ligjit të përmendur është në kundërshtim edhe me angazhimet për parandalimin e korrupsionit si kusht i domosdoshëm për ndërtimin e shoqërisë demokratike dhe respektimin e parimit të sundimit të së drejtës”, thekson PSP-ja në kumtesë.
Në rastin “Talir” i cili ka të bëjë me financim e kundërligjshëm të VMRO-DPMNE-së janë të dyshuar 14 persona.