Me shfaqjen “Duet për NJË”, Teatri Shqiptar i Shkupit edhe njëherë po e rikonfirmon vetveten si një institucion nacional që përditësimin e vlerave skenike po e bën mbi disa kritere të përzgjedhura me kujdes profesional nga drejtuesit e tij
Nga Emin AZEMI
As vet Tom Kempinski nuk e kishte ditur se protokolli i tij shëndetësor një ditë do t’i hyjë në punë për të parapërgatitur skicën e një dramë, e cila, pak a shumë, nuk do të mund të dilte nga korniza e tij biografike. Në qarqet teatrore britanike madje Kempinski njihej si një neuorotik i shumëvuajtur, dhe falë këtij “aksidenti” shëndetësor, që u reflektua edhe në obezitetin e tij, ai për shumë vite ishte ngujuar në shtëpi dhe për rrjedhojë kishte shkruar njëmbëdhjetë drama.
Me disa role ekzemplarë në skenat e Londrës, që kishte mbetur gjatë kohë në kujtesën e publikut si aktor, Kempinski do të dijë ta tejkalojë murin e harresës që shkakton ndërprerja e aktrimit dhe për të kishte qenë më shumë se ngushëllim marrja me shkrimin e dramave. Magazinat emocionale gjatë kohës së aktrimit, që i kishte strukur diku thellë në qenien e tij, ai i shndërroi në tema brilante të veprave dramatike, të cilat edhe sot ruajnë aktualitetin tematik dhe qasjen intriguese.
Nga këto magazina emocionale vjen edhe drama “Duet për një”, e shkruar në vitin 1980, përmes së cilës Kempinski ndërtoi fabulën e një historie të dhimbshme të një violonisteje, Stephanie Abrahams, e cila ishte e detyruar të shmanget për një kohë nga profesioni i saj tepër i dashur për shkak të problemeve shëndetësore që iu kishin manifestuar nga skleroza e shumëfishtë. Këto probleme kishin ndikuar edhe në thellimin e krizës bashkëshortore në mes të dy artistëve, ndonëse kjo krizë në dramë nuk shfaqet hapur, ashtu siç kishte ndodhur në vërtetë në mes të çelo-solistes Jacqueline du Pré dhe bashkëshortit të saj, dirigjentit Danielu Barenboimu. Pra, Kempinski i kishte shfrytëzuar vetëm si material dokumentar disa linja biografike nga portreti i çelo-solistes së famshme, Jacqueline du Pré, por jo edhe detajet tjera, sepse në dramën e tij ai vendos parametra tjerë syzheor ku dominon raporti në mes të violinistes, Stephanie Abrahams, dhe psikiatrit, Dr. Feldmann, ndërkohë që raporti në mes të saj dhe bashkëshortit vjen vetëm në formë të rrëfimeve që ajo ia thotë psikiatrit.
Kempinski ishte intrigues edhe për kineastët, dhe kështu në vitin 1986 u xhirua filmi me motivet e kësaj drame, me Julie Andreës në rolin kryesor. Por edhe këtu kemi disa shkarje nga linja fillestare dramaturgjike. Përderisa në versionin filmik violinistja tenton të bëjë vetëvrasje, ne versionin skenik ajo, Stephanie Abrahams, afrohet buzë greminës, por në momentin e fundit i ik vetëvrasjes, falë psikoterapisë së mjekut të saj – Dr. Feldmann.
