Rezistenca ndaj presionit social për t’ju nënshtruar standardeve të tilla shoqërore është e vështirë dhe kërkon vetëdije dhe vetëbesim se dinjiteti dhe vlera jonë njerëzore nuk varen nga numri i njerëzve të cilët i ushqejmë në një dasëm apo nga rrobat, të cilat i tregojmë atë ditë. E ndoshta gjëja e vetme e mirë të cilën e bënë kufizimet të cilat na i imponoi pandemia, me çka shumë dasma u bënë nëpër shtëpi dhe me shpenzime modeste, ishte pikërisht vërtetimi i kësaj teze
Nga Omer AJDINI
Një dasëm mesatare në Afganistan kushton prej diku 10,000 deri në 40,000 dollarë, përderisa të ardhurat mesatare vjetore janë jo më shumë se 400 dollarë. Aq të larta janë shpenzimet nwpwr dasma në proporcion me varfërinë dhe të ardhurat vjetore, saqë në 2015 parlamenti afganistanez kaloi një ligj që kufizon shpenzimet në dasma në 3,500 dollarë, me qëllim që t’i parandalojë pasojat negative e fatale që shpenzimet marramendëse në dasma shpesh kanë. Një pyetje normale do të lindte: a janë këto shpenzime marramendëse vetëm karakteristikë e Afganistanit apo kështu shpenzon e tërë bota?
Përgjigja është relativisht e qartë nga statistikat e gatshme të shpenzimeve nëpër dasma në vende të ndryshme të botës. Edhepse shpenzimet për dasma janë të larta anë e kënd botës, ata nuk duket të rriten në proporcion me të ardhurat mesatare të qytetarëve të shteteve të ndryshme. Për shembull, një dasmë tipike britanike kushton prej diku 24,200 deri në 33,700 dollarë, përderisa të ardhurat mesatare vjetore në Britani janë diku 36,354 dollarë. Për çudi, ky trend vërehet në tërë botën: shoqëritë e varfra shpenzojnë proporcionalisht shumë më shumë sesa shoqëritë e pasura në dasma, gjë që të bën të mendosh: a janë vallë njerëzit e varfër iracional?!
Përgjigjen e japin dy fituesit e çmimit Nobel për ekonomi në 2019 Abhijit Banerjee dhe Esther Duflo, të cilët kanë studiuar dinamikat dhe psikologjinë e familjeve të varfra dhe të cilët në librin e tyre “Poor Economics” e shpjegojnë fenomenin e shpenzimeve të larta nëpër dasma kryesisht nga prizmi i psikologjisë së njerëzve të varfër. Sipas tyre, nevoja natyrale njerëzore që njeriu të kërkojë status më të lartë në shoqëri në mënyrë që ta ngrisë dinjitetin dhe vlerën e tij shoqërore në krahasim me të tjerët është shtysa kryesore që çon njerëzit në tërë botën të shpenzojnë relativisht shumë në dasma. Kjo ngaqë dasmat janë platforma ku në mënyrë më demonstrative dhe spektakolare mundë të tregohet “pasuria” e një familje/individi ngaqë aty tubohen njerëzit opinioni i të cilëve për ne ka zakonisht ndikim të drejtpërdrejtë në mënyrën se si ndihemi. Nëse bindemi që përmes atyre shpenzimeve që i kemi bërë në dasëm kemi treguar që jemi të pasur, atëherë vetëbesimi ynë ngritet dhe e shohim veten të përmbushur dhe të dinjitetshëm.
Megjithatë, kjo nuk i jep përgjigje pyetjes se pse shoqëritë e varfra shpenzojnë proporcionalisht shumë më shumë sesa më të pasurat. Përgjigja logjike është sepse sa më poshtë ta mendosh veten në hierarkinë shoqërore, aq më shumë para duhet të shpenzosh që ta ndryshosh atë perceptim të vetvetes duke i impresionuar të tjerët. Një njeri që e mendon veten “të pasur” nuk ndjen shumë nevojë për të bërë shumë që t’i bindë të tjerët që ai është i tillë; dhe e kundërta. Familjet e varfra e ndjejnë veten “të varfër” dhe është pikërisht kjo arsyeja përse ata deprivojnë veten dhe fëmijët e tyre nga kushtet elementare për jetë siç janë shkollimi dhe ushqimi adekuat vetëm e vetëm për të tubuar para të mjaftueshme që nëpërmjet një “show” spektakular t’i bindin të tjerët (po edhe veten për pak kohë) se ata nuk janë të varfër, se ata kanë dinjitet. Pra, logjika është “më mirë i uritur sesa të mendojnë të tjerët që janë i varfër”, me çka mundohet të mbulohet mjerimi dhe mungesa e vetëbesimit të cilin shpesh e shkakton varfëria. Kjo pra është psikologjia e varfërisë.
Edhe shoqëria jonë nuk përjashtohet nga ky fenomen. Duke qenë se ne shqiptarët nuk njihemi të kemi qenë historikisht të pasur, praktika që përmendëm më lartë ka qenë historikisht praktikë e domosdoshme për t’ua mbajtur gjallë individëve dhe familjeve dinjitetin e nevojshëm për funksionim normal shoqëror, gjë që gradualisht ka bërë që kjo të shndërrohet në kulturë/traditë e cila sot ndiqet symbyllur dhe është e vështirë t’i iket edhe nga njerëzit të cilët nuk e ndjejnë nevojën për ta etabluar/ngritur statusin e tyre social përmes shpenzimeve të tilla marramendëse në evente apo gjësende demonstrative luksoze. E si rezultat, nga ky standard i sjelljes shoqërore, me çka individët dhe familjet shteren financiarisht, lindin shpesh pasoja me implikime jo të këndshme dhe krijohet një kurth i cili e prolongon varfërinë. Zhytjet e thella në borxhe, privimi i fëmijëve nga shkollimi, grumbullimi i shumë anëtarëve të familjes në një shtëpi janë vetëm disa nga pasojat të cilat shpesh e bëjnë jetën shumë të vështirë dhe të palumtur. Prandaj lind edhe nevoja për rishikim të standardeve tona të sjelljes.
Mendimi im është se ne të rinjtë sinqerisht duhet të mendojnë për ndryshim të këtij standardi shoqëror, çmimin e të cilit e paguajmë kryesisht vet ne. Rezistenca ndaj presionit social për t’ju nënshtruar standardeve të tilla shoqërore është e vështirë dhe kërkon vetëdije dhe vetëbesim se dinjiteti dhe vlera jonë njerëzore nuk varen nga numri i njerëzve të cilët i ushqejmë në një dasëm apo nga rrobat, të cilat i tregojmë atë ditë. E ndoshta gjëja e vetme e mirë të cilën e bënë kufizimet të cilat na i imponoi pandemia, me çka shumë dasma u bënë nëpër shtëpi dhe me shpenzime modeste, ishte pikërisht vërtetimi i kësaj teze. Prandaj unë mbetem me shpresë që do t’i tejkalojmë këto norma shoqërore të krijuara nga psikologjia e varfërisë duke bërë atë që Niçja do ta quante si “rievaluim të vlerave” tona, gjë e cila do të na bënte më pak të varfër dhe realisht më të dinjitëtshëm.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)