Shkup, 9 shkurt – Prokuroria Speciale Publike sot kumtoi se është shkelur fshehtësia e procedurës parahetimore për të cilën në SPB Ohër ishin thirrur disa persona në cilësi të dëshmitarëve për t’u shprehur lidhur me procedurën. “Lidhur me procedurën parahetimore e cila po zhvillohet në këtë Prokurori publike, në SPB Ohër janë thirrur disa persona në cilësi të dëshmitarëve për të treguar për rrethanat lidhur me procedurën e njëjtë. Në pajtim me Kodin penal çdo lloj i ndikimit ndaj dëshmitarëve është vepër penale, ndërsa personat të cilët janë thirrur si dëshmitarë janë të obliguar t’i përgjigjen ftesës dhe të ndihmojnë me thëniet e tyre në konstatimin e fakteve për të cilat është ngritur secila procedurë parahetimore apo hetimore”, thuhet në kumtesën e PSP-së. Kjo Prokurori publike, siç shtojnë, distancohet nga çfarëdo lloj spekulime politike dhe potencojnë se detyrën e vet zyrtare prokurorët publik të PSP-së e kryejnë në pajtim me ligjin në drejtim të konstatimit të vërtetësisë në procedurat që po zhvillohen.