Depërtimi i Vjollca Bekteshi-Hamitit në karakterin e personazhit të saj, Stephanie Abrahams, nxori në pah vlerat e një aktrimi që jo shpesh e ndeshim në skenat tona. Raporti në mes të gjendjes shpirtërore, mjaft dinamike e dramatike dhe situatave mizanskenike ku një person, i depresionuar nga simptomat e një çrregullimi shëndetësor, luftën me vetveten e bën të zëshëm, madje edhe në kufijtë e histerisë, rivalizohet, me të tjerët (mjeku Dr. Feldmann), me dhe pa arsye, ndonëse këta të fundit do të tregojnë kujdes dhe maturi të pakursyer ndaj atyre që kanë përballë. Ndodhja përballë Stephanie Abrahams nuk ishte e lehtë për mjekun psikiatër – Dr. Feldmann (Vebi Qerimi), jo pse ai nuk e kishte përvojë paraprake, por pse çdo pacient që i vinte atij ishte një ekzemplar më vete. E tillë ishte edhe Stephanie Abrahams, një person me diagram të fuqishëm karakterologjik, që po e zhvillonte betejën e saj kundër sklerozës përmes seancave pikoterapeitike, në të cilat mjeku Ddr. Abrahmas jo rrallë ishte vetëm një statist që ndiqte nga distanca përpëlitjet e pacientes së saj. Kjo e fundit kishte një mospajtim fundamental me statusin e saj shëndetësor, por atë e udhëhiqte edhe pasioni i brendshëm për të protestuar ndaj opinioneve që ishin krijuar për të. Ajo protestonte edhe kundër bashkëshortit të saj, duke iu kundërvënë përmes një rrengu që ajo do ta paketojë si një aventurë erotike me hekurmbledhësin e lagjes aty afër.
Roli psikoterapuetik i një mjeku me përvojë gjeti përputhshmëri të plotë me lojën mjeshtërore të Vebi Qerimit. Ai e kishte punuar me kujdes rolin e tij dhe kontekstualizimi mizanskenik i situatave dramatike që ai i mbajti nën kontroll gjatë gjithë kohës sa ndodhej përballë një karakteri shpërthye, siç ishte violinistja, Stephanie Abrahams. Afërsia që krijohej përmes një distance të menaxhueshme nga një mjek me përvojë të kaluar në kurimin e krizave shpirtërore, e bënte rolin e Vebi Qerimit, sidomos në vetë epilogun e dramës, një katalizator të efektshëm të gjithë procesit skenik. Mbase, kjo është edhe një dëshmi se e kaluara e Teatrit Shqiptar të Shkupit lidhet gjithsesi me një pjesë të vetë biografisë artistike që u krijua me emra të përveçëm ku bën pjesë edhe Vebi Qerimi.
Një shfaqje relativisht e gjatë (mbi 90 minuta) nuk do të dilte pa të metat e saj në dinamikën e lojës, sikur atë të mos e mbushte atmosfera tejet e dendur e vetë ngjarjes, e cila trivialitetin e monotonisë e mundi me plotninë e aktrimit jostereotip, me energjinë e deklamimit virtuoz të dyshes: Vjollca Bekteshi – Vebi Qerimi dhe me mungesën e patetizmit skenik, që u shfaq nga pamja në pamje, nga situata në situatë.
Regjisori i talentuar dhe tash më i dëshmuar në teatër dhe film, Kushtrim Bekteshi, i kishte bërë një lexim korrekt regjisorial dramës së Kempinskit, duke mos u munduar të sjellë ndonjë novatorizëm të shpifur, çfarë ndodhë zakonisht me disa regjisorë të rinjë kur duan të tingëllojnë disi më origjinal se vetë regjisorët e Brodvejit. Regjia e Kushtrimit më tepër u paraqit si një palimpsest mbi të cilin vetë aktorët vendosnin piketat e konfigurimit skenik, por gjithmonë në funksion të idesë regjisoriale për të prodhuar një shfaqje psikologjike, ku loja e aktorëve dhe dinamika e ngjarjeve ndërthuren pahetueshëm dhe tejet spontanisht.
Me shfaqjen ‘Duet për NJË’, Teatri Shqiptar i Shkupit edhe njëherë po e rikonfirmon vetveten si një institucion nacional që përditësimin e vlerave skenike po e bën mbi disa kritere të përzgjedhura me kujdes profesional nga drejtuesit e tij. (koha.mk)