Dënimi është forma më e keqe për edukimin e një fëmijë, ai është momental dhe mund ti qetësoj fëmijët për disa minuta, mirëpo për këtë psikologët vlerësojnë se duhet të punohet në vazhdimësi me fëmijët duke iu folur vazhdimisht që të formësohen dhe të edukohen drejtë
Remzije BILALLI
Shkup, 5 nëntor – “Fëmijët nuk duhet të dënohen në çerdhe, por ata duhet të disiplinohen”, kështu u shprehen pedagogët dhe psikologët për gazetën KOHA në pyetjen se a duhet të dënohen fëmijët në çerdhe. Shpeshherë prindërit ankohen se fëmijët e tyre keqtrajtohen në çerdhe, duke i dënuar me mbyllje nëpër komodina, për ti frikësuar, por në shumicën e rasteve ata ndëshkohen edhe fizikisht. Gjatë muajve të fundit kishte shumë raste të tilla, ku prindërit kërkuan edhe instalimin e kamerave nëpër kopshte për fëmijë.
Drejtoresha Rabije Loku nga kopshti “Fidani”në Shkup, vlerëson se fëmijët nuk duhet të dënohen por duhet të edukohen duke iu dhënë shpjegime mbi gabimin e bërë. Assesi nuk duhet të përdoret dhunë sepse kjo ndikon në formësimin dhe personalitetin e fëmijës, me ç’rast mund t’i jepet një imazh i keq. “Fëmija duhet ta ndiejë se është i dashur, ne duhet ti edukojmë në atë mënyrë që të jemi model i mirë për ta, nëse ne përdorim dhunë dhe fjalë fyese do të jemi fotografi e keqe për fëmijët. Dënimi është mënyra më e keqe dhe jo efikase për të edukuar fëmijët, sepse duke parë sjelljet e të tjerëve ata ndërtojnë identitetin e tyre”, tha Loku.
DËNIMET KRIJOJNË EFEKTE KONTRAPRODUKTIVE
Ndërsa psikologët theksuan se kur prindërit dhe njerëzit e tjerë nga rrethi i afërt i dënojnë fizikisht dhe i drejtohen me fjalë se “ti je i keq”, “nuk je i zgjuar”, “nuk je i mençur”, “nuk je i aftë” dhe të tjera ata fillojnë vërtetë ta besojnë këtë. Dënimet tek fëmijët krijojnë frikë, ndërsa frika tek fëmijët nuk nxit as respekt e as edukim të mirëfilltë.
“Tek fëmijët nuk duhet praktikohet dhuna dhe as nuk duhet të ketë ndonjë vijë të kuqe apo limit për këtë, por duhet të bisedohet dhe t’u shpjegohet se cila është mënyra e drejtë dhe pse nuk duhet të përsëritet një gjest i caktuar, sepse vetëm në këtë mënyrë rrënjësisht mund të zgjedhim problemin. Nëse dënohet një fëmijë disa minuta, ai prapë mund ta përsëris gabimin dhe ky është edukim momental, ne duhet që të ulemi të bisedojmë me fëmijën në këtë mënyrë edhe të tjerët do të marrin mësim”, tha për gazetë KOHA psikologja Aneta Brestovac, nga kopshti i fëmijëve “Crvenakapa” në Shkup. Brestovac shtoi se duhet fillimisht të detektohet problemi sepse shumë fëmijë mund të vijnë nga familje të cilat kanë probleme, këto probleme fëmijët i manifestojnë në forma të ndryshme njëra ndër to është duke shkaktuar rrëmujë dhe probleme ndaj fëmijëve të tjerë.
“Nëse një fëmijë përsërit problemin duhet të kontaktojmë prindit që ta ndihmojë se ku qëndron problemi. Me fëmijët duhet të punohet në vazhdimësi sepse me anë të një bisede nuk mund të zgjidhet problemi apo ti edukojmë ata, rol të madh luan prindi dhe informatat që ai i jep”, tha Brestovac
ÇERDHET KANË EFEKT POZITIV NË SJELLJET E FËMIJËVE
Rezultatet nga hulumtimet e fundit në Francë konstatuan se çerdhet kanë efekt pozitiv. Studimet thonë se fëmijët që shkojnë në çerdhe janë më të shoqërueshëm në krahasim me fëmijët që nuk shkojnë.
Studimi i kryer nga Universiteti i Francës “Soborna”, ka ndjekur zhvillimin emocionale të 1500 fëmijëve që nga lindja deri në moshën tetë vjeçare nëpërmjet anketave të plotësuara nga prindërit. Ndikimi pozitiv tek fëmijët nuk ishte vetëm gjatë kohës që shkonin në çerdhe por në plan më afatgjatë këta fëmijë manifestuan më pak probleme në sjellje dhe më pak probleme sociale në adoleshencën e hershme. Kopshti i fëmijëve në vitet e para të jetës mund të përmirësojë sjelljen dhe zhvillimin kognitiv të fëmijës, të parandalojë vështirësitë e mëvonshme emocionale dhe të promovojë sjelljen sociale – shpjegon Dr Maria Mehlor, një nga autorët e këtij hulumtimi. (koha.mk